ARKATANA

Ahmeti dhe Gruevski, dy akrepa që tregojnë kohë të kundërta

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Emin Azemi – Përderisa për Ahmetin prioritet mbetet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, për Gruevskin vazhdon të jetë preokupim zbehja e atributeve multietnike të Maqedonisë, duke e relativizuar dhe amortizuar rolin e BDI-së në faktorizimin e temave me rëndësi jetike nacionale për shqiptarët. A do të jenë ata dy akrepa që tregojnë kohë të kundërta, apo do të formojnë një orë të çuditshme për të vendnumruar shanset e humbura të udhëtimit drejt të ardhmes?

Tash, kur sërish do të kemi partnerë të njëjtë bashkëqeverisës që do ta drejtojnë Maqedoninë për katër vitet e ardhshme, kush mund të garantojë që ministrat e ardhshëm të BDI-së do t’i kenë duart e lira të projektojnë politika zhvillimore në viset e banuara me shqiptarë? Nëse në të kaluarën ata paskan qenë si ‘maca nën sofër’, tani me përfundimin e bisedimeve për bashkëqeverisje dhe pas situatës së krijuar në partinë opozitare maqedonase, BDI e ka rastin t’i thotë shkoqur partnerit të ardhshëm, Gruevskit, se Maqedonia nuk është unitare (siç ka qejf ta quajë kryeminstri), vetëm në aspekt të politikave nacionale maqedonase, por edhe në aspekt të shpërndarjes proporcionale të mjeteve buxhetore.

Nëse deri dje nga unitarizmi maqedonas përfitonin Dellçeva, Shtipi, Berova, Kavadarci, pse sot e nesër të mos shtrihet ky farë ‘unitarizmi’ edhe në Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Kërçovë, Kumanovë?. Disa nga këto zona (Likova, Haraçina, Tanusha), madje kanë nevojë për fonde të posaçme, të cilat do të ndikonin sadopak në rigjallërimin ekonomik e social. Negociatorët e BDI-së, pse jo, do të duhej ta dinin se çfarë rëndësie dhe kontributi kanë pikërisht këto zona në rehatimin e tyre nëpër kolltuqe, që do t’ua sigurojë (bashkë)qeverisja e ardhshme. Mos të vijë pastaj puna që atyre nesër t’ua ‘tërheq veshin’ Gruevski, se pse nuk po realizojnë zhvillim në vendbanimet shqiptare.

NATO si alibi, apo si kusht?

Ngecja e Maqedonisë në proceset euroatlantike, asnjëherë nuk ka qenë e kushtëzuar se kush me kënd bën koalicion qeverisës. Nxjerrja e këtyre proceseve, si prioritet për të arsyetuar marrëveshjen e arritur në mes të dy partive fituese tek shqiptarët dhe maqedonasit, që ndodhi para pak ditësh, mund të ketë efekt për konsum të brendshëm, por jo edhe për faktorët vendimmarrës në Bruksel. Prej selisë së BE-së dhe NATO-s, asnjëherë s’është dërguar ndonjë mesazh që do t’i kushtëzonte forcat politike këtu se si të sillen në mes vete, e më së paku si t’i ndërtojnë raportet bashkëqeverisëse. Kushti i vetëm i tyre ka qenë që Shkupi zyrtar të tejkalojë sa më parë kontestin që ka me Greqinë rreth emrit. Zatën ky kontest, e jo kush me kënd do të bëjë koalicion në Shkup, ishte dhe mbetet bileta kryesore që i mundëson Maqedonisë të udhëtojë drejt Brukselit.

Po të ishte varur axhenda europiane e Maqedonisë nga koalicionet e brendshme bashkëqeverisëse, ne tash do të kishim një situatë krejt ndryshe. Sikur kushtëzimet dhe kërcënimet e herëpashershme të BDI-së të ishin marrë seriozisht nga Gruevski, Maqedonia që moti do të anëtarësohej në NATO dhe do të merrte datën për fillimin e negociatave me BE-në. Nëse kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën, ska se si të ndodhë edhe në të ardhmen, kur Gruevski më pak se kurdoherë është i varur dhe i kushtëzuar nga trysnitë e partisë së Ahmetit. Forcimi edhe më i madh i legjitimitetit të Gruevskit në elektoratin e vet, nuk erdhi në saje të axhendës europiane që ai e‘liferoi’ nëpër tubimet parazgjedhore. Ishte pikërisht e kundërta e kësaj axhende me të cilën do t’i bindte votuesit e vet se partia që ai drejton do të jetë shumë më e organizuar dhe etabluar në përkufizimin e imazhit politik, që nuk do të lejonte kurrfarë shmangie nga ajo që ai e quante kauzë nacionale maqedonase.

A po viktimizohen interesat shqiptare?

Tani vimë te kundërthënia fundamentale që e përshkon marrëveshjen Ahmeti-Gruevski. E para, ajo është tepër jotransparente për t’iu nënshtruar një oponence kritiko-publike dhe e dyta (kryesorja), ajo nuk ka një koherencë të brendshme në mes të prioriteteve të njërës, apo palës tjetër. Përderisa për Ahmetin prioritet mbetet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, për Gruevskin vazhdon të jetë preokupim zbehja e atributeve multietnike të Maqedonisë, duke e relativizuar dhe amortizuar rolin e BDI-së në faktorizimin e temave me rëndësi jetike nacionale për shqiptarët. Me fjalë të tjera Ahmeti dhe Gruevski, a do të jenë dy akrepa që tregojnë kohë të kundërta, apo që të dy ata do të formojnë një orë të çuditshme për të vendnumruar shanset e humbura të udhëtimit drejt të ardhmes?

Na duket e paqartë (së paku deri më tani, kur nuk janë dhënë shpjegime më të hollësishme), se si është e mundur që për hirë të proceseve euroatlantike, BDI të heqë dorë nga kërkesat kryesore që i shtronte në fushatë (marrja e një posti të rëndësishëm drejtues të shtetit, ndarja e buxhetit sipas kriterit proporcional etnik, politikë zhvillimore që do të respektonte gjeografinë etnike, zgjerimi-horizontal dhe thellimi-vertikal i statusit të përdorimit të gjuhës shqipe etj.) Nëse çmimi i heqjes dorë nga këto kërkesa qenka anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, atëherë shtrohet një pyetje shumë e logjikshme: Çka i duhet NATO-s një anëtarë i tillë problematik me një thes të madh problemesh të brendshme?

FIDANISHTJA

Cila është ajo politikë racionale, që e arsyeton viktimizimin e kërkesave fundamentale politike të një etnikumi me një anëtarësim, sado strategjik të jetë ai, madje edhe NATO dhe sa kjo politikë është në kundërshtim të hapur me vetë principet e politikave të institucioneve të rëndësishme në Bruksel. Fundja, asnjë funksionar i lartë nga selia e BE-së, apo NATO-s nuk ka kërkuar nga politikanët shqiptarë që të heqin dorë nga linjat kryesore, të cilat do të ndanin kërkesat e arsyeshme dhe legjitime nga inferioriteti banal i politikëbërjes.

Llogaridhënia për efekte të jashtme, duke e vendosur në një peshore të pabarabartë ngarkesën e prioriteteve dhe në dëm të kërkesave fundamentale me konotacion etniko-shqiptar, nëse jo tash, sigurisht nesër do të ketë kosto të pariparueshme politike për partinë e zotit Ahmeti. Çështje e hapur mbetet vetëm se kush do t’i menaxhojë efektet e kësaj kostoje: një zë kritik dhe i arsyeshëm brenda kësaj partie, apo një opozitë tjetër, më e formatuar në pikëpamje demokratike e profesionale? Opozita e tanishme nuk e ka atë kapacitet moral e politik që të kontestojë politikat retrograde të Gruevskit. Ky i fundit kur sillet kështu me një partner që ka legjitimitet gati absolut te shqiptarët, mund ta imagjinoni se çka mund t’i bëjë një partneri “tezgaxhi”, që kauzat private të tij mundohet t’i ambalazhojë me zhurmën e turbo-patriotizmit fluid.

Edhe NATO edhe BE ishin dhe do të jenë pikat referuese të orientimit civilizues properëndimor të shqiptarëve. Por këta të fundit do të kenë shumë arsye të besojnë se institucionet europiane do të kuptimësohen në mendësinë e tyre, vetëm atëherë kur ne do të inkorporohemi atje me dinjitet e jo kokëulur.

Pesha (bashkë)qeverisëse e përfaqësuesve shqiptarë

Merre si ta marrësh, mandati i ardhshëm për ministrat dhe deputetët shqiptarë do të jetë paksa më i vështirë. Jo se pse ata do të ngrejnë ndonjë peshë të rëndë, apo nëpër çanta do të kenë ndonjë libër të trashë për ta lexuar në pauzë, por se pse përgjegjësia e tyre tash e tutje do të dyfishohet. Në njërën anë, ata do të duhej ta demantojnë Gruevskin se janë pikërisht ata që do të kujdesen më tepër për prosperitetin e shqiptarëve dhe në anën tjetër, pozicioni i tyre vendimmarrës do të jetë paksa më i vështirë në kushtet, kur Gruevski po bën çmos që të sigurojë shumicë parlamentare.

Politika, në sensin shumë njerëzor, është profesioni më i vështirë për t’u ushtruar. Gjithë ata që e kanë provuar këtë zeje të rëndë shpesh janë ballafaquar para dilemave që vetëm ata i dinë. Varësisht nga ajo se sa merr nga politika dhe sa i jep asaj, do të quhen të sukseshëm, apo të pasuksseshëm edhe ata që merren me të. Do të ishte naivitet të mendojmë dhe të presim që pikërisht politikanët tanë do të jenë ata të cilët asgjë nuk do të marrin nga politika. Po ashtu, e dimë se edhe në këtë (bashkë)qeverisje nuk do të përfshihen të gjitha problematikat që partitë shqiptare i shfaqën në fushatën parazgjedhore. Po ama, do të ishte e pafalshme që përfaqësuesit tanë të mundohen t’i hedhin publikut hi syve, sepse mënyra dhe cilësia e tyre e (bashkë)qeverisjes do ta vërtetojë këtë. Do të vërtetohet, nëse politikanët tanë janë si gjithë politikanët e ndërgjegjshëm të Perëndimit, të cilët për çdo mëngjes dhe mbrëmje kujtohen se nga u erdhi mandati dhe kush i uli ata në kolltuqet e buta, ose nëse me lehtësi marramendëse do ta bëjnë ‘rrush e kumbulla’ besimin e popullit.

Praktika e deritanishme ka dëshmuar se anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar vinë si propozime nga pjesëmarrësit e koalicionit dhe deri më tani nuk ka ndodhur që shefi i kabinetit të ketë kontestuar ndonjë emër. Me fjalë të tjera, kryeministri duhet të pranojë çfarëdo kuadri që ia servon partia partnere bashkëqeverisëse. Mirëpo, shtrohet pyetja: a do të duhej të pranojnë ata që kanë votuar partinë fituese, çfarëdo kuadri? Do të jetë ai një i punësuar i radhës që do ta merr rrogën si krejt nënpunësit e këtij shteti, apo do të jetë ndonjë kuadër i dëshmuar në fushën e tij, diploma e të cilit do të jetë imune ndaj çdo softveri antipirat. Imuniteti i dyfishtë i këtyre kuadrove, në njërën anë moral e qytetar dhe në anën tjetër, professional do të jetë garanca më e mire, se në të ardhmen nuk do të përjetojmë poshtërime në stilin e spotit publicitar parazgjedhor të Gruevskit, i cili gjithë mangësitë e veta për të udhëhequr politika zhvillimore të përgjithshme për gjithë territorin e shtetit, ua transferoi ministrave shqiptarë dhe partisë prej nga vinin ata.

Se çka ka të përmbajë platforma (bashkë)qeverisëse askush për momentin nuk e di, por a do të inkorporohen pikërisht ato tema që do ta arsyetonin mandatin e ardhshëm (bashkë)qeverisës, kjo mbetet të shihet dhe të analizohet në të ardhmen.