“Albumi im” sjell imazhet e Kosovës

Prishtinë – Më shumë se 150 fotografi, që Ismail Gagica ka bërë nëpër gjithë Kosovën, janë përmbledhur në një album luksoz. Në një mijë kopje është botuar ajo që mban titullin “Kosova – Albumi im”.
Liqeni i Kuçishtës në Bjeshkët e Nemuna, lagjja “Nënkalaja” e Prizrenit, Kalaja e Novobërdës, kullat e Kuklecëve në Deçan, Manastiri i Deçanit, Xhamia e Hadumit, një lahutar dhe një hartë janë hyrja e albumit që ka 235 faqe. Autori thotë se me këtë ka pasur synim që të prezantojë më të mirën e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore të shtetit më të ri në Evropë. “Jam munduar të përzgjedh atë që përfaqëson një vlerë, një histori për një rajon”, ka thënë gjeografi Gagica. “Xhamitë, kishat, teqetë, por edhe qytetet që kanë një vlerë për të treguar një kulturë, si Prizreni, fshatrat me kullat e tyre, por edhe malet e liqenet e Kosovës, janë ato që jam ndalur për të fotografuar”, ka shtuar ai.
Fotografitë e Gagicës janë realizuar në pesë vjetët e fundit. E megjithëkëtë, Gagica nuk pretendon se i ka dhënë fund misionit të tij.
“Nuk pretendoj se i kam përfshirë të gjitha pamjet më të bukura të Kosovës, por mendoj se është një fillim i mirë për të vazhduar këtë punë me botime të tjera”, ka thënë Gagica.
“Albumi im” është i ndarë në shtatë kapituj në bazë të rajoneve. Kapitullin e parë e zë Prishtina me rrethinë. Pamje të “Hyjneshës në Fron”, “Ulpianës”, gurë të varreve antike, Manastiri i Graçanicës, Xhamia e Madhe, përmendorja e trimave të Kosovës, tyrbja e Sulltan Muratit, Sahat Kulla, Muzeu Etnologjik, Parku i Gërmisë, Liqeni i Badovcit, e shtatore të shumta, janë disa nga objektet që janë përthekuar në këtë kapitull. Kalaja e Zveçanit, ajo e Vushtrrisë, Ura e vjetër e gurit, Hamami i Gazi Ali Beut, janë disa të tjera që janë përfaqësuar në kapitullin e dytë, atë të Mitrovicës me rrethinë. Kapitulli i tretë i është rezervuar Pejës me rrethinë. Patrikana e Pejës është e para në këtë kapitull, që ka edhe pamje të tjera të natyrës së këtij qyteti. “Gjakova me rrethinë” përfaqësohet nga shumë shtëpi tradicionale të këtij qyteti, nga Çarshia e Madhe, xhami, teqe, kisha, ura të gurit, e sahat-kulla. Një pamje e Prizrenit, e fotografuar nga maja e kalasë së këtij qyteti, është fotografia e parë e këtij kapitulli. Kisha e Shën Premtes “Zoja ndihmëtare”, Teqeja “Helvetia”, “Rrapi i Marashit” janë objekte aty të prezantuara. Kapitulli i gjashtë i është rezervuar Ferizajt me rrethinë, me shpellën e Gadimes e majën e Lubotenit, e objekte të tjera. Gjilani me rrethinë është kapitulli vijues, për t’i lënë vend edhe Kosovës qendrore, Drenicës. Kapitulli i fundit është ai i “Jetës në Kosovë”. Veshje tradicionale, filigranë, ushqime e vegla muzikore janë përfshirë aty. Lulbozhuri e qeni i Sharrit po ashtu janë paraqitur në të.
Krejt këto e bëjnë autorin të besojë se ka bërë një udhëzues të mirë për vendet që mysafirët e huaj, por edhe vendasit mund të vizitojnë në Kosovë. Albumi ka dalë në treg dhe kushton 30 euro. Gagica e di që ky çmim është i lartë, por ka bindjen se do të ishte mirë që atë ta ketë secila shtëpi në Kosovë.
“Albumi është i kushtueshëm, por kam pritur gjatë derisa kam gjetur sponsorë. Tri herë kam konkurruar në Ministrinë e Kulturës, por nuk kam pasur as përgjigje negative madje”, ka thënë Gagica. (koha)