Eko Higjiena

Aktrimi në Bruksel

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Naser Sertolli – Një fotografi e shkrepur në Bruksel pas “arritjes së marrëveshjes”, në të cilën shihet kryeministri serb Ivica Daçiq, si ngadhënjimtar i vërtetë duke kaluar ballëlartë para kryeministrit Hashim Thaçi dhe ambasadorit tonë në kryeqytetin evropian, të cilët rrinin disi si për gjynah, është komentuar shumë në rrjetin shoqëror “Facebook”.

Sipas komentuesve të ndryshëm, fotoja pasqyronte bilancin e takimit të së premtes, e rrjedhimisht edhe të krejt procesit negociator të nisur para gjashtë muajsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, se fotoja tregonte se kush është fituesi e kush humbësi.

Përderisa ende nuk dihet saktësisht se çfarë përmban marrëveshja e parafuar të premten, për të cilën të dyja palët do të deklarohen në ditët e ardhshme nëse e pranojnë ose jo, kryeministri Thaçi me gojën e tij e ka pranuar se “janë pranuar propozimet e Serbisë”, që i janë bërë planit të propozuar nga baronesha Cathrine Ashton për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Edhe nga zyrtarë të Beogradit marrëveshja është parë si fitore e Serbisë, ngase, siç deklaroi zëvendëskryeministri i parë serb, Aleksandar Vuçiq, “në marrëveshje janë pranuar të gjitha kërkesat tona”.

E nga ajo që përmban marrëveshja, të paktën ashtu siç është publikuar në medie, Serbia dhe serbët e veriut të Kosovës nuk kanë marrë pothuaj asgjë më shumë nga ajo që parasheh Pakoja e Ahtisaarit, në bazë të së cilës është shpallur edhe pavarësia më 17 shkurt 2008.

Marrëveshja “historike”, siç u quajt nga dy kryeministrat, në realitet është në përputhje të plotë me planin e ndërmjetësit ndërkombëtar. Ato “propozimet e pranuara” për të cilat mburren liderët e Beogradit janë veç broçkulla, të cilat zor se do të kapërdihen lehtë nga bota akademike serbe dhe nga serbët e veriut të Kosovës.

Uji Dea

Tash është koha e këtyre që ose ta ulin kokën, e të pajtohen me fatin e hidhur që të jetojnë në një “shtet shqiptar”, ose t’i mbajnë përgjegjës udhëheqësit e tyre për këtë lëshim pe – që në Serbi është e barabartë me tradhtinë. Të paktën, kështu është cilësuar secili zyrtar në Beograd, që ka dhënë shenja të heqjes dorë nga “djepi i Serbisë”.

Kurse, roli i kryeministrit kosovar në tërë këtë proces ka qenë ai i një figure të statistit në duart e sponsorëve të projektit të shtetit të Kosovës. Kur i është kërkuar të thotë “po”, Thaçi ka thënë “po”, kur “jo” – “jo”. Kur e ka lypur nevoja të rrijë mazunë, sikur të premten pas “marrëveshjes”, ai ka treguar talent për të cilin shumë aktorë do t’i kishin lakmi.

Pra, kemi parë një politikë “këshe-këshe”. Nga Beogradi këshe iu pranuan kërkesat, e nga Prishtina këshe iu imponuan ato. Në këtë mes, Hashim Thaçi nuk ka pasur nevojë të sikletoset, ngaqë kësaj pune teshat i janë prerë nga tjetërkush.

“Marrëveshja” na do mendja që është ideuar nga Brukseli, me kujdesin më të madh për të parandaluar krijimin e një Republikë Serbe si ajo e Bosnjës, duke e ditur se çfarë telashesh vazhdon t’i sjellë kjo krijesë politike jo vetëm Sarajevës, por edhe Ballkanit dhe tërë Evropës.

Po ashtu, një status special për serbët e veriut të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm, i cili shumë lehtë do të mund ta çonte huq tërë investimin e Perëndimit për ta paqësuar rajonin. Prandaj, Londra, Berlini, Parisi, e sidomos Uashingtoni, duket se nuk janë të gatshëm të shohin rindezjen e zjarrit nacionalist në Ballkan.

Çfarëdo kompetencash ekzekutive, çfarëdo autonomie dhe çfarëdo statusi special për serbët e veriut duhet dhe do të jetë precedent për shqiptarët në Luginë, Mal të Zi, e sidomos në Maqedoni, por edhe për pakicat e tjera kombëtare në vendet e rajonit dhe më gjerë.