ARKATANA

Ajet Rainca – ushtarak i vërtetë

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Qamil S. Llashtica – Ngase kishte përvojë të madhe luftarake dhe ishte atdhetar i dëshmuem, qeveria shqiptare e emëroi Ajet Raincën komandant dhe përgjegjës për vijën e frontit Preshevë—Bujanovc , ai këtë sektor e mbrojti me trimat e tij deri në momentin e fundit, derisa ishte e mundshme me trimni, heroizëm dhe sakrifica të shumta. Komandant Rainca , përpos trimnisë dhe shkathtësive luftarake përdori edhe mençurinë për të cilën do t’ia kishte lakmi çdo oficer me akademi ushtarake. Këtu ma poshtë po japim nji rrëfim të cilin e kam ndëgjue sa e sa herë në odat e burrave e i cili flet për nji fitore të shkëlqyeshme të luftarëve shqiptarë nën komandën e Ajet Raincës.

Ishte vjeshta e vitit 1944, shqiptarët po i mbronin heroikisht kufijtë verilindor të Shqipnisë nga barbarët sllavë. Bigada e Ajet Raincës ishte vendosun në fushë përgjatë hekurudhës dhe luftarët thoshin asokohe se ,,nji shin asht yni, nji i tyne” .

Në anën tjetër të vijës së frontit ishin vendosun serbët dhe kishin kurdisun artilerinë e tyne. Gjatë gjithë ditës luftarët tanë po ndërtonin istikame [llogore] dhe po i përforconin pozicionet ndërsa komandanti mbikqyrte punën e tyne dhe jipte vërejtje dhe udhëzime të nevojshme . Para se të vinte mbramja çdo gja ishte gati dhe në rregull. Dita ishte e shkurtë dhe shumë shpejt ra muzgu . Kur u errësue mirë komandanti dha urdhën të tërhiqeshin 100 e sa hapa mbrapa dhe të ndërtoheshin llogore të reja. Kjo i hidhëroi bukur shumë luftarët; disa banë mjaft zhurmë ndërsa disa të tjerë shfaqën pakënaqësi të hapur. Gjatë natës filloi ndërtimi i pozicioneve të reja. Ende pa u nda nata e dita e ende pa dhanë ferk mëngjesi –gjëmoi kobshëm artileria serbe, këtë po e priste komandanti Ajet Rainca.

FIDANISHTJA

Ai e dinte shumë mirë se ata gjatë ditës i kishin piketue pozicionet shqiptare. Uluronin topat—bombardim i tmerrshëm dhe i pamëshirshëm ndaj pozicioneve të braktisuna, luftarët tanë po qëndronin në pozicionet e reja të lumtun dhe shumë të gëzuem, ata vetëm tashti po e kuptonin qëllimin dhe madhështinë e urdhnit të eprorit të tyne. Mbasi u zdrit mirë – pushoi artileria serbe, pritej sulmi i tyne dhe pikërisht këtë po e prisnin tashti luftarët tanë. Nuk vonoi shumë dhe sulmi filloi –barbarët vinin me zhurma e me sharje dhe fare të shkujdesun sepse ishin të bindun se aty nuk kishte mbetun kambë shqiptari, nuk e dinin ata se në anën tjetër ishte nji zog shqiptari që ,,e kishte mendjen femën” dhe se ai ,,ta lexonte letrën në xhep”.

Të gjithë tashti e mbanin gishtin në kambëz, skondat ishin shumë të gjatë, tepër të gjatë por pa u ndëgjue krisma e komandantit askush nuk guxonte të shkrepte—ky ishte urdhën . Ato skonda që zgjatën me vjet—kaluen, kur barbarët ishin afrue bukur mirë –atëherë jehoi thekshëm pushka e komandantit, si rêja (rrufeja) në të kthjelltë e në pikë të ditës e në midis të verës…dhe o Zot …tmerr… asnji i gjallë nuk mbeti –e kërkuen për qielli dhe e gjetën për toke. Luftarët shkuen dhe ua mblodhën armët se këto u duheshin shumë ndërsa punën tjetër ua lanë korbave, egërsinave dhe shpendëve të malit./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.