RCCOLA

Ahtisaari, asociacioni, alternativa

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Petrit Selimi -Në secilën pikë dhe secilën marrëveshje, ishte Serbia ajo që pranoi grimcë për grimcë autoritetin suprem të Kushtetutës së Kosovës në territorin e Republikës së Kosovës.

Ahtisaari ishte një kompromis historik. Pasi që asnjëherë nuk arritëm ta implementojmë në tërësi në të gjitha komunat serbe, nuk ishim të detyruar të ballafaqohemi me paragrafët mjaft bujarë dhe gjenerozë që garantojnë autonomi substanciale komunale si dhe të drejtë për krijimin e Asociacioneve ndërkomunale me fuqi jo-ekzekutive dhe me lidhje direkte me Serbinë. Ka ardhur koha t’i kthehemi dorëshkrimit fillestar që solli pavarësinë.

Zhvillimi ekonomik lokal. Planifikimi urban. Planifikimi rural. Përdorimi i tokës dhe zhvillimi i patundshmërive. Regullativa e ndërtimit dhe standardet e ndërtimit. Mbrojtja e ambientit. Sigurimi i shërbimeve publike si uji, kanalizimet, transporti lokal, rrugët lokale, menaxhimi i mbeturinave. Ndihma e shpejtë. Shkollimi foshnjor. Shkollimi fillor. Shkollimi i mesëm. Shkollimi i lartë.

Rekrutimi i profesorëve dhe administratës. Licencimi i arsimit të lartë. Shëndetësia primare. Shëndetësia sekondare. Licencimi i institucioneve të shëndetësisë. Sigurimi shëndetësor si dhe shërbimet sociale. Shtëpitë e pleqërisë. Jetimoret. Banesat publike. Shëndeti publik. Licencimi i shërbimeve private dhe objekteve të zbavitjes, kulturës, ushqimit, hotelierisë, shitësve të rrugës, pazareve, rrugëve, parqeve publike, taksive, transportit publik. Emërimi të gjitha emrave të rrugëve, avenyve dhe të gjitha hapësirave publike.

Mirëmbajtja e tërë hapësirave publike. Turizmi. Aktivitetet kulturore. Fuqitë e plota për të gjitha çështjet kulturore përfshi promovimin dhe mbrojtjen e gjuhës dhe trashëgimisë serbe si dhe mbështetja për kultet fetare. E drejta e emërimit të drejtorëve të stacioneve policore. Të dhënat kadastrale. Regjistrat civilë. Regjistrimin e votuesve. Distribuimi i asistencës sociale. Mbrojtja e maleve. Si dhe të gjitha të drejtat tjera që nuk janë të rezervuara enkas për fuqitë qendrore të shtetit.

Këto janë të drejtat e komunave serbe sipas Ahtisaarit. Shumë të gjëra. Derisa ruhen autoriteti fundamental komunal i projektuar në trupat bazike si: organet e zgjedhur me vota, buxhetimi komunal dhe aprovimi i akteve ekzekutive, në të gjitha fushat tjera, komunat mund të bashkëpunojnë duke krijuar Asociacione komunash. Kur të duan dhe qysh të duan. Këto asociacione mund të jenë të financuara edhe nga Serbia, të trajnuara edhe nga Serbia dhe me staf ekspertë të punësuar nga Serbia.

Kështu shkruan Ahtisaari dhe kështu thotë Kushtetuta jonë. Kushtetuta ishte kompromis. Një marrëveshje. Një shtrëngim duarsh.

Quajeni dhe besëlidhje nëse ua kë ëndja diskursi më arkaik. Në mes shumicës absolute të popullit të Kosovës të përfaqësuar nga partitë më të mëdha kosovare dhe Grupit të Kontaktit (minus Rusisë). Të gjithë u pajtuan me këtë marrëveshje më 2008 – pos një grupi të vogël asokohe rreth një lëvizje Vetëvendosja. Ju kujtohet se VV i quante lopë ata që negocionin. I quanin edhe tradhtarë. I kërkonin negociatorët “gjallë ose vdekur” në posterë. Lëvizja Vetëvendosja ishte aq kategorikisht kundër Ahtisaarit sa që nxori edhe njerëzit në rrugë në protesta të dhunshme. Dhuna e policëve rumunë shkaktoi edhe dy vdekje të qytetarëve në protesta kundër Ahtisaarit. Perëndimorët por besoj edhe familjarët besojnë se këto dy viktima ishin të kota. Të panevojshme.

Megjithatë, është interpretim besnik dhe i pamohueshëm të thuhet se kjo kushtetutë u pranua nga një shumicë absolute e qytetarëve të Kosovës kur u shpall në formën e Deklaratës së Pavarësisë.

Mobi Casa

Kushtetuta Ahtisariane, si e tillë e pranuar si kontrata jonë interne politike qytetare, me qëllim ka synuar decentralizimin e pushtetit – apo quajeni devolucionin e fuqisë qendrore – apo quajeni autonominë komunale – apo quajeni principin e subsidiaritetit – ngase ky është konsideruar se është kompromisi që duhet bërë me shtetet më të fuqishme të botës sepse (përsëri citat nga Ahtisaari) është dashur të “adresohen brengat legjitime të Serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera që janë pakicë”.

Ahtisaari ishte edhe mënyra e vetme që të integrohet veriu dhe të parandalohet ndarja fizike e një cope të territorit të Kosovës. Ishte mënyra e vetme të parandalohet edhe krijimi i super-regjionit i cili do të kishte kompetenca paralele dhe do ta sfidonte qendrën në fusha të sovranitetit si sigurimi i rendit dhe ligjit, aprovimi i ligjeve, drejtësia, forcat mbrojtëse, kufijtë eksternë. Veriu nuk është Republika Srpska sepse Ahtisaari s’e ka lejuar atë kahje. Ata që i quajnë solucionet që përshkruhen tek Ahtisaari si krijim te një Republike Srpske janë tresojësh: ose janë injorantë totalë të kornizave ligjorë të Dejtonit dhe Ahtisaarit, ose janë oportunistë që kuptojnë mire situatën për qëllimisht u bien daulleve të nacionalizmit ose janë të pasinqertë në analizat e tyre.

Nuk ka pasur në asnjë pikë të deritashme të dialogut me Serbinë pas mendimit të GJND-së dhe Rezolutës së Asamblesë Gjenerale të OKB më 2010 – asnjë pikë e vetme që ka sfiduar apo nuk ka qenë konform Ahtisaarit.

E kundërta është e vërtetë. Në secilën pikë dhe secilën marrëveshje, ishte Serbia ajo që pranoi grimcë për grimcë autoritetin suprem të Kushtetutës së Kosovës në territorin e Republikës së Kosovës. Në marrëveshjen kadastrale u pranua Gjykata Supreme e Kosovës si autoritet final. Në marrëveshjen për autotarga u pranua MPB e Kosovës si autoritet i vetëm që lëshojnë targat. Në marrëveshje për përfaqësim rajonal u pranua se Kosova do të ketë të drejta të barabarta dhe të njëjta në organet rajonale. Në marrëveshjen për dogana u pranua se Kosova është një zonë ligjore dhe doganore. Në marrëveshjen për IBM u pranua se vetëm Kosova ka të drejtë kontrolli kufitar dhe se të gjitha mallrat doganohen dhe tatimohen me ligje kosovare. Se ka kufij në mes Kosovës dhe Serbisë. Në marrëveshjen për hapjen e zyrave, u pranua se me Kosovën duhet shkëmbyer diplomatë. Në marrëveshjet e ardhshme do të shuhen strukturat paralele dhe Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës do të jetë në Mitrovicë veriore. Zgjedhjet do të mbahen në baze të Kodit Zgjedhor dhe rregullave të KQZ të Kosovës. Pushteti lokoal do të jetë i njëjtë si në Shtrpce.

Frikësimi i Kosovarëve se rruga e dialogut po sjell një Republika Srpska nuk besohet as nga vetë kosovarët. Sondazhet flasin se shumica absolute e kosovarëve e preferojnë dialogun si mënyrë më të mirë të zgjidhjes se situatës në verë sepse kjo rrugë është duke dhënë rezultate.

Alternativa është e paqartë. Një miks i nacionalizmit militant, naivizmit romantik dhe analizës iracionale të situatës.

Po të ishim pak patetikë do të thoshim edhe se alternativa dialogut prezent me Serbinë do të ishte edhe thyerje e besës së dhënë më 2008 partnerëve kryesorë të shqiptarëve.

Autori është Zëvendës Ministër i Jashtëm. Opinioni nuk përfaqëson domosdoshmërisht edhe qëndrimin e këtyre organizmave. Për më shumë, përcillni nofkën në Twitter: @petrit