Arrestimi i zaptuesve të shtetit sjell liberalizimin e vizave
Lëvizja e lirë e qytetarëve lidhet me veprimet e Gjykatës Speciale kundër korrupsionit
“Nuk është vetëm liberalizimi punë e mirë, që do ta sjellë efekti i Gjykatës, por edhe një sërë procesesh të ndërlidhura me perspektivën evropiane të Kosovës, siç është Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe zbatimi i projekteve të ndryshme. Megjithatë, nuk është aq e sigurt se këto gjëra do të rrjedhin sipas planit. Pengesa kryesore gjendet te institucionet e Kosovës dhe zyrtarët e saj të papërgjegjshëm”, shprehet Isa Mulaj
Themelimi i Gjykatës Speciale mund ta përshpejtojë liberalizimin e vizave për kosovarët dhe mund të ndodhë që në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm qytetarët të udhëtojnë në hapësirën Shengen pa viza. Arrestimi i profilit të lartë politikës dhe oligarkëve, që i kanë sjellë dëme të mëdha vendit, është një test që domosdo do të ndikojë në përshpejtimin e këtij procesi.
Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, thotë se puna e liberalizimit të vizave është bërë tanimë proces politik. “Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është shndërruar në proces politik dhe po ashtu dihet se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është duke u bërë dhe kjo u dëshmua në disa raste, kur personat që raportojnë për korrupsion në institucione të ndryshme, përjashtohen nga puna, bile-bile edhe gjobiten. Me këtë realitet në vendin tonë vështirë të thuhet se do të mund të kemi lëvizje të lirë në fillim të vitit 2016”, mendon Bajrami.
Kurse, Albana Merja, nga Grupi për Studime politike e Juridike, thotë për gazetën se këto janë dy procese të ndara nga njëra-tjetra. “Krijimi i Gjykatës Speciale nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Suksesi i Kosovës në këtë proces lidhet ekskluzivisht me përmbushjen e kritereve të përcaktuara në Udhërrëfyes, dhe sidomos me realizimin e 70 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian, të cilat lidhen më së shumti me reformën në drejtësi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Megjithatë, dështimi në themelimin e Gjykatës, natyrisht që do të kishte kosto politike për Kosovën dhe do ta vononte liberalizimin e vizave, për faktin që Kosova do të perceptohej nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian si një vend, që nuk është ende i gatshëm të marrë përsipër dhe të zbatojë detyrimet ndërkombëtare”, tha Merja për “Kosova Sot”.


