Uji Dea

Artisti i Kosovës

/ 7 minuta lexim

Edicioni i radhës i Bienales së Venecias do të jetë një ngjarje e veçantë për Kosovën. Do të jetë kjo hera e parë që shteti më i ri europian do të ketë pavijonin e vetë atje.

Emërimi i artistit të ri, Petrit Halilaj, për Artist të Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias, për shumëkënd tingëlloi çuditshëm. Kjo, për arsye se ky i fundit më tepër njihet në Europë se në vendlindje. Ky fakt, por edhe rëndësia e ngjarjes ku Halilaj do të përfaqësojë Kosovën, ndikuan që Express të sjellë një intervistë fundviti me të.

Ditë më parë, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, miratoi propozimin e drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës, Erzen Shkololli, i cili njëherësh është edhe komisionar i Pavijonit të Kosovës në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit, në Bienalen e Venecias për vitin 2013, që për artist të Pavijonit të emërohet Petrit Halilaj. Halilaj nuk është emër i panjohur në skenën e artit modern në Europë, megjithëse kjo s’mund të thuhet edhe për skenën kosovare. Ka pak adhurues arti që për të dinë diçka më tepër se ajo që herë pas here është botuar në mediat kosovare. Kjo bri që Express t mundohet të sqaroj – pak a shumë – se kush është, në fakt, artisti Petrit Halilaj?

Express: Cilat ishin emocionet pas marrjes së lajmin se do të jeni artist i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut?

Halilaj: Njëherë pata dëgjuar se, e vetmja gjë më e rëndësishme sesa të duash vendin tënd është ta duash botën. Isha në Berlin kur më thirrën për të më treguar, dhe kur Shkololli më ftoi zyrtarisht që ta përfaqësoj Kosovën në Bienalen e Venedikut. Ishte kjo një kënaqësi e veçantë, sepse ftesa erdhi nga vendi ku filloi e tëra.

Natyrisht, jam shumë i lumtur për praninë e Kosovës në Bienalen e Venedikut, e cila tash e tutje do të përsëritet çdo dy vjet. Bashkë me shtetet tjera të pranishme, artistët e çfarëdo religjioni, gjinie apo ndonjë formimi tjetër kulturor do të kenë rastin të shprehin idetë dhe vizionet, e kjo nënkupton që nga tani do të ketë një vëmendje më të madhe ndaj nesh. Arti bashkëkohor ndërkombëtar do të jetë më i pranishëm në vendin tonë, dhe ky është një lajm shumë i mirë për secilin prej nesh.

Express: A keni filluar të mendoni mbi konceptin apo punimin me të cilin do të merrni pjesë?

Halilaj: Nuk besoj në ide dhe koncepte të vetëm një vepre. Të paktën tani, në fillim të procesit, ende jam i përqendruar në hulumtim. Do të doja të argumentoja rreth diçkaje që ka kuptim, edhe pse për mua gjithçka ka kuptim, por ai kuptim s’është e thënë të jetë i vërtetë. Veç kësaj, dëshiroj që edhe të futem paksa në telashe. Dëshiroj që hulumtimi im të jetë një pyetje që s’mund ta shpjegoj, por e cila do të kishte kuptim për mua.

Express: A do të jetë ky bashkëpunimi i juaj i parë me kuratoren e Pavijonit të Kosovës, Kathrin Rhomberg?

Mobi Casa

Halilaj: Kathrine Rhomberg më ka ftuar të jem pjesë e Bienales së gjashtë të Berlinit në vitin 2010, kur për herë të parë kemi pasur mundësinë të punojmë bashkë. Kemi ndarë momente të rëndësishme të besimit dhe mbështetjes. Të punosh sërish me të është një ndjenjë e veçantë. Fatkeqësisht, s’është çudi që artistët dhe kuratorët nganjëherë kanë vetëm një mundësi për të punuar së bashku. Pastaj ndoshta është vështirë të mbajnë kontakte të thella, megjithëse përvoja ishte e mirë dhe do të dëshironim ta përsërisim. Në këtë kuptim, jam shumë i lumtur me vendimin që Kathrin të caktohet kuratore.

Express: Emri juaj s’është i panjohur në skenën e artit europian. Ishit pjesëmarrës në disa ekspozita kolektive, në galeritë e shumë vendeve evropiane. Ekspozitën e fundit personale e patët sivjet, në St. Gallen të Zvicrës. A e bënë pra më të lehtë prezantimin tuaj në Bienale njohja që keni me artin që krijohet në Europë dhe me publikun europian?

Halilaj: Përvojat që i kam falë punës në hapësira dhe shtete të ndryshme janë njëlloj ndihme, ndonëse gjithçka varet nga projekti. Deri më tani, gjithmonë ishte një dëshirë, ajo për të njohur mënyra dhe për të gjetur forma shprehëse. Krejt kjo si pasojë e një hulumtimi të gjatë apo të një ideje që kisha. Me shpresë se edhe këtë herë do të ndodh njësoj, do të doja të rrezikoja dhe të krijoja një tjetër sfidë të madhe.

Express: Sikurse edhe në veprat e tjera, në ekspozitën tuaj të fundit, që titullohej “Kujt i takon toka përderisa pikturon erën?!”, vërehej përdorimi i elementeve të natyrës, dheut dhe drunjve. Madje, në një vepër keni përdorur dheun që e morët nga vendlindja juaj. A është kjo pasojë e asaj që jeni larg vendlindjes, respektivisht, e mungesës që ndjeni për të?

Halilaj: Përdorimi i elementeve natyrore s’ka të bëjë aq shumë me vet materialin. Për shembull, në rastin e Kossterch, ne transportuam 60 tonë të dheut kosovar në Art Basel. Materiali këtu bëhet simbol, metaforë dhe mënyrë për të prekur në çështjet politike dhe sociologjike, si janë migracioni dhe dëshira e shtetit tonë për të garuar dhe për të qenë si të tjerët. Gjithashtu, ideja e shitjes së tokës, me të gjitha ndërlikimet e saj, po ashtu ishte një ironi, për të reflektuar mbi atë se, për t’u integruar ne duhet të nxjerrim shumëçka nga vetja. Ose ironikisht, që të humbim një pjesë të shpirtit tonë, për ta shkrirë atë pastaj me shpirtin e dikujt tjetër.

Express: Keni studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano, ndërkaq jetoni dhe punoni në Kosovë, Itali dhe Gjermani. Një fat të tillë nuk e kanë shumë artistë kosovarë, të cilët ballafaqohen me probleme të shumta. Çka duhet të bëjë një artist i Kosovës për të depërtuar jashtë vendit?

Halilaj: Të ikë jashtë vendit (qeshet). Apo, të paktën, duhet të fillojmë të shohim dhe të veprojmë me një ‘sy ndërkombëtar’.

Express: Përpos që do të merrni pjesë në Bienalen e Venecias, a do të keni edhe aktivitete të tjera gjatë vitit 2013, apo tërë kohën dhe potencialin krijues do t’ia kushtoni vetëm kësaj ekspozite?

Halilaj: Nga mesi i muajit shkurt, në Museum Schloss Moyland do të jetë një ekspozitë grupore. Është shumë e bukur, sepse bëhet fjalë për njërin prej koleksioneve më të mëdha të përhershme të vizatimeve të Joseph Beuys. Përveç këtij aktiviteti, kam menduar që t’i shtyj edhe disa aktivitete të tjera, andaj jam i lumtur që periudha para Bienales është më e lirë. Kjo, ngase dëshira ime është që gjithë energjinë t’ia dedikoj këtij prezantimi. Ndonëse, mendoj se hulumtimi do të jetë njëlloj vazhdimësie edhe për ekspozitën e radhës, që do të mbahet në shtator, në Bruksel, gjegjësisht në Qendrën e Artit Bashkëkohor – Wiels, ku jam ftuar nga Elena Filipovic. Tashmë kemi filluar të mendojmë rreth disa mundësive, meqë Bienalja e Venedikut atëherë do të jetë ende e hapur, prandaj do të ishte e rëndësishme të shohësh se cila do të mund ishte lidhja me të. Pos kësaj, natyrisht se është edhe prezantimi në Kosovë, diku nga fundi i vitit, ku jam ftuar nga Erzen Shkololli.