Aktivë vetëm kur kërkojnë votat e studentëve

Studentët e Universitetit të Prishtinës janë të pakënaqur me përfaqësuesit e Organizatave Studentore. Sipas studentëve, të zgjedhurit e tyre interesohen për problemet studentore vetëm gjatë kohës kur në universitet mbahen zgjedhjet. Liridon Sadria, student i vitit të tretë të shkencave politike, ka thënë se përfaqësuesit e organizatave studentore duhet të interesohen për ta, sepse për këtë edhe e kanë marrë votën e studentëve.
“Ata asnjëherë nuk interesohen nëse kemi literaturë, cilat janë hallet tona”, thotë Sadria, sipas të cilit në kohën kur mbahen zgjedhjet, janë të njëjtit këta përfaqësues që i lodhin studentët duke iu vardisur, derisa t’i marrin votat e tyre.
“Pas zgjedhjeve më nuk u intereson për ne”, ka thënë prerazi Sadria. Edhe studentja tjetër e Fakultetit Filozofik, Arnisa Ferizi, thotë se studentët që i udhëheqin organizatat studentore nuk interesohen për të drejtat e vartësve të tyre.
Sipas saj, iniciativat e vetme që ndërmarrin organizatat studentore, janë organizimi i shëtitjeve. “Këtu, gjysma e parave u mbesin atyre”, ka thënë studentja duke i akuzuar këtë rast prijësit studentorë edhe për keqpërdorime.
Adnan Thaçi, kryetar i Parlamentit Studentor, nuk pajtohet me akuzat e studentëve. Ai ka thënë se përfaqësuesit e studentëve të Universitetit të Prishtinës po mundohen që të jenë përfaqësues të denjë të studentëve.
“Pa dyshim se jemi në kontakte dhe takime te vazhdueshme thuajse çdo ditë, duke u marrë me problemet dhe gjërat që i shqetësojnë studentët, që pastaj ne si përfaqësues të ndihmojmë në zgjidhjen e tyre, në bashkëpunim me menaxhmentin e Universitetit”, ka thënë ai. Thaçi madje u bën thirrje studentëve, që në rast se hasin në ndonjë problem, t’i adresohen Parlamentit Studentor.
“Nuk do të thosha që ne angazhohemi vetëm në kohën e zgjedhjeve, por jemi të përkushtuar secilën herë për studentët, ngase për këtë edhe funksionojmë”, ka thënë ai.(tribuna)