RCCOLA

Ambasadori në Austri: Florija s’u abuzua, pati përkujdesje maksimale

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Tiranë – “Florije Peci ka pasur kujdes maksimal gjatë kurimit të saj në Austri”. Kështu është shprehur në një lidhje telefonike për “Gazeta Shqiptare”, ambasadori i vendit tonë në Austri, Vili Minarolli.

Ai ka pohuar se qoftë nga ana e autoriteteve austriake, ashtu edhe nga ato shqiptare ka pasur një përkujdesje maksimale për kurimin e 22-vjeçares nga Librazhdi, duke përjashtuar çdo mundësi abuzimi me të. “Ka pasur një përkujdesje maksimale për vajzën, Florije Peçi, si nga pala austriake, ashtu edhe nga ana shqiptare. Është e pamundur që të jetë abuzuar me të”, shprehet ambasadori Minarolli.

Veç të tjerash, ai sqaron se për të folur më shumë rreth kësaj çështjeje, duhet të priten rezultatet e hetimeve të institucioneve përkatëse. “Pas kësaj ngjarjeje, unë ende nuk kam komunikuar me autoritetet austriake, por duhet të them se duhet të mos nxitohemi dhe të presim rezultatet e hetimeve për të nxjerrë konkluzione të mëtejshme”, pohon ambasadori i Shqipërisë në Austri, Vili Minarolli.

Mobi Casa

Ai sqaron se gjatë kurimit të Florijes në Austri, ka kontaktuar disa herë me familjarët e saj. “E kam ndjekur nga afër kurimin e Florije Peçit dhe mund t’ju them se ndaj saj ka pasur një përkujdesje maksimale. Gjatë kohës së kurimit në Austri, kam kontaktuar edhe me familjarët e saj, me vëllain, të cilit i kam kërkuar që të kontaktonte me mua për çfarëdo nevoje që ata do të kishin”, përfundon bisedën e tij, ambasadori Minarolli. 22-vjeçarja Florije Peci u dërgua për kurim në Austri në muajin maj të vitit të kaluar, për shkak të gjendjes së saj të rënduar pas aksidentit në Himarë, ku humbën jetën 13 persona. Peci ndenji në koma deri në muajin korrik, ndërsa u kthye në Shqipëri në muajin tetor.

Por gjatë kësaj kohe, konkretisht gjatë muajit shtator, kur Florija ka qenë për kurim në Austri, me të ka ndodhur diçka e habitshme, pasi ajo ka mbetur shtatzënë, ndërkohë që ka qenë e pavetëdijshme. Kjo është arsyeja se pse pak ditë më parë, vëllai i saj, Gazmend Peci ka depozituar një padi në prokurori, ku thuhet se me 22-vjeçaren është abuzuar seksualisht gjatë kohës që ajo ka qenë duke u kuruar në Austri. Tashmë, Florija është e shtruar në një nga maternitetet e kryeqytetit, në muajin e gjashtë të shtatzanisë, e cila me shuma gjasa mund të ndërpritet, pasi kjo ka qenë edhe dëshira e Florijes.(BalkanWeb)