Albina Kelmendi tregon për eksperiencën speciale, mbrëmjen muzikore në Sanxhak
Këngëtarja Albina Kelmendi ka ndarë një përvojë të paharrueshme pas pranimit të ftesës për të kënduar në një event familjar të organizuar në Sanxhak.
Ky eveniment, u shndërrua në një ngjarje mbresëlënëse për këngëtaren, e cila e pranoi ftesën me kureshtje dhe emocion.
Në statusin e saj, Albina shpjegon se ndihmoi të kuptonte më thellë lidhjen e fortë që ka populli shqiptar me atdhenë, pavarësisht se ata flisnin një gjuhë tjetër, shkruan Indeksonline.
Gjatë performancës së saj, ku u kënduan këngë të njohura shqiptare si “Qohu Rexho”, “Oj Zogo” dhe “Gjamadani vija vija”, Albina shprehu emocionet e saj teksa pa se si pjesëmarrësit e Sanxhakut kënduan bashkë me të, duke treguar se gjuha dhe identiteti shqiptar janë ende të pranishëm në zemrat e tyre.
Ajo thekson gjithashtu se mbështetja dhe prania e znj. Amina Nuraj, Kryetare e Këshillit Kombëtar Shqiptar për Sanxhakun, i dha këtij eventi një dimension të veçantë, duke shfaqur forcën dhe unitetin e shqiptarëve, pavarësisht kufijve dhe ndryshimeve kulturore.
Kelmendi përfundon duke shprehur mirënjohjen e saj për emocionet e bukura që mori nga familja Hasanoviq dhe të gjithë të ftuarit e pranishëm në këtë ngjarje, duke e quajtur atë një dëshmi të dashurisë dhe unitetit shqiptar.
Një mbrëmje që Albina do ta mbajë mend për gjithë jetën, si një përvojë që u shoqërua me respekt dhe dashuri vllazërore, dhe që e bëri të ndjehet krenare për rrënjët e saj shqiptare./Indeksonline/