Hidromorava

Milionat nga Plani i Rritjes, Kurti u zotua gjatë shtatorit se do të jetë konstruktiv në dialog, Brukseli pret ta shohë në praktikë

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Zotimin për angazhim konstruktiv në dialog me Serbinë dhe zbatim të marrëveshjeve, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka dhënë Drejtorit për Zgjerim të BE-së, Gert Koopman, BE-ja pret që ta shohë edhe të zbatuar në praktikë. Kështu i ka thënë Gazetës Express zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Kurti gjatë shtatorit ka dhënë fjalën se do të jetë konstruktiv në dialog, ndërsa diplomatët kanë thënë se fjalët e tij në Bruksel mjaftojnë që të ekzekutohen pagesat e para.

Shkruan: Besnik Velija

Stano ka deklaruar se e mirëpresin një zotim të tillë të kryeministrit kosovar dhe se presin hapa konkretë e praktikë për ta kthyer një zotim të tillë në veprim.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve. Mirëpresim konfirmimin e fundit nga kryeministri Kurti për përkushtimin e tij për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zotimin e tij për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces për ta çuar shpejt përpara dhe presim hapa konkretë praktik për ta kthyer këtë zotim në veprim”, ka thënë Peter Stano për Gazetën Express.

Zotimi i ri i Kurtit për dialogun lidhet me planin e rritjes nga i cili Kosova pritet të përfitojë një shumë prej rreth 945 milionë euro, por BE këtë e ka kushtëzuar me progresin në dialog ose zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.

Për fjalën e dhënë të Kurtit në Bruksel kishte reaguar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde.

“Ky është një hap kyç drejt shpërndarjes së parë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së”, kishte shkruar Rohde.

Pas këtij zotimi të bërë muajin e kaluar në Bruksel, kryeministri Albin Kurti kishte udhëtuar drejt Nju Jorkut ku edhe kishte takuar emisarët e SHBA dhe BE. Në njoftimin e bërë në “X” pas bisedës me Miroslav Lajcak, James O’Brien dhe Aleksandër Kasanof, Kurti kishte përmendur çështjen e nënshkrimit të Marrëveshjes së fundit Bruksel-Ohër si parakusht për progres të prekshëm.

Fundamenti

Por, BE thotë se nuk nevojitet ndonjë hap tjetër.

Stano për Gazetën Express ka thënë se BE dhe shtetet anëtare e kanë qartësuar se Marrëveshja e vitit 2023 është përfundimtare dhe e detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar për të dy shtetet dhe se nuk nevojitet ndonjë hap tjetër që ajo të hyjë në fuqi.

Zëdhënësi i BE ka theksuar se progresi në zbatim është nevojë urgjente dhe se rruga drejt BE-së e të dy vendeve varet pikërisht nga ajo se çfarë do të ndodh me realizimin e përgjegjësive të marra në Ohër dhe Bruksel.

“Megjithatë, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare ishin në mënyrë të përsëritur shumë të qartë me Kosovën dhe Serbinë, se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është përfundimtare dhe e detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, dhe se nuk kërkohen hapa të mëtejshëm që ajo të jetë në fuqi. Është urgjente të fillohet me implantimin pa ndonjë vonesë të mëtejshme. Progresi në zbatimin e Marrëveshjes tani është i lidhur pazgjidhshmërisht me ecjen përpara në rrugën e anëtarësimit në BE”, ka përfunduar Stano për Gazetën Express.

Progresi në dialog dhe zbatimi i Marrëveshjeve të Dialogut, përfshirë ato të vjetrat, është parakusht për Kosovën dhe Serbinë që të përfitojnë nga miliardat që BE do të japë për rajonin në kuadër të Planit të Rritjes.

Kryeministri Kurti pas takimit që kishte pasur në Bruksel më 20 shtator me Gert Koopman, ishte zotuar për angazhim konstruktiv dhe zbatim të Marrëveshjeve, përfshirë edhe ato të kaluarat.

“Kosova, me këtë, rikonfirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet për angazhim konstruktiv në këtë proces për ta çuar atë përpara shpejt. Në këtë kontekst, Kosova zotohet të zbatojë plotësisht të gjitha obligimet përkatëse që dalin nga Marrëveshja Themelore për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e zbatimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së, kishte deklaruar kryeministri Kurti.

Nga Brukseli për Express ditë më parë kanë konfirmuar se janë në fazën e finalizimit të vlerësimit për Reformën e Agjendave për secilin shtet dhe në rast të një vlerësimi pozitiv Komisioni Evropian do të aprovojë Reformat e Agjendave që janë dorëzuar nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. /GazetaExpress/