Fundamenti

Alarm nga Zyra Kombëtare e Auditimit: Mbi 360,000 € borxhe dhe dhjetëra prona të uzurpuara në Gjilan

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit, me titull “Dhënia në Shfrytëzim dhe Menaxhimi i Pronave Komunale të Dhëna me Qira në Komunën e Gjilanit (2023–2024)”, evidenton nevojën për ndërhyrje urgjente institucionale në Komunën e Gjilanit. Gjetjet e raportit theksojnë domosdoshmërinë që Kryetari i Komunës dhe Kuvendi Komunal të ndërmarrin veprime konkrete dhe të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, me qëllim garantimin e një menaxhimi të ligjshëm, transparent, të përgjegjshëm dhe efikas të pronës publike, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe parimet e qeverisjes së mirë thotë Bashkim Isufi njohës i mirë i zhvillimeve komunale.

Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që Kryetari i Komunës të ndërmarrë menjëherë masa për përmirësimin e menaxhimit të pronave komunale, duke përfshirë:
• Publikimin e njoftimeve për ankande publike;
• Vendosjen e kontrolleve të brendshme;
• Mbajtjen e evidencave të sakta për çdo shfrytëzues;
• Ndërmarrjen e veprimeve ligjore për mbledhjen e qirasë së pa arkëtuar;
• Ndërprerjen e kontratave të shfrytëzuesve të papërgjegjshëm;
• Kthimin e pronave të uzurpuara ose të shfrytëzuara në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas raportit, për të siguruar zbatim efektiv të masave, Kuvendi Komunal duhet të kërkojë nga Kryetari raportim të rregullt, të detajuar dhe periodik mbi dhënien, zbatimin dhe mbikëqyrjen e kontratave të pronës komunale, si dhe mbi realizimin e një plani konkret veprimi për përmirësimin e menaxhimit të pronës publike.

Në rast të mosveprimeve nga ana e ekzekutivit, Kuvendi duhet të ushtrojë në mënyrë aktive funksionin mbikëqyrës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie.
Raporti nxjerr në pah se menaxhimi i pronave komunale vazhdon të mbetet problematik dhe me rrezik të lartë financiar:
• Në vitin 2023, shfrytëzuesit e pronave kishin borxhe ndaj komunës në vlerë prej 330,998 €, ndërsa kishin paguar vetëm 101,247 € (rreth 31%).
• Në vitin 2024, borxhet u rritën në 363,491 €, ndërsa pagesat arritën 114,554 €, duke dëshmuar një rritje të vazhdueshme të detyrimeve të papaguara.
• Nga kontratat e shqyrtuara, 30 shfrytëzues nuk kishin përmbushur detyrimet financiare, me një borxh total prej 170,397 € në fund të vitit 2024.

UBT

Raporti thekson se, përveç disa njoftimeve formale, komuna nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme dhe efektive për mbledhjen e këtyre borxheve apo për ndërprerjen e kontratave, duke e lënë administrimin e pronës publike në një gjendje të pasigurt dhe duke rritur ekspozimin ndaj humbjeve të mëtejshme financiare.
Gjatë auditimit është konstatuar se komuna ka prona të uzurpuara që nga paslufta. Sipas regjistrit të datës 16.05.2019, janë identifikuar 114 prona të uzurpuara. Megjithatë, ky regjistër nuk rezulton i plotë, pasi gjatë ekzaminimeve fizike janë identifikuar edhe dy prona të tjera komunale që shfrytëzohen nga dy subjekte politike, për të cilat mungon dokumentacioni përkatës dhe evidenca financiare, ndërsa komuna nuk arkëton të hyra nga shfrytëzimi i tyre.

Megjithatë, Komuna e Gjilanit nuk ka miratuar dhe publikuar ende as listën e përgjithshme të pronave të paluajtshme në pronësi komunale, as listën e veçantë të pronave që planifikohen të jepen në shfrytëzim gjatë vitit 2026. Kjo përbën mospërmbushje të drejtpërdrejtë të detyrimeve ligjore të përcaktuara në nenin 13, paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit Nr. 06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Në bazë të kësaj dispozite ligjore, komunat obligohen që:

  1. Të publikojnë deri më 31 dhjetor listën e përgjithshme të pronave të paluajtshme të komunës, si dhe listën e veçantë të pronave që planifikohen për dhënie në shfrytëzim për vitin vijues, duke arsyetuar interesin publik dhe ndikimin në zhvillimin ekonomik të komunës;
  2. Të sigurojnë që lista për dhënie në shfrytëzim të përmbajë të dhëna të plota kadastrale, qëllimin dhe destinimin e pronës, datën e publikimit të njoftimit si dhe periudhën kohore të dhënies në shfrytëzim.
    Mungesa e miratimit dhe publikimit të këtyre listave cenon parimet themelore të transparencës, planifikimit të rregullt, sigurisë juridike dhe llogaridhënies në administrimin e pronës publike.
    Sipas nenit 40 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, vetëm Kuvendi Komunal ka kompetencë ekskluzive për të vendosur për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. Asnjë pronë nuk mund të jepet me qira apo në përdorim pa miratimin paraprak të Kuvendit. Çdo iniciim i procedurave pa këtë miratim përbën tejkalim të kompetencave ekzekutive dhe cenim të ndarjes institucionale të përgjegjësive ndërmjet organit legjislativ dhe atij ekzekutiv në nivel lokal.
    Në funksion të rikthimit të ligjshmërisë dhe transparencës, Kryetari i Komunës së Gjilanit duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe konkrete, në përputhje me nenin 58 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale:
    • Të iniciojë procedurat ligjore për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale që aktualisht nuk kanë kaluar procedura të rregullta;
    • Të përgatisë dhe organizojë ankande publike me kritere të qarta, transparente dhe dokumentim të plotë;
    • Të propozojë për miratim në Kuvendin Komunal listën e plotë dhe të azhurnuar të pronave komunale, me të dhëna të sakta mbi lokacionin, sipërfaqen, destinimin dhe gjendjen juridike;
    • Të sigurojë që çdo kontratë të ketë afat të përcaktuar, detyrime financiare të qarta dhe mekanizma efektivë monitorimi;
    • Të mbikëqyrë Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë për hartimin e një regjistri të detajuar, të integruar dhe transparent të pronave komunale dhe kontratave ekzistuese;
    • Të ndërmarrë masa të menjëhershme për arkëtimin e borxheve dhe, në rast mosrespektimi të kontratave, të procedojë me ndërprerjen e tyre dhe rikthimin e pronës në administrim komunal.
    Këto veprime nuk janë çështje vullneti politik, por detyrime ligjore dhe përgjegjësi institucionale ndaj qytetarëve. Pronat komunale përfaqësojnë kapital publik dhe burim të rëndësishëm të të hyrave për zhvillimin lokal. Çdo vonesë në ndërmarrjen e masave korrigjuese rrit rrezikun e humbjeve financiare, cenon besimin publik dhe dobëson standardin e qeverisjes së mirë në Komunën e Gjilanit.
    Vegeza e raportit: https://zka-rks.org/cms/ReportFiles/2025_76aceb11-a52c-46d4-8cc9-a07f4b9e58d8.pdf