KKVITI

Arrestimi i ngutshëm

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Alban Selimi – Arrestimi i kardiologut Shpend Elezi ka ngjallur reagimin e Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës, Kolegjiumit Profesional të Klinikës së Kardiologjisë me Angiologji, Odave mjekësore, Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Federatës Sindikale të Shëndetësisë dhe së fundi, ngjalli edhe debat në Parlamentin e Kosovës. Doktori që njihet si elitë në profesionin e tij specialistik, u mor duarlidhur dhe u shoqërua në stacion policor, për t’iu vendosur masa e arrestit, pasi një vdekje e një pacienteje u bë barrë përgjegjësie për të. Çdo vdekje është e dhimbshme për familjet, por gjithë këta mekanizma që reaguan, e konsideruan të ngutshëm arrestimin e doktor Elezit, si dhe shprehën indinjatë për pasiguri në profesionin mjekësor.

Në një kohë kur korrupsioni në sistemin shëndetësor publik është shumë lehtë i ‘diagnostikueshëm’ , kur arrestimi i shumë doktorëve ‘xheparoshë’ që zihen me para të pacientëve nëpër xhepa nuk i bën përshtypje askujt, reagimi i gjithë mekanizmave pas arrestimit të doktor Elezit, do të duhej ta këndellte gjykatën. Së paku, të shqyrtohej se kush është duke u mbajtur brenda katër mureve. Përveç familjes, kujt i duhet ky person. A ia vlen që për shkak të dyshimeve të një vdekjeje që ka ndodhur para disa vitesh një profesionist të mbahet brenda katër muresh?! Pa dashur që kjo të tingëllojë si ndërhyrje në drejtësi, këtu do të duhej të vlente parimi: Më mirë njëmijë të fajshëm në liri, sesa një i pafajshëm në burg. Kjo derisa gjykata të vërtetojë fajësinë e mbetur zvarrë tash e sa vjet për rastin. Autopsia tha se shkaku i vdekjes së pacientes ishte embolia yndyrore mushkërore. Se a shkaktohet apo jo kjo nga intervenimi invaziv i kryer nga doktori, më së paku i takon ta vlerësojë një gazetari, polici apo gjyqtari.

Por, Kolegjiumi profesional i Klinikës së Kardiologjisë ka vlerësuar se në asnjë rast në botë nuk është raportuar se embolia mushkërore mund të shkaktohet nga koronarografia. Kurse vdekshmëria në procedurat invasive diagnostike kardiologjike, sipas statistikave ndërkombëtare është deri në 0.1%, ndërsa ato terapeutike invazive rreth 1%. Kështu së paku flasin statistikat e Shoqatës së Kardiologëve. Po ashtu sipas rregullave, të gjitha spitaleve të botës, pacientët që i nënshtrohen procedurave invazive, njoftohen për rreziqet e mundshme dhe nënshkruajnë nëse janë apo jo dakord për t’iu nënshtruar një procedure që bart pas vetes edhe pasoja e komplikime, që mund të çojnë edhe në vdekje. E njëjta procedurë kishte ndodhur edhe në rastin e pacientes së ndjerë. Andaj, kjo prangosje si rezultat i një procedure mjekësore duhet të jetë një shkak për komunitetin mjekësor, që të kërkojnë të rregullohet me ligj mbrojtja e tyre. E jo, për një vdekje në suaza dyshimesh, zgjidhje të jenë prangat. S’po flasim për korrupsion. As për gjetje të parave të pacientit në xhepat e mantelës së bardhë. Por, për një përpjekje për shpëtim jete, që ka përfunduar fatalisht, çka edhe parashihet me statistika ndërkombëtare. Ky arrestim nuk ka atakuar vetëm doktorin Shpend Elezi, por gjithë ata profesionistë që i ka Kosova.

Eco Higjiena

Është normale që asnjë profesionist mjekësor nuk do të ndihej komod gjatë kryerjes së një procedure diagnostike dhe terapeutike invazive, nëse vetëm do të mendonte se një komplikim më i vogël do ta çonte në burg. Askund në botë nuk ka garanci për jetën, sikurse nuk ndodhin linçime të mjekëve, për shkak të vdekjes së pacientit. Andaj, mantelat e bardha, përjashtuar rastet e korrupsionit klasik, duhet të mbrohen me ligj nga arrestimet dhe linçimet publike. Përndryshe, asnjë pacient nuk do të ndihej i sigurt në duart e një mjeku që pas daljes nga salla do t’i vendoseshin prangat.

(Autori është Redaktor i Sociales në gazetën Tribuna)