“Asociacioni, “Kali i Trojës” për rrënimin e Kosovës”

/ 8 minuta lexim
Fundamenti

Pas nënshkrimit të Marrëveshjeve ndërmjet të qeverive të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për energji, telekomunikacion, themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, dhe lëvizjen e lirë mbi urën e Ibrit, reagimet në Kosovë ishin të menjëhershme dhe negative.

Në veçanti, opozita politike kosovare ka kundërshtuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e konsideruar si marrëveshje që cenon integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Belul Beqaj, politolog dhe njohës i mirë i zhvillimeve në rajon, themelimin e Asociacionit të Komunave serbe, në afat të gjatë, e sheh si mjet nëpërmjet të cilit Serbia do të krijojë bazë ligjore për të pasur pjesë në qeverisjen e Kosovës dhe për ta bllokuar zhvillimin e shtetit.

Duke folur për Anadolu Agency, ai kthehet shtatë vite më parë, më saktësisht në ditën e pavarësimit të Kosovës (17 shkurt 2008), kur gjatë një emisioni televiziv kishte deklaruar publikisht se, çështja e raportit me Serbinë nuk ka përfunduar, siç thoshte sintagma “Bac u kry” ngase, sipas tij, do të ndodhë një proces i gjatë i ndarjes së sovranitetit mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe e cila, në asnjë mënyrë nuk e ka njohur shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Për dallim prej analistëve të tjerë, Beqaj nuk e sheh si problem formën e krijimit të Bashkësisë së Komunave serbe, gjë të cilën ia atribuon dështimeve të elitës politike kosovare por, përmbajtjen e marrëveshjes dhe mënyrën se si ka ardhur deri te kjo.

“Komunat të cilat kanë qenë të decentralizuara i kemi rikthyer drejtë Serbisë dhe në vend se, komunat të cilat nuk pranuan decentralizimin, pra katër komunat e veriut, të decentralizohen si ato gjashtë komunat tjera, ne e kemi bërë një kthim prapa dhe komunat e decentralizuara, faktikisht ia kemi bashkangjitur si instrument të shtuar të Serbisë e cila, përmes së Lista Srpska tani ka bërë një lloj të centralizimit të komunave të decentralizuara”, vlerëson Beqaj, duke shtuar se Asociacioni i Komunave serbe nuk ka shtuar kompetenca por kompetencave ekzistuese të 10 komunave të decentralizuara, faktikisht iu ka shtuar fuqinë dhe ka krijuar një sinergji të kompetencave për arsim, kulturë, shëndetësi, planifikim urban dhe rural, si dhe për zhvillim ekonomik.

“Ata serbë dhe ajo Serbi që nuk e kanë njohur në asnjë formë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, tani ka krijuar një mekanizëm që do ta stigmatizoj, si kali i Trojës brenda Kosovës, jo për ta fuqizuar shtetin, jo për ta njohur shtetin dhe pavarësinë e Kosovës por, për ta bërë de-tronizimin e saj”, tërheq vëmendjen Beqaj.

Ai paralajmëron se, me rastin e parë të pakënaqësisë, serbët do të shpallin një lloj të referendumit dhe pastaj Kosova do të ketë probleme të ngjashme me ato që i ka Bosnja dhe Hercegovina sepse për ta bërë këtë, serbët tani kanë dy mekanizma: dy të tretën që mund ta përdorin në Kuvend dhe Asociacionin e Komunave si entitet i pavarur me veçantitë e veta, simbolikën, stemën, flamurin, fondet, tatimet, doganat që nuk i paguan, policinë që e propozon vet, madje edhe të drejtën për përfaqësim ndërkombëtar, që Beqaj e quan si Ministri të Jashtme të Asociacionit.

Sipas Beqajt, në momentin e caktuar kur shteti i Serbisë do të ketë nevojë, ai do t’i përdorë serbët e Kosovës për interesat e veta dhe kjo do t’i kushtoj shumë shtrenjtë Kosovës, për arsye se, nuk do të merret me konsolidimin e shtetit të vet, por çështjen e konsolidimit do ta fokusojnë vetëm tek serbët.

“Ne faktikisht, në vend se të kemi një politikë dhe strategji zhvillimore për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e tij, ne do të kemi një politikë e cila do të fokusohet në problemin e serbëve dhe të Serbisë në Kosovë”, thotë Beqaj për të cilin, një çështje tjetër problematike do të jetë zbatimi i marrëveshje të arritura, në terren.

Sipas tij, një nga vështirësitë kryesore deri tani, në 16 marrëveshjet e nënshkruara, ka qenë dhe mbetet zbatimi i tyre.

Një problem tjetër të cilin e thekson Beqaj është, aprovimi i Statutit të Asociacionit nga niveli më i lartë i dialogimit dhe jo institucionet e Kosovës.

KKVITI

“Këtë dokument duhet ta aprovojë niveli më i lartë i dialogimit. Pra, nuk e aprovon një institucion në Kosovë por niveli më i lartë i dialogut, që i bie se do ta analizojnë Mogherini me ekipin e vet dhe ndoshta përfaqësuesit negociator të Serbisë dhe Kosovës, që është një koncept jashtë institucional dhe nuk ka të bëjë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës por, ka të bëjë me një proces politik”, vlerëson Beqaj dhe i kundërshton ata të cilët thonë se, krijimi i këtij Asociacioni është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke kërkuar që t’i tregojnë se “në cilën pjesë të Kushtetutës së Kosovës shkruan që, Asociacioni i Komunave e jep propozimin e komandantit të policisë”.

I pyetur që të komentojë deklaratat e partive opozitare të cilat e akuzuan lidershipin e koalicionit qeveritar, PDK-LDK, për tradhti dhe kërcënimet se do të ndërmarrin gjithçka që kjo marrëveshje të mos gjej zbatim në praktikë duke mos lejuar cenimin e sovranitetit të shtetit dhe nëse do të ketë destabilizim të situatës së sigurisë në Kosovë, Beqaj u përgjigj se opozita nuk mund të ketë aq ndikim për ta destabilizuar situatën sepse edhe ajo vet ka qenë pjesëmarrëse në ndërtimin e kësaj politike, derisa ka qenë në koalicion dhe ka pasur pretendime të jetë partnere e koalicionit.

Beqaj, njohës i mirë i marrëdhënieve shqiptaro-serbe, konsideron se ka shumë pak hapësirë që të ndryshohet marrëveshja e arritur sepse, faktori ndërkombëtarë është involvuar shumë në këtë proces. Si rrugëdalje të vetme për neutralizimin efekteve negative, Beqaj e sheh ndërhyrjen dhe ndryshimet e mundshme në Statutin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe dhe kjo, sipas tij, duhet të shfrytëzohet maksimalisht, me qëllim të qetësimit të situatës dhe parandalimit të përshkallëzimit të saj.

Ai sugjeron që, para aprovimit të Statutit të Asociacionit duhet të alarmohet bashkësia ndërkombëtare për pasojat e mundshme dhe destabilizimin e situatës si rezultat i provokimit nga ana e Asociacionit të Komunave serbe.

“Nëse për shembull, ndodh që të provokohet nga ana e serbëve që Asociacioni i Komunave serbe, meqenëse e kanë të drejtën për ta pasur flamurin e vet, e marrin një shenjë që e simbolizon Serbinë unë mendoj se do të jetë vetëm një shkëndijë që të arrihet sa më shpejtë deri te çrregullim dhe pakënaqësitë e shumicës në Kosovë”, thotë Beqaj i cili bënë thirrje që, intervenimet të bëhen me kohë, për t’iu shmangur ‘shkaseve’ për destabilizimin eventual të Kosovës.

Si shkase, Beqaj përmend çështjen e flamurit, stemës, çështjen e gjykatave që po kërkojnë ta kenë në kuadër të kompetencave të Bashkësisë së Komunave, çështjen e pronës që e kanë ngrit dhe ka mbetur pezull dhe që mund të shkaktojë telashe të mëdha.

“Ne e kemi për shembull, Liqenin e Ujmanit i cili është burim, eliksir i jetës së Kosovës dhe nëse eventualisht hapet çështja e pronësisë kur është në pyetje çështja e Liqenit dhe në kuadër të kompetencave që i kanë komunat, që kanë të drejtën e zhvillimit ekonomik dhe në planifikimin hapësinor, nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë pretendime që ta kenë menaxhimin total të Liqenit meqenëse është në territorin e Zubin Potokut dhe në pjesën e veriut”, thotë Belul Beqaj, duke ritheksuar nevojën për t’i evituar shkaqet dhe shkaset të cilat mund të shkaktojnë ç’rregullime dhe destabilizime, protesta dhe demonstrata masive.

Në pyetjen tonë nëse opozita politike kosovare, e cila kohëve të fundit është shumë aktive, mund të shkaktoj krizë eventuale politike të përcjell me demonstrata dhe pakënaqësi qytetare, duke ndikuar në prishjen e koalicionit dhe zgjedhjet e parakohshme, Beqaj u përgjigj negativisht.

Ai nuk beson se koalicioni mund të prishet për shkak të veprimeve të opozitës por, koalicioni mund të prishet nëse populli shqiptarë zbulon se “ka një pikë të vlimit”.

“Kam menduar disa herë se është një shkallë kur duhet të vlojë populli shqiptarë, për shkak të pakënaqësive ekonomike, sociale, politike, shëndetësore, etike e dosido, por unë mendoj që çështja e pakënaqësisë është grumbulluar dhe është shtresuar dukshëm dhe pikërisht pakënaqësia dhe fakti se po kthehen të rinjtë dhe nuk kanë përgjigje për ekzistencën e tyre, mund të jetë një shkëndijë e cila mund t’i ndryshoj raportet dhe të shkaktojë zgjedhje të reja”, konsideron Beqaj.

http://koha.net/?id=27&l=72841