Alban Meha reagon për mosthirrjen nga De Biasi
Futbollisti Alban Meha mungon në listën e përzgjedhësit të Shqipërisë, Giani De Biasi, për dy miqësoret e nëntorit që Shqipëria do të luajë kundër Kosovës dhe Gjeorgjisë në datën 13 dhe 16.
Lojtari i Konyasporit shpreh keqardhjen për ftesën e munguar sidomos për sfidën ndaj Kosovës. Në intervistën e tij për ‘Opinion’, mesfushori deklaron se ndihet i zhgënjyer për mos grumbullimin në Përfaqësuese.
“Me mua nuk ka fol askush. Unë nuk di asgjë çfarë bëhet. Kam qejf ta di arsyet”, tha ai. Ju nuk keni folur me De Biasin? “Jo. Unë kam luajtur 12 ndeshje deri tani. Çdo ndeshje kam qene 90 minuta në fushë dhe jam top formë”, tha Meha.
E çuditshme mungesa juaj në këto miqësore? Mos ka ndikuar kalimi nga kampionati gjerman në atë turk, për mos grumbullimin në Kombëtare, gjatë këtyre kohëve? “Nuk besoj. Unë jam dhe më i fortë se kur kam qenë në Gjermani dhe këtu ku jam luaj kundër lojtarëve si Van Persie, Nani, Diego, Podolski …. Unë jam në formë shumë të mirë këtë vit”, thotë Meha.


