Albian Ajeti kontaktohet nga Slaven Bilici
Sulmuesi kosovar Albian Ajeti (18) ka disa ditë që së bashku me vëllezërit e vet, po ashtu futbollistë, Arlindin (22) dhe Adonisin (18) kanë ardhur për pushime në Kosovë.
Albiani, që me Adonisin janë binjakë, në Kosovë do të qëndrojë edhe pak ditë, para se të kthehet në Zvicër, ku do t’i bashkohet Baselit në përgatitje. Por në Kosovë, Albiani nuk ka pushuar shumë. Nuk u është ndarë për asnjë ditë stërvitjeve. Ai për vrapime e shfrytëzon shtegun e Gërmisë. Përgatitjet thotë se nuk i ka ndalur, pasi synon që shumë shpejt të kalojë në ndonjë kampionat më të fortë se ai zviceran.
Albiani në një intervistë ekskluzive për gazetën ka treguar bisedën që ka pasur me trajnerin e West Ham Unitedit, kroatin Slaven Bilic, shkruan Koha Ditore.
“Për një javë rresht kam pasur bisedë me trajnerin Slaven Bilic. Më ka thënë se në afatin kalimtar të janarit dëshiron të më transferojë. Po të arrihet kjo marrëveshje më ka thënë se do të isha transferimi i vetëm i skuadrës së tij në këtë afat. Ai beson që jam lojtar i talentuar dhe se mund të kem të ardhme të ndritur në Premier Leaguen e Anglisë”, ka thënë sulmuesi i talentuar i Baselit.
Siç thotë Albian Ajeti, Biliq ia ka konfirmuar se për aq vite sa do të ishte trajner i West Hamit, do të ishte edhe ai pjesë e ekipit.
“‘Kam kontratë katërvjeçare dhe po aq vjet do të jesh me mua’. Ky ka qenë premtimi i Biliqit që ma ka dhënë gjatë bisedave të shumta. Ai ka kontaktuar me mua, por ka mbetur që bisedat të vazhdojnë edhe ndërmjet klubeve”. Dëshira e Albianit është që karrierën ta vazhdojë në Gjermani. Ai ngul këmbë se do të ishte më mirë për karrierën e tij një kalim në Gjermani.
Tregon se, pos West Hamit, për të kanë shfaqur interesim edhe skuadra të tjera. Albiani, që me rrënjë është nga Podujeva, po shijon një prej stinorëve më të mirë në karrierë. Sulmuesi sivjet ka pesë paraqitje për skuadrën e parë të Baselit në kuadër të Kampionatit zviceran. Në këto pesë paraqitje, të cilat i vlerëson shumë pozitive, ka shënuar një gol. Sukses më të madh ka pasur në Kupën e Zvicrës me tre gola në tri ndeshje. Këtë stinor Albiani arriti për herë të parë të paraqitej edhe në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve. Ka luajtur edhe në grupe të Ligës së Evropës. Është pjesë e U-21 të Zvicrës.


