Asfaltimi i rrugës Zarbicë – Muhoc ka marrë dritën e gjelbër

Këshilli Qendror i Fondit Humanitar për Malësi të Bujanocit me seli në Gjilan, më 06. 02. 2016, mbajti mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje, nga Mefail Limani, kryeses i Fondit, Mefail Ramadani dhe Ibrahim Maliq anëtarë, u informua për takimin me kryetarin e komunës së Bujanocit, Nagip Arifi dhe zyrtarët tjerë, rreth zhvillimit të punëve për asfaltimin e rrugës Zarbicë – Muhoc.
Kryesuesi i Fondit, Mefail Limani, ndër të tjera tha se: se ky takim për ne, për fshatrat e Malësisë së Bujanocit kah kalon rruga, sikurse edhe për komunën e Bujanocit, është një lajm i gëzuar, ngase mësuam se projekti ideor është bërë gati, leja për tenderim është marrë dhe nga e hëna ( 08. 02. 2016) mund të bëhet tërheqja e dokumenteve nga kompanitë e interesuara për tenderim. Ky afat do të zgjatë 30 ditë. Pas këtij afati do të hapen ofertat dhe brenda pak ditësh, përkatësisht brenda afateve të procedurave tenderuese, do të dihet edhe fituesi i tenderit. Dhe nëse nuk ka ndonjë ankesë, (që po ashtu janë afatet kohore procedurale), rregullimi, përkatësisht asfaltimi i rrugës Zarbicë – Muhoc do të fillojë pas 53 ditësh nga tenderimi.
Në hapjen e ofertave të tenderit, pjesëmarrës nga Fondi Humanitar për Malësi të Bujanocit mund të marrin pjesë edhe anëtarët e interesuar nga Fondi Humanitar për Malësi të Bujanocit, pra, ajo është transparente për të gjithë. Këto informacione i pohuan edhe Mefail Ramadani e Ibrahim Maliqi pjesëmarrës në këtë takim në Bujanoc.
Pra, përkundër hezitimeve momentale që kemi pasur se, ndoshta po vonohet fillimi i punëve dhe se ndoshta do të kemi ndonjë pengesë, këtë radhë u vërtetua dhe jemi të bindur, gjithnjë duke u mbështetur në punën që është bërë deri më tani dhe në fjalët e kryetarit të Bujanocit Nagip Arifi, se rruga Zarbicë-Muhoc, ky projekt madhor dhe jetik për fshatrat e Malësisë së Bujanocit, do të asfaltohet, theksoi ndër të tjera kryesuesi i Fondit, Mefail Limani.
Edhe anëtarët tjerë prezent të këtij takimi shprehën kënaqësinë (përkundër të ndonjë vonese që është paraqitur deri më tani) për punën e kryer deri më tash rreth këtij projekti, për shpalljen e tenderit në javën e ardhshme dhe, së shpejti, për fillimin i punëve për ndërtimin, përkatësisht asfaltimin e rrugës Zarbicë –Muhoc./ismet tafili/rajonipress/