Fundamenti

Ambasada gjermane i kërkon Kurtit të mos i ndërtojë urat mbi Ibër – e udhëzojnë të investojë në arsim dhe sigurime shëndetësore

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, nga Shkupi sot do të shkojë drejt në Mitrovicë për hedhjen e gurthemeleve të dy urave paralele me atë të urës kryesore mbi Ibër. Këtë lëvizje Kurti po e ndërmerr pavarësisht thirrjeve të Brukselit për përmbajtje. Të njëjtës thirrje i bëri jehonë edhe ambasada gjermane në Kosovë, e cila thotë se “potencialisht” mund të ketë përshkallëzim në veri të vendit. Gjermanët i sugjerojnë Kurtit që ‘burimet e pakta publike’ t’i riorientojnë në sfida shumë më urgjente.

Alma Baxhaku

Ambasada gjermane në një përgjigje për Gazetën Express i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë të Kosovës për përmbajtje në lidhje me ndërtimin e dy urave mbi Ibër – paralelisht me urën kryesore, gurthemeli i së cilave do të hidhet sot pasdite.

“Ne e mbështesim plotësisht thirrjen e Bashkimit Europian drejtuar qeverisë së Kosovës që të përmbahen nga ndërtimi i dy kalimeve të reja të lumit Ibër në Mitrovicë. Në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfida shumë më urgjente”, tha për Gazetën Express Christian Böttcher, zëvendësshefi i Misionit në ambasadën gjermane.

Ambasada e udhëzoi qeverinë në detyrë që në vend të këtyre lëvizjeve t’i investojë paratë në gjëra që e rrisin mirëqenien e qytetarëve.

“Riorientimi i burimeve të pakta publike të Kosovës drejt prioriteteve sociale të vetë qeverisë do të sillte përfitime shumë më të mëdha. Futja e sigurimit shëndetësor universal do të zgjeronte qasjen në kujdes dhe do të mbronte familjet nga kostot e larta mjekësore; rritja e shpenzimeve për arsim në nivelet mesatare europiane dhe rajonale do t’i përgatiste më mirë të rinjtë për tregun e punës; dhe forcimi i rrjeteve të sigurisë sociale do të nxiste kohezionin në të gjitha komunitetet dhe do t’i mbronte familjet nga goditjet ekonomike”, tha ambasada gjermane.

Ajo i kërkoi Qeverisë së Kosovës, që duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, të riorganizojë buxhetin e saj rreth këtyre objektivave të kahershme, duke shtuar se Gjermania do të ndihmojë në këtë drejtim.

“Një ndryshim i tillë do të sillte përmirësime të prekshme në jetën e përditshme, do të përforconte stabilitetin dhe do të hapte rrugën për prosperitet të qëndrueshëm. Gjermania vazhdon të jetë e gatshme të ndihmojë Kosovën në arritjen e këtyre qëllimeve”.

lani për këto ura erdhi menjëherë pas themelimit të Bordit të Përbashkët mes Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Themelimi i këtij bordi u përkrah nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit.

FIDANISHTJA

Më pas Lëvizja Vetëvendosje publikoi projektin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër që lidhin jugun dhe veriun e Mitrovicës.

“Ky projekt do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe do të shërbejnë si infrastrukturë për komunikim, integrim dhe zhvillim ndërmjet dy pjesëve të qytetit”, tha partia e Kurtit.

Në reagim të këtij lajmi, Bashkimi Europian në një përgjigje për Gazetën Express ditë më parë tha se as s’është në dijeni as s’është i përfshirë në projekt

Bashkimi Europian tha se çdo vendim për ndërtim lidhur me këtë urë duhet të bëhet me kujdes dhe duke përfshirë komunitetet.

“BE-ja as nuk është në dijeni dhe as e përfshirë në këtë projekt. Çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse duke përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet e prekura”, ka thënë një zëdhënësi i BE-së për Express.

Ndërtimi i këtyre dy urave u pa si përpjekje nga ana e Qeverisë së Kurtit për të zëvendësuar planin e dështuar për hapje të Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve, e cila s’u përkrah nga bashkësia ndërkombëtare.

Verën e vitit të kaluar në Urën e Ibrit nisën procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve dhe atje u dërguan kamionë me pesha të rënda.

Për hapjen e Urës së Ibrit, ndërkombëtarët kërkuan që ajo të diskutohet në tavolinën e dialogut dhe po të njëjtin qëndrim kishte mbajtur edhe KFOR, i cili është i vendosur në këtë urë.

Megjithatë, këto përpjekje përfunduan pa ndonjë rezultat.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.