Alban Bushi pyetet për lojtarët nga Kosova që po e zgjedhin Shqipërinë, kjo është përgjigja e tij
Futbollistët e rinj kosovarë po vazhdojnë t’i bashkohen Kombëtares U-21 të Shqipërisë.
I fundit që u ftua nga trajneri Alban Bushi ishte Ermir Rashica.
Trajneri i ekipit të të rinjve të Shqipërisë, sot në konferencë për shtyp është pyetur rreth lojtarëve nga Kosova që po zgjedhin të luajnë për Shqipërinë, nëse po e bëjnë këtë pas suksesit të Kombëtares A shqiptare apo nëse është vetë Bushi ai që po ndikon që t’i bindë për t’u veshur Kuqezi, shkruan “Gazeta Express”.
“Mund të jetë ekipi i parë, por nuk mendoj. Ne kemi marrë gjithmonë lojtarë shqiptarë nga Kosova. Nuk po marrim vetëm tani që ekipi A ka rezultate. Është zgjedhja e tyre, ne thjesht i kontaktojmë. Jo për të bërë polemika, por ne thjesht i kontaktojmë nëse ata kanë dëshirë të vijnë të luajnë për Shqipërinë. Është një luks i madh që një lojtar të ketë mundësi të zgjedhë mes dy ekipeve, Kosovës dhe Shqipërisë. Të dyja Kombëtaret janë njësoj. Siç ne na bëhet qejfi kur Kosova ecën mirë, edhe atyre u bëhet qejfi kur Shqipëria bën mirë”, deklaroi Bushi në konferencë për shtyp. /Gazeta Express/