KKVITI

Arita Fejzullahu në Top karierrë

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Nuk i pëlqen ta shikojnë si imazh edhe pse punën e saj si modele e ka ëndërr jetësore. Kështu të paktën ka pohuar bukuroshja nga Gostivari , Arita Fejzullahu. Por çfarë jete bën ajo dhe sa është e lehtë të jesh e bukur te ne shqiptarët, këto e shumë të tjera Arita ekskluzivisht i ka rrëfyer vetëm për lexuesit e gazetës Tribuna…

Tribuna: Arita na trego fillimisht cilat janë angazhimet tuaja?

Fejzullahu: Sapo përfundova ‘fotoshuting’ për Wellnes SPA për hotelin Swiss Diamond. Kam plot angazhime tjera, një javë kam qëndruar në Kosovë, ndërsa të shtunën (sot) udhëtoj për në Norvegji, atje kam po ashtu disa punë, pastaj do të shkoj në Stamboll ku do të punoj me dizajnerin Tarik Edif i cili është sponsori im gjeneral dhe dora ime e djathtë. Në Turqi do ta bëj reklamën për të.

Tribuna: Ke marrë titullin e më të bukurës në Norvegji, cilat ishin peripecitë që ke kaluar gjatë kohës së konkurrimit?

Fejzullahu: Atje është më vështirë se këtu. Ne është dashur vetë të kontaktojmë mediat. Kemi qenë 18 vajza dhe secila nga ne është dashur ta gjejë sponsorin vetë, dizajnerin vetë. Unë kam pas fatin, sepse kam punuar me brende të njohura si Max Factor, Loreal, pastaj klinika të ndryshme SPA dhe Wellnes Center që janë në Norvegji. Kam qenë nëpër të gjitha mediat e mundshme. Këto që i përmenda atje janë të domosdoshme, pasi që ne duhet ta dëshmojmë veten që e duam atë titull dhe jemi të gatshme të punojmë shumë.

Tribuna: Sa të ka ndihmuar ty kjo kurorë?

Fejzullahu: Më ka hapur vërtet shumë rrugë. Nuk e di as nga t’ia filloj se kam aq shumë kërkesa. Jam ftuar të jem e ulur tek emrat më të mëdhenj të modës në Paris Fashion Week. E më janë hapur shumë rrugë tjera që ndoshta pa kurorë nuk do të ishte e mundshme.

Tribuna: A mund të jetohet nga puna si modele?

Fejzullahu: Nëse i ke kontaktet e duhura dhe punon me njerëzit e duhur atëherë normal që ia del të jetosh mirë nga kjo punë. Pastaj unë e bëj që një kohë të gjatë këtë punë dhe kjo është jeta ime dhe nuk mund ta paramendoj ndryshe. Edhe pse unë me profesion jam farmaciste dhe profesionit tim ndoshta do t’i kthehem në atë moment që mua nuk do të më duket më interesant moda, fotografia e gjithë ajo që bëj sot. Por për momentin këtë që bëj sot nuk e ndërroj me asgjë, jam duke shijuar çdo moment, po shëtis botën, po shijoj famën e po takohem me njerëz që kam menduar që nuk do t’i takoj kurrë. Pastaj edhe trajtimi ndaj teje është diçka i veçantë. Nëse flasim tani këtu në Swiss Diamond, vërtet më trajtojnë si mbretëreshë dhe kjo deshe apo jo të bën të ndihesh mirë dhe të jetosh mirë nga ky profesion.

Tribuna: Kush të ka shtyrë t’i hysh botës së shoubizit. Ishte ëndërr e jotja apo…?

Fejzullahu: Është ëndrra ime. Secila vajzë e vogël del para pasqyrës dhe bën si modele, këngëtare, ndërsa unë sot po e jetoj atë ëndërr dhe për këtë i falënderoj shumë prindërit e mi, shoqërinë dhe të gjitha ata njerëz që më kanë qëndruar gjithmonë pranë.

Tribuna: E përmende më herët se momentalisht po shijon famën. Më trego cilat janë të mirat e të këqijat që i sjell fama?

Fejzullahu: E keqja është ndoshta se nuk mund të jesh më e qetë. Unë tash e një javë që jam në Prishtinë i kam ikur mediave dhe nuk kam dalë askund, vërtetë nuk kam pasur nevojë pasi që në hotelin Swiss Diamond i ke të gjitha dhe nuk ke nevojë të dalësh në qytet, por edhe kam dashur të jem e qetë e dua qetësinë dhe këtë fama nuk ta lejon shumë. Ndërsa e mira është ajo që e përmenda; udhëton shumë e takohesh me njerëz që ndoshta dikur i ke pasur idhuj. Unë po e jetoj ëndrrën time. Është një thënie që e dua shumë ‘Nuk mund ta gëzosh gjithë botën duke bërë diçka që duan të tjerët nëse ti nuk je e kënaqur me atë’. Kjo është motoja ime.

Tribuna: Sa të ka rënë të ballafaqohesh me thashetheme që kur je bërë fytyrë publike, a të lëndojnë ato?

Fejzullahu: Në fillim kam reaguar në çdo thashetheme ndërsa tani jo. Normal që disa të lëndojnë por disa tjera të bëjnë të jesh edhe më e fortë. Ky është shoubiz, nëse do të jesh në të, duhet ta dish që do të dëgjosh për vete gjithçka, si mirë ashtu dhe keq. Kryesorja është që ata që e njohin Aritën e dinë të vërtetën.

Tribuna: Shpesh të kanë lidhur edhe me emra të njohur të shoubizit. A ka pasur ndonjë të vërtetë nga ato lajme?

Fejzullahu: Është e vërtetë që ka pasur shumë fjalë. Ka disa gjëra që janë të vërteta aty, por ka edhe disa tjera që nuk kanë të bëjnë me realitetin.

Tribuna: A ka qenë e vërtetë lidhja me Blerim Destanin?

Mobi Casa

Fejzullahu: Nuk kam dëshirë të flas, ka kaluar disa vjet. Po, me të ishte lidhje e vërtetë, por ne i kemi të dy angazhimet tona dhe thjesht nuk ka funksionuar.

Tribuna: Po me Lorik Canën a keni qenë në lidhje?

Fejzullahu: Jo, Lorik Canën e kam shumë shok. Është shumë djalë i mirë. Një të mirë që e ka Loriku për dallim nga Blerimi është se ai edhe pasi që kanë shkruar çdo gjë, ai asnjëherë nuk ka folur keq për mua dhe për këtë e respektoj shumë dhe e kam vërtet mik të mirë.

Tribuna: Sa është e vështirë për një vajzë shqiptare të jetë e bukur?

Fejzullahu: Është pak vështirë por duhet të jesh e fort dhe të dish çfarë do. Në botën e shoubizit ka shumë meshkuj që tentojnë të të njohin, por jo ty si person por atë që e shohin në fotografi. Nuk interesohen kush është Arita si person por kush është Arita si imazh dhe kjo vërtet më pengon.

Tribuna: A mendon që kanë frikë në njëfarë forme meshkujt t’i afrohen një femre të bukur si ju?

Fejzullahu: Disa kanë frikë e disa tjerë jo. Por ajo që unë bëj është gjithmonë mirësjellja për çfardo rasti të jetë ai. Asnjëherë nuk pyes ‘kush je ti nuk të njoh’, gjithmonë them ‘më fal , a ju njoh unë juve’ dhe kjo mendoj se është mirësjellje.

Tribuna: Cilat janë synimet tuaja. A ke ndonjë cak që ia ke vënë vetes në këtë rrugëtim?

Fejzullahu: Kam shumë plane, vërtet shumë edhe janë madhore ato plane. Por nuk do të doja tani të flisja, kur të vijë koha do të flas edhe për to. Ndoshta tani për tani do të tregoj që në muajin mars pres të marrë pjesë në Miss Globe International dhe mund të ju them që jam njëqind për qind e përgatitur për këtë garë.

Tribuna: Dhe në këtë manifestim do ta prezantosh Norvegjinë?

Fejzullahu: Po, prezantoj Norvegjinë, pasi që unë atje e morra titullin. Atje kam lindur dhe atje jam rritur. Me kënaqësi do të prezantoja Shqipërinë apo Kosovën por ja që unë e kam shtetësinë norvegjeze dhe prandaj prezantoj Norvegjinë. Por sigurisht unë asnjëherë nuk e mohoj që jam shqiptare dhe jam nga Gostivari. Thjesht emri dhe mbiemri im tregojnë se kush jam unë. Unë jam krenare që jam shqiptare dhe nuk bëhem tjetër.

Tribuna: Po me ndonjë fotograf shqiptar a punon?

Fejzullahu: Kam punuar me Veton Osmanin dhe ai është bashkëpunëtori im më i mirë. Fotot që ai m’i ka bërë kur kam konkurruar për Miss, kanë qenë ndër më të komentuarat dhe bashkëpunimi me të është gjithmonë kënaqësi për mua. Është i vetmi fotograf që e ndjej veten rehat kur punoj me të, ai e di si ta kap momentin tim.

Tribuna: A je pro operacioneve plastike që tani janë në trend më shumë se kurrë?

Fejzullahu: Jo, jam kundër tyre. Nuk më pëlqejnë aspak. Unë kështu si jam e kam fituar kurorën, pse ta ndryshoj veten. Pse t’u jap njerëzve apo atyre që më pëlqejnë, imazh të rremë. Mund të dukesh mirë edhe me ushtrime e me vetëkënaqësi.

Tribuna: Shumë vajza e djem që janë në botën e modës i kanë hyrë edhe muzikës. A do të shohim edhe ty si këngëtare?
Fejzullahu: Unë e kam bërë një këngë në vitin 2010 me titullin ‘idiot’ të cilën e kam punuar me Bleron. Këngë kjo që e kam shkruar vetë dhe ia pata kushtuar Blerimit. Ka qenë një moment kur kam pasur nevojë të shpreh mendimet e mia dhe si më mirë mundesh përveç kur i shkruan. Këtë e kam bërë vetëm të dëshmoj që unë mund të bëj çka dua dhe askush nuk mund të më ndal. Kjo shkon për ata që më kanë thënë nuk mundesh. Por tani nuk e kam në plan të merrem me muzikë, jam e fokusuar njëherë për njëherë në punën e modelimit.

Tribuna: Për fund, a mendon ndonjëherë të kthehesh në vendin tënd si dhe dhëndrin a do ta kemi shqiptar apo nuk ka rëndësi për ty?

Fejzullahu: (Qeshet) Njeriu që do të kem unë afër për tërë jetën duhet të ketë zakonet e mia. Nuk ka rëndësi a do të jetë mysliman apo katolik, e rëndësishme është të flasë shqip. Ndërsa, sa i përket ku do të jetoj, jetës nuk i dihet. Kryesore është që dhëndri do të jetë shqiptar. (qeshet). Dhe për fund nuk mund mos ta them që Prishtina është shtëpia ime e dytë.