ARKATANA

Alternativa

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Albin Kurti – Aftësia e njeriut për të menduar gjëra që nuk ekzistojnë, që nuk kanë ekzistuar asnjëherë dhe që ndoshta kurrë nuk do të ekzistojnë është thelbësore për përparimin. Kjo aftësi ëndërruese e transformon realitetin në drejtime dhe nivele të paimagjinueshme në kushtet e aktuales. Mundësitë e imagjinatës tonë janë të paimagjinueshme, ndaj e ardhmja është e reja e paparashikueshme më herët.

Në kontrast me këtë, do të mund të thuhej që edhe materia mendon, porse ky është mendimi më i varfër i mundshëm: aq sa lejon rezistenca e materialit. Për shembull, uji ecën aq sa lejohet, ndjek rrugën më të kollajshme me shpejtësinë që i tolerohet. Mirëpo, ndjekja e rrugës më të lehtë është disi mendim aq i varfër sa që s’është më fare mendim. Shkathtësia për e nëpër shtegun më të lehtë, shumë më tepër i përket regjistrit të natyrës së gjërave sesa mendjes e të menduarit, dijes e vetëdijes njerëzore.

Porsa t’i hedhim një vështrim Kosovës së pasluftës, në çdo sferë të jetës politiko-institucionale dhe socio-ekonomike, dallojmë pakrahasueshëm më shumë rrjedha e rrjedhime materiale sesa mendime e ide përparimtare. Ecja e Kosovës është ecje e plogësht sepse, pikësëpari, është ecje sipas plogështisë dhe nga plogështia. Mbase kjo është arsyeja pse në Kosovë, edhe tash që janë bërë më shumë se 14 vjet nga çlirimi dhe më shumë se pesë vjet nga shpallja e pavarësisë, pyetje shumë legjitime për partitë politike dhe politikanët vazhdon të mbetet nëse ato kanë program dhe plan për qeverisje tjetërfare prej asaj që shohim. Vetë pasja e një programi dhe një plani është mrekullia vetë në këtë mjedis të dominuar nga vetë mjedisi, përkatësisht nga inercia apo plogështia.

Në njëfarë mënyre është bërë normale të pyesësh nëse filan partie a politikani ka program e plan qeverisjeje pikërisht pse është normale që ai apo ajo të mos e ketë atë. Mungesa e programeve dhe planeve, si pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së mendimeve dhe ideve, është norma tek ne dhe jo prania e atyre programeve e planeve. Rrjedhimisht, gara midis partive dhe politikanëve është më parë garë personalitetesh e karakteresh sesa garë e ideve dhe mendimeve, e botëkuptimeve dhe qëndrimeve, e programeve dhe planeve përkatëse.

Krejtësisht njësoj shpjegohet edhe mungesa e nënpyetjes se çfarë programi e plani qeverisës ka partia a politikani i caktuar. Duke u përqendruar aq shumë në pyetjen nëse ka apo s’ka program e plan, bëhet çështje e dorës së tretë pastaj se çfarë janë ato konkretisht. Me rëndësi është nëse pati apo s’pati program e plan qeverisës e jo parimet e vlerat, forma e përmbajtja, si dhe orientimet strategjike të tij. Duke besuar disi që nuk ka program e plan, me ç’rast natyrisht që s’ka kuptim të ketë mandej nënpyetje të tjera, porsa thuhet se ka program e plan sërish mungojnë nënpyetjet që, në fakt, janë çështja më thelbësore për këdo që merret a bën politikë e politika. Interesimi për programin dhe planin edhe më tej konsiston në qenien e tyre dhe jo në karakterin dhe përbërjen e qenies së tyre.

FIDANISHTJA

Pasojë e menjëhershme e kësaj dukurie gjithsesi është inflacioni i parashikimeve dhe parashikuesve në Kosovë. Ky inflacion pa dyshim se vjen nga deficiti i planifikimeve. Meqë kemi aq pak plane e planifikim, kemi kaq shumë hamendësime e spekulime. Ata që vetëm parashikojnë të pyesin për parashikimet e tua për të tjerët apo për veten tënde si parti a politikan. Çka do të ndodhë, çka nuk do të ndodhë, ku e kur do të ndodhë, a do të fitosh dhe sa do të fitosh, si e me kë do të fitosh, e të ngjashme sikur këto. Mungesa e programeve dhe planeve konkrete me të cilat, e ndaj së cilave matemi, e ka shndërruar Kosovën në një bastore gjigante. Politika e këtillë duke mos qenë vullnet e koncept, plan e planifikim, punë e angazhim, është degraduar në përfaqësim e ndërmjetësim, në parashikim e spekulim.

Duke i shquar e dalluar çështjet drejt dhe duke marrë anën e drejtë, Lëvizja VETËVENDOSJE! është tërësisht e ndryshme. Ajo në fillim shkroi Manifest ku shprehte dhe përkufizonte frymën e konceptin e një lëvizjeje politike të organizuar rreth idesë së drejtës për vetëvendosje. Më pas ajo u pajis me Program Politik në 100 pika që shpjegonin e përshkruanin prej parimeve e qëndrimeve deri te kritikat dhe qëllimet konkrete të VETËVENDOSJE!-s. Së fundi, kemi avancimin tjetër ku programi dhe plani qeverisës i Lëvizjes sonë janë integruar në një dokument të quajtur Alternativa Qeverisëse, e denjë për t’u quajtur me këtë emër si alternativë ndaj të gjitha qeverisjeve të pasluftës dhe jo vetëm kësaj aktuale, por edhe alternativë në kuptimin politik të kësaj fjale: për herë të parë të kemi qeverisje me ide e mendime dhe jo sundim material sipas materialitetit të situatës. Alternativa Qeverisëse është alternativë e planprogramit ndaj inercisë dhe alternativë e qeverisjes me ide ndaj sundimit material.

Pa dyshim që serviliteti i përgjithshëm i politikanëve kosovarë ndaj burokratëve ndërkombëtarë është në përputhje të plotë me mungesën e ideve dhe mendimeve, të mungesës së programit e të planit qeverisës. Njëmend, kur je servil nuk ke pse të mendosh – zotëria që të dominon e që i shërben, mendon për ty (si instrument që je i ushtrimit të vullnetit të atij). Në kushtin e servilitetit s’ka kuptim të ndërtosh bindje e strategji politike, programe e plane qeverisëse, përderisa je i nënshtruar dhe i varur nga autoriteti sipër teje që të dirigjon (me planet e tij ose me arbitraritetin e tij).

Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mund të shkarkohet nga kjo vegzë: http://www.vetevendosje.org/repository/docs/Alternativa_Qeverisese_VV.pdf. Ky tekst paraqet çerekun më themelor dhe më thelbësor të përmbajtjes së Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes sonë. Nga pyetja dëshpëruese nëse ka program e plan alternativ për qeverisje, Kosova mund dhe duhet të kalojë te nënpyetjet për Alternativën Qeverisëse.