Anarki në Kuvend

Deputetët e partive opozitare sërish kanë bllokuar foltoren e Kuvendit të Kosovës, duke paralizuar për të dytën javë, punimet e legjislativit. Në mënyrë demonstrative opozita është barrikaduar në Kuvend, duke kërcënuar koalicionin qeverisës, se ditëve të ardhshme situata do të eskalojë edhe me protesta në rrugë. Ligjvënësit opozitarë që kanë formuar tashmë “frontin antiqeveritar”, thonë se do të dorëzohet vetëm atëherë kur Isa Mustafa ta tërheqë nënshkrimin nga Marrëveshja e 25 gushtit për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe nga ajo për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ky bllokim i Kuvendit, ka irrituar kryeparlamentarin Kadri Veseli, i cili u dërgoi selam opozitarëve se nuk do të lejojë që institucioni që ai drejton të shndërrohet në teatër ku çështjet zgjidhen me “stupc”.
Fillimisht Kadri Veseli ka dështuar në dy përpjekjet e tij për t’i bindur opozitarët për zhbllokim të punës së Kuvendit. I gjetur në një situatë të tillë në fund u detyrua që të marrë vendim për ndërprerje të seancës dhe të shtyjë seancën tjetër që ishte paraparë të mbahet sot (e premte), duke njoftuar se javën që vjen i mbetet Kryesisë së Kuvendit që të vendosë për hapet që do të ndërmerren për funksionalizimin e punës së Parlamentit./zeri/