Aliu: Qytetari i Komunës së Gjilanit e ka marrë një mësim të mirë dhe ka për ta mbajtur mend

Gjilan – Shkolla më e mirë është ajo kur mësohet nga gabimet. Qytetari i Komunës së Gjilanit e ka marrë një mësim të mirë dhe ka për ta mbajtur mend. Kjo shkollë po paguhet me katër vite dështim. Prandaj, mbani mend mësimin ka shkruar Avdyl Aliu.
Postimi i plotë:
AUDITIMI është bërë një fjalë “magjike”, të cilën sa herë që e dëgjon i pari i komunës apo dikush nga qeverisja komunale, i kaplon nervozizmi, dhimbja e kokës dhe turpi.
Kur e morëm Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore për vitin 2022, me të drejtë thamë se ky ishte raporti më i keq që nga paslufta e deri më sot për Komunën e Gjilanit.
Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2023, fatkeqësisht, ia mori “epitetin” RAPORTI MË I KEQ vitit 2022.
Tash e kuptuam se nuk ishte viti 2022 e as viti 2023 më i keqi, por më i keqi për momentin del të jetë viti 2024.
E keqja nuk përfundon këtu. E keqja do të vazhdojë me raportin e vitit 2025, siç thonë: “S’keni parë gjë akoma!”
Nuk e thonë kot: “Dita e mirë (ose e keqe) shihet që në mëngjes.”
Fatkeqësisht, që në fillim të kësaj qeverisjeje të mbrapshtë, u pa se çfarë e kishte gjetur Komunën e Gjilanit dhe qytetarin e saj. Nuk ishte kjo mënyra e qeverisjes për të cilën qytetarët i kishin dhënë besimin – ata kishin votuar për ndryshim, por jo për këtë.
Shkolla më e mirë është ajo kur mësohet nga gabimet. Qytetari i Komunës së Gjilanit e ka marrë një mësim të mirë dhe ka për ta mbajtur mend. Kjo shkollë po paguhet me katër vite dështim.
Prandaj, mbani mend mësimin!