Akademikëve u ngushtohet rrethi për të publikuar punime shkencore në revista të rreme

Personeli akademik i Universitetit të Prishtinës që nga fillimi i këtij viti nuk do të mund të arsyetohet se në pamundësi të qasjes në revista shkencore me renome ndërkombëtare ka bërë “gabime”, duke publikuar hulumtime shkencore në revista të rreme, shkruan sot Koha Ditore.
Ata, por edhe studentët e niveleve pasdiplomike që duan të bëjnë hulumtime shkencore me kredibilitet ndërkombëtar, prej fillimit të këtij muaji do të mund të hulumtojnë për punime shkencore në 2.582 revista të fushave të ndryshme, përmes formës elektronike, pasi që UP-ja ka blerë të drejtën e abonimit në to. Qasja në këto revista shkencore i ka kushtuar UP-së 20 mijë euro.
Drejtues të Universitetit kanë thënë se ky është çmim i përgjysmuar dhe i negociuar, pasi që kostoja e abonimit në këto revista ndërkombëtare shkencore është edhe një herë më i lartë sesa kaq.
Prorektori për shkencë në UP, Fetah Podvorica, ka thënë se marrëveshja për shfrytëzimin e këtyre shërbimeve është arritur me 50 për qind të çmimit real, pas një negocimi disamujor nga ana e menaxhmentit të Universitetit.
http://koha.net/?id=27&l=93050