Hidromorava

Amerika do t’ua ngrehë veshin liderëve tanë

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Vizita dyditore e ndihmëssekretarit të Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, në fillim të javës, besohet të jetë vërejtja e fundit amerikane në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe në ngritjen e rritjes ekonomike dhe që të tejkalojë sfidat rajonale në dobi të stabilitetit dhe integrimit perëndimor, si dhe të ketë përparim në dialogun me Serbinë.

Analistët politikë ndërkaq vlerësojnë se do të jetë kjo edhe një vërejtje për zhbllokimin e proceseve të mëdha nga kjo kastë e inkriminuar politike, që hallin e vetëm e kanë të mos jenë vetë të përfshirë në listën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale. Andaj, sipas tyre, kjo kastë politike në Kosovë e ka dëshmuar se nuk do të punojë kurrë për shtet, por vetëm për vete dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale si dorë e tyre e zgjatur, që realisht edhe po e sundojnë çdo institucion në të gjitha nivelet e pushtetit.

Po zvarriten punët e shtetit

Analisti politik Skënder Mulliqi për “Kosova Sot” theksoi se sigurisht se shqiptarët patën fatin e mirë që ta kenë tradicionalisht mik shtetin numër një në botë, Amerikën demokratike, se pa këtë shtet zor që sot Kosova do të ishte shtet i pavarur dhe sovran.

Sipas Mulliqit, sigurisht se kjo vizitë do të këtë peshë të madhe për Kosovën, kur dihet së kemi stagnime në politikëbërje, nuk kemi gjendje të mirë të sundimit të rendit dhe të ligjit, jo zhvillim të duhur të ecurive ekonomike, i kemi ende temat e pambyllura, siç janë Demarkacioni dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në veri.

Ai shton se sigurisht të gjitha këto e tema të tjera do të jenë në agjendën e tij.”Kësaj radhe më duket se pas gjithë atyre ndodhive të pamira, me tendencë të shfuqizimit të Gjykatës Speciale, zvarritjes së ratifikimit të Demarkacionit me Mal të Zi dhe mosunitetit lidhur me këto tema, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, Asociacioni, kanë bërë që amerikani Mitchel ta vizitojë Kosovën. Sigurisht së do të kërkojë nga udhëheqja jonë shtetërore që të jetë shumë më serioze dhe mos t’i zvarrisë punët”, u shpreh ai. Shton se ky do të jetë ndoshta rasti i fundit për këtë elitë politike që t’i kryejnë ashtu si duhet punët e shtëpisë.

RCCOLA

Analisti politik Arsim Haziri theksoi për “Kosova Sot” se vizita e ndihmëssekretarit të shtetit të SHBA-së sigurisht se është në funksion të zgjimit të gjumit dogmatik të liderëve kosovarë. Analisti politik Ridvan Emini për “Kosova Sot” theksoi se vizita dyditore e ndihmëssekretarit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Mitchell, në Prishtinë, tregon së pari se Kosova zë vend të veçantë në raportet mes SHBA-së dhe Kosovës.”Në këto takime pritet që të diskutohet edhe çështja e sigurisë në Kosovë dhe rajon, pra ndikimi i Rusisë, lufta kundër krimit ekonomik dhe stabiliteti i politikës së brendshme të Kosovës dhe raportet e fqinjësisë së mirë, përfshirë edhe bisedimet me Serbinë, që besojmë se do të jenë temat me gjasë që do të trajtohen gjatë kësaj vizite”, ka theksuar ai.

Fetahu: Shpresoj se kjo vizitë do të jetë me porosi të qarta

Analisti politik Ilir Fetahu për gazetën “Kosova Sot” theksoi se gjithmonë vizitat e zyrtarëve të lartë të SHBA-së janë një rast i mirë që të shkëmbehen punët, të cilat Kosova duhet bërë dhe kryer.”Edhe kjo vizitë është një rast i mirë që politika kosovare dhe lidershipi i saj të dëshmojnë se Kosova është e gatshme të përmbush obligimet e saja ndërkombëtare”, theksoi Fetahu.

Eksperti i Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për “Kosova Sot” theksoi se vizita e zyrtarit të lartë të SHBA-së në Prishtinë sigurisht se do të jetë një mesazh i fuqishëm për krerët e institucioneve shtetërore të vendit, politikës e parapolitikës. “Sigurisht se janë trinomi fatkeq Thaçi-HaradinajVeseli që e sollën para humnerës dhe Kosova aktualisht sot ndodhet në një nga vendet më të pashpresa të kontinentit, si meritë e këtyre njerëzve gangsterëve që po mundohen ta vënë shtetin në shërbim individual të tyre”, është shprehur ai.”Kemi parë disa aventura të presidentit Thaçi mbi të ardhmen e vendit dhe me këto aventura duanë t’u hedhin hi në sy miqve, tanë duke u munduar ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale, që ishte mesazhi që pikërisht po vinte nga Uashingtoni dhe Brukseli, që tregonte se thjesht nuk ka lojë me SHBA-në, pavarësisht fuqisë që mund ta ketë ky njeri”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo vizitë është edhe një mesazh ndaj një të padisiplinuari në përmirësim e sipër e ky është z. Ramush Haradinaj dhe jorastësisht atij po i bëhen publike skandalet me njerëzit e tij të politikës dhe parapolitikës. “Kosova për fat të keq ndodhet në një pozitë të rrezikshme e të pavolitshme, sepse ka filluar edhe ta shpenzojë buxhetin dhe ky është një mesazh i fuqishëm se këta njerëz duhet të shkojnë në burg nga Gjykata Speciale e disa të tjerë të burgosen për korrupsion dhe hajni enorme për këto dy dekada që i kanë bërën ndërsa një pjesë tjetër e politikanëve duhet që të pensionohen”, është shprehur Kelmendi.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për gazetën “Kosova Sot” theksoi se proceset kanë stagnuar mjaft shumë dhe është betonuar qëndrimi politik pozitë-opozitë. Sipas Burjanit, ardhja e ndihmëssekretarit të Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Mitchel, mund të ndodhë që do të kërkojë në mënyrë të qartë zgjidhjet ose të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

(Kosova Sot)