RCCOLA

Aktakuza ndaj “Babës”, sinjal për zgjimin e gjyqësorit

/ 2 minuta lexim

Deputeti i “Nismës”, Zafir Berisha, ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore, në Prishtinë, për veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, kundër të pandehurit, Enver Hasani, ish-rektor i Universitetit të Prishtinës.

Berisha në një prononcim për “Zërin” thotë se rasti i Hasanit është vetëm fillimi i dallavereve që ai ka bërë në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, ish-Avokati i Popullit pati paralajmëruar organet përgjegjëse për veprimtarin e ish-kryetarit të Kushtetueses. “Imagjinojeni se kush e ka udhëhequr Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë të shtetit të Kosovës.

Pra, kjo është një dëshmi dëshpëruese se objektivat e shtetit të Kosovës i marrin njerëzit e papërgjegjshëm dhe i udhëheqin institucionet e rëndësishme.

Mobi Casa

Sipas meje, ky është fillimi i dallavereve që i ka bërë Hasani në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai. Më tej, deputeti i “Nismës” u shpreh se gjithë zyrtarët e lartë të shtetit që kanë pasur papërgjegjësi, tash apo më vonë, duhet të hetohen.

“E keqja është se pasi po largohen po dalin në shesh gjërat. Imagjinojeni se sa zyrtarë qe 15 vjet nëpër pozicione të ndryshme kanë bërë keqpërdorime të parasë publike. Unë i kam bërë apel Prokurorisë që të “ngrihet nga gjumi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës të pandehurit, Enver Hasani, Hakif Veliu dhe Albert Ragipi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, kanë falsifikuar kontratën origjinale. /Zëri/