Artisti me kostum politikani

Prishtinë – Të enjten e 11 prillit, aktori i njohur Enver Petrovci është takuar me liderin e partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj. Pas takimit partia ka lëshuar një komunikatë, ku thuhej se Petrovci dhe aktori Veton Osmani janë pajtuar që të bashkohen me AAK-në, si në nivel vendi ashtu edhe në kryeqendër për të zhvilluar dhe avancuar sektorin e artit dhe të kulturës.
“Duke e mirëpritur përzemërsisht bashkimin e prof. Petrovcit dhe aktorit Osmani në AAK, kryetari Haradinaj theksoi se “për AAK-në dhe për mua personalisht, është një nder që sot AAK-së iu bashkua një kuadër shumë i vlefshëm i vendit, i cili në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës ka treguar përkushtim, profesionalizëm dhe dinjitet në ngritjen e kulturës dhe artit në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.
Por, sipas Petrovcit, gjërat nuk janë bash kështu. Ai mohon të jetë bërë anëtar i partisë.
“Nuk jam anëtar i partisë, por vetëm e kam mbështetur Besnik Tahirin dhe planin e tij për kulturë, sepse ai ishte njeriu i parë që foli ashtu siç unë e shoh kulturën”, ka thënë Petrovci për gazetën. Për të, komunikata e AAK-së është shkruar me mjeshtri.
Thotë se ai e mbështet vetëm kandidatin e kësaj partie për kryetar të Prishtinës dhe jo partinë. “Ai nuk foli për infrastrukturë, ndërtime e këso planesh. Ai tha se shpirti i Prishtinës është kultura”, thotë Petrovci, i cili njihet edhe si përkrahës i mëhershëm i politikanëve dhe i partive të ndryshme në Kosovë. Ai e sheh si shumë të rëndësishme që politika t’i ketë afër artistët.
“Derisa artistët flasin mirë për një politikan ai do t’i ketë punët mirë, sepse artisti është shpirti i popullit dhe pasqyrë e shoqërisë. Artistët kanë rëndësi të madhe, sepse përhapin fjalët. Artisti është i sinqertë dhe nuk gënjen”, ka thënë Petrovci. Sipas tij, politika gjithmonë i ka dhënë pak rëndësi artit dhe kulturës në Kosovë, duke vendosur në krye të ministrisë njerëz që janë në listë të fundit për nga rëndësia në parti.
“Partitë politike e përdorin artistin kur është fushata dhe ka plot artistë që mbështesin politikanë edhe për hatër të dikujt por realisht asnjë inkuadrim i artistëve në politikë, nuk ka bërë ndonjë gjë për kulturën por vetëm për vete”, ka bindjen Petrovci. Megjithatë ai nuk e ka përjashtuar veten nga mundësia për të qenë pjesë e institucioneve në kulturë.
“Nëse kisha hyrë në politikë atëherë veç me PDK-në nuk kisha hyrë se me të tjerat besoj se mund të bëjë diçka për kulturën. Me këtë buxhet mund të bëhet gjithçka. PDK-ja e ka argumentuar se kultura dhe arti nuk u intereson”, ka thënë Petrovci.(Koha)