Altin Rraklli: Serbia shumë e vështirë, Kombëtarja nuk kishte fat në short
Shqipëria ka gjetur në kualifikueset e Botërorit 2026 ekipe si Anglia, Serbia, Letonia e Andorra.
Duke komentuar shortin ish-futbollisti i Kombëtares Altin Rraklli foli në Euronews Albania, duke theksuar se grupi K i duket i vështirë për Kombëtaren dhe sipas tij goglat nuk ishin treguar shumë bujare.
“Kombëtarja duhet të jetë në gjendje optimale dhe përqendrimi në çdo ndeshje duhet të jetë në 100 %. Vetëm atëherë mund të kesh një shans për të luftuar për vendin e parë ose të dytë në grup, por për mendimin tim nuk kishim shumë fat në shortin e sotëm. Në qoftë se do i marrim ekipet me radhë, Anglia futet në skuadrat më të mira të Evropës kështu që vendi i parë është shumë vështirë për t’u kapur”, deklaroi Altin Rraklli.
Rraklli tha se ky short nuk ishte dashamirës për Kombëtaren ku pas vështërsive që kuptohet që do të ketë ndaj Anglisë dhe rënia në grup me Serbinë sipas tij nuk është avantazhuese.
“Përsëri nuk kishim fat, sepse na ra Serbia në grup, rivali jonë i përhershëm. Unë nuk e përziej politikën me futbollin por Serbia është në gjendje të fitojë me çdo ekip prandaj në këtë sens them që ky short nuk ishte shumë avantazhues për ne duke pasur parasyshë që vend i dytë shkon në PLAY-OFF. Me skuadrat e tjera duhet të fitojmë se në letër janë të lehta por kanë vështërsitë e veta. Shorti mund të kishte qenë më dashamirës për ne pasi ka skuadra në grupet e tjera që realisht janë më të lehta në letër”, tha Rraklli./Indeksonline/