Ahtisari me “bisht”
Nga Milaim Shefkiu – Marrëveshja e parë serioze që u arrit në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave me ngarkesën më të madhe të urrejtjes dhe hasmërisë në Ballkan, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, ngjalli reagime në gjithë rajonin e Ballkanit. Akuzat pasuan menjëherë në të dy krahët, duke i akuzuar aktorët që e vënë “imzanë” në letrën 15-pikëshe, se e shitën Kosovën.
Në Prishtinë e akuzuan kryeministri Thaçi se e shiti veriun e Kosovës, nga shantazhet dhe shtrëngimi i Brukselit. Ndërsa në Beograd po ashtu e akuzuan Daçiqin se shiti Kosovën. Madje këtë të fundit e akuzuan edhe me vrasje, ndërsa një qytetar serb i tha “a po mund të bësh gjumë”. Kjo metaforë natyrisht që ishte e rëndë nga aspekti psikologjik, duke akuzuar si tradhtar. Natyrisht se ai nuk e “gëzon këtë epitet” sepse ka arritur të nxjerr një lloj autonomie për serbët e veriut.
Shikuar nga aspekti emocional, del se dy kryeministrat kanë dalë të “lagur” nga kjo marrëveshje e Brukselit.Kryeministri Hashim Thaçi ka pranuar 15 pikat e planit të baroneshës Ashton, tri nga të cilat tejkalojnë planin e Ahtisarit. Dhe sipas kësaj që u nënshkrua në Bruksel dhe u ratifikua në Kuvend, Ahtisarit iu ngjit një bisht goxha i gjatë.
Marrëveshja e Brukselit nuk do të jetë marrëveshje e paqes, por marrëveshje për serbët, integrimin, zhvillimin dhe amnistinë e kriminelëve atje.
Komandanti i veriut, administrata, zgjedhjet, buxheti e shumë kompetenca të tjera i ka Asociacioni i Komunave Serbe, i kanë serbët. Këta serbë që e kanë sfiduar Prishtinën zyrtare tash e 14 vjet, e do të vazhdojnë ta sfidojnë edhe 40 vjet të tjera.
Por, shikuar nga një aspekt tjetër, nuk ka pasur alternativë përveç bisedimeve për tejkalimin e ngërçit apo krizës në veri. Edhe kryeministri Thaçi besoj që është i vetëdijshëm se në këtë lojë do të ketë fitues dhe humbës. Nuk ka remi. Në lojë dikush fiton e dikush humb.Prishtina i ka fituar dy proceset e kaluara historike, Rambujenë dhe Vjenën, ndërsa marrëveshja e Brukselit ka lënë shumë pikëpyetje, kurse për triumfalizëm absolutisht nuk ka vend.
Nëse pretendohet se me këtë marrëveshje u realizua pajtimi ndëretnik, atëherë ky është një konkluzion i gabuar. Kjo, sepse marrëveshja i dha shans integrimit në BE, por jo pajtimit ndëretnik.
Ahmet Zogu nuk mbahet mend vetëm si mbreti i parë i shqiptarëve dhe si lideri që ka konsumuar më së shumti duhan, ai mbahet mend edhe për një koncesion tjetër që ka bërë me Jugosllavinë. Ai për një favor politik, e ka falur Shën Naumin, njërin nga vendet më të bukura në rajon ku buron Drini i Zi. Për këtë çështje, por edhe për disa kusure të tjera, ai e ka mbajtur epitetin e tradhtarit.
Pra, unë nuk dua të besoj që Hashim Thaçi pas disa dekadash të apostrofohet si “Zogu i Parë”, sepse në veri ka qenë e domosdoshme, ose një marrëveshje paqësore, ose një ndërhyrje e shpejtë me forcë. Kjo e fundit është vërtetuar se nuk ka dhënë produkt, prandaj ka mbetur dialogu si alternativë.
Mirëpo “thembra e Akilit” nuk është veriu. Në normalizimin e raporteve me Serbinë është dashur t’i vihet pikë në këtë proces, duke e përfshirë edhe problemin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Që kjo marrëveshje të ishte historike është dashur të përdoren standardet e njëjta. Nëse këto standarde do të aplikoheshin, nuk ka pasur nevojë të shkohet në dhjetë raunde negociatash. Problemi ishte zgjidhur me një raund ose dy.
Këtu është dashur të aplikohet logjika e Platonit mbi drejtësinë. “E drejta është e kollajshme, por vetëm atëherë kur gjërat i merr nga pozicioni i vetës së parë”. Ato që i ka kërkuar Beogradi në veri, është dashur t’i kërkojë edhe Prishtina për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Serbët e veriut nuk janë apostuj të Jezu Krishtit të kenë të drejta maksimale, ndërsa shqiptarët si njerëz të dorës së dytë ose të tretë me të drejta minimale.
Ky është i njëjti regjion, me një diferencë 100 kilometra, që në Kanada ose Amerikë aq është diferenca nga një fshat në tjetrin.Nëse kryeministri Hashim Thaçi nuk e çon deri në fund normalizimin e raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, atëherë me siguri do ta mbajë një njollë të zezë në historinë e fillimshekullit XXI.


