Agani mjekëve, mos ikni nga Kosova

Ministri Agani ka deklaruar se brenda këtij muaj në Kosovë do të ketë një situatë tjetër në shëndetësi, ku të gjithë do të paguajnë për shërbimet shëndetësore.
Ministri kosovar i Shëndetësisë, Ferid Agani e konsideron të rëndë gjendjen në shëndetësisë kosovare. Kjo gjendje, sipas tij, po vështirësohet edhe si pasojë ikjes së mjekëve jashtë Kosovës, në mungesë perspektives. Edhe pse Ministra e Shëndetësisë nuk ka fuqi për t’i ndalur ata, ministri Agani në një intervistë dhënë për “Albinfo.ch”, bën thirrje për mos-ikjen e “trurit” nga Kosova.
Agani flet edhe për gjykimin e ish-zyrtarëve të MSH-së për dobësi menaxheriale, ndërsa thotë se sistemi shëndetësor në Kosovës po funksionon në kufijtë e mundësive reale.
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës po e zhvillon një vizitë katërditore në Zvicër, me qëllim që të marrë mbështetjen, por edhe eksperiencën e shtetit zviceran për Fondin Kosovar të Shëndetësisë, që do të nisë së shpejti të funksionojë.
albinfo.ch: Këto ditë po zhvilloni vizitën e parë zyrtare në Zvicër në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë, keni realizuar takime me zyrtarë të lartë shëndetësor. Çfarë mbështetje konkrete keni marrë nga Zvicra për shëndetësinë kosovare?
Ferid Agani: Kemi zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të shëndetësisë zviceranë me Paskal Strupler, drejtor gjeneral i Zyrës Federale të Shëndetësisë në Konfederatën Zvicerane. Me të i kemi shqyrtuar aspektet e ndryshme të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, sepse dy shtetet i lidhin shumë aspekte në fushën e bashkëpunimit duke pasur parasysh numrin e madh të bashkëkombësve tanë në Zvicër.
Fondi publik shëndetësor i Kosovës mund të jetë i rëndësishëm, por gjithashtu është biseduar si mundësi që shteti zviceran të merr pjesë aktive në zgjidhjen e disa problemeve akute me të cilat përballet shëndetësia e Kosovës në këtë fazë parapërgatitore të fillimit të reformave të sistemit shëndetësor.
Ndër projektet konkrete që u imponuan si të mundshme në këtë bashkëpunim është çështja e trajnimit të kuadrit në Zvicër dhe po ashtu shkëmbimi i ekspertëve në lami të ndryshme profesionale nga QKUK-ja në institucionet zvicerane. Ndërsa takimi me Kurt Kuns, zëvendësdrejtor gjeneral dhe kryesues i Departamentit për Bashkëpunim me Evropën Lindore në Agjencinë Zviceran për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SDC) ka qenë vazhdimësi e takimeve me zyrtarë të kësaj agjenci të rëndësishme për Kosovën, i cili ka kontribuar shumë në shëndetësinë kosovare, në veçanti në lëmin e shëndetit mendor, por kanë kontribuar edhe sferat tjera të jetës shoqërore në vend. Konkretisht ata janë në fazën e elaborimit të projektit të ardhshëm 5 vjeçar të bashkëpunimit me Kosovën. Ky takim ka qenë i rëndësishëm që ata të vendosin që një pjesë e donacioneve në periudhën 5 vjeçare të shkojë në sektorin e shëndetësisë. Konkretisht kemi folur për angazhimin e Zvicrës në procesin e themelimit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Albinfo.ch: Pse zviceranët janë të interesuar të ndihmojnë në krijimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore?
Ferid Agani: Ne kemi dy kategori të sigurimeve, sigurime shëndetësore dhe sigurime invalidore pensionale. Këto të fundit nuk kanë qenë subjekt i takimeve tona se nuk janë në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Por, për sigurimet shëndetësore, zviceranët janë të interesuar të ndihmojnë ngase shumë qytetarë që janë bashkëkombës tanë, i shfrytëzojnë shërbimet shëndetësore në Kosovë. Ata janë të interesuar këto raporte të jenë të rregulluara. Deri tash ka pasur shumë probleme ngase institucionet kosovare të shëndetësisë kanë funksionuar duke reflektuar gjendjen e emergjencës. Institucionet nuk pasur as çmimore të shërbimeve, as nuk ka funksionuar në bazë të kontratave, por çdo shërbim është ofruar falas dhe pa pagesë. Natyrisht se me reformat, të cilat do të fillojnë pas miratimit të ligjit të shëndetësisë, brenda muajit do të kemi një situatë tjetër, ku të gjithë do të paguhen në një mënyrë për shërbimet e ofruara shëndetësore. Natyrisht edhe qytetarët që janë në Zvicër dhe kanë sigurime shëndetësore në këtë shtet mund t’i shfrytëzojnë këto shërbime edhe në Kosovë duke i kompensuar nga fondi ku i kanë ata sigurimet. Ne duke parë nevojën e përvojës së tyre që kanë me sigurime shëndetësore tepër të zhvilluar, ndonëse sistemi ynë shëndetësor do dallojë prej tyre se ne do të kemi Fondin Publik të sigurimeve shëndetësore, por megjithatë përvoja e tyre në këtë lami është shumë me vlerë. Ne ishim të interesuar të kemi këtë ekspertizë zvicerane në themelimin e Fondit Publik shëndetësor në Kosovë.
albinfo.ch: A mund të konsiderohet kjo vizitë edhe në kuadër të mobilizimi të potencialeve që i ka Kosova jashtë vendit konkretisht ne Zvicër, për zhvillimin e sistemit shëndetësor të vendit?
Ferid Agani: Njëri prej synimeve tona është që i tërë potenciali profesional shkencor që e ka shëndetësia e Kosovës jashtë vendit që për shkaqe të ndryshme, si në mungesë të zhvillimit profesional janë duk jetuar nëpër vendet e ndryshme të Evropës, që këto resurse t’i kthejmë mbrapa në vend. Dhe konkretisht tashmë janë duke u zhvilluar disa projekte në Kosovë, ne kemi filluar me shërbimet onkologjike, kemoterapeutike, trajtimin radioterapeutik edhe me rrezatimet e sëmundjeve malinje. Shumë shpejt do të fillojmë edhe me operacione në zemër të hapur në QKUK. Prandaj për këtë na duhet ekspertizë. Në një takim me Barba Burin, anëtare e Bordit të Asociacionit “Solidar” që është dhe përgjegjëse e projektit Diaspora për Zhvillim, biseduam për mundësitë e ndryshme në këtë drejtim dhe u dakorduam që Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me këtë program të fillojë organizimin e një shoqate, e cila do t’i mbledh mjekët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, të cilët në mënyrë të organizuar do të viheshin në funksion të zhvillimit të projekteve të ndryshme në Kosovë. Angazhimi i këtyre resurseve do të shënojë një hap shumë pozitiv në zhvillimin e shëndetësisë së Kosovës.
albinfo.ch: Por derisa bëni përpjekje për kthimin e trurit ne Kosovë, atje për çdo ditë f po ikin mjekët?
Ferid Agani: Në kohën kur e kam marrë Ministrinë e Shëndetësisë me të vërtet ka pasur trende negative. Në atë kohe ka qenë e pamundur të mendohet për kthimin e trurit profesional shëndetësor nga jashtë në Kosovë. Por, jemi munduar që të hapim perspektiva që janë duke penguar ikjen e mjekëve tanë nga Kosova. Nuk kemi statistika të sakta se këto lëvizje janë krejt individuale. Shkojnë nëpërmjet shoqatave të ndryshme. Edhe pse këto të fundit e pengojnë zhvillimin e shëndetësisë, ne nuk kemi mekanizma për t’i penguar ato. Megjithatë nuk bëhet fjalë për numra dramatik. Nuk bëhet fjalë për qindra mjekë, por për disa dhjetëra, jo për ma tepër. Ne me veprimet që i kemi marrë në ministri që një vjet e gjysmë dukshëm kemi ndikuar në ndaljen e këtij hovi. Sepse njëra nga arsyet se pse mjekët kanë ikur jashtë, ka qenë mungesa e zhvillimit profesional. Me vite të tëra nuk është ndarë asnjë specializim, nuk kanë pasur mundësi të punësohen as si mjek dhe të kyçen në programet e specializimit.
albinfo.ch: Nga tjetër statistikat flasin për mjekë të papunë në Kosovë?
Ferid Agani: Për këtë flasim për numra konkret. Në Kosovë deri para një muaji kanë qenë të papunë 150 specialistë, prej tyre 65 specialistë i kemi punësuar. Muajin e kaluar ka përfunduar konkursi. Aktualisht janë të papunë 80 deri në 90 specialistë. Ndërsa me veprimin kryesor që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e largimit të mjekëve stomatologëve dhe farmacistëve jashtë vendit është se, kemi lejuar 503 specializime për 1 vit e gjysmë në lami të ndryshme. Dhe me këtë e kemi ndalur dukshëm këtë hov të largimit të mjekëve, dhe i cili drejtpërdrejt ka ndikuar në cilësi të punës profesionale dhe zhvillimin e resurseve njerëzore. Nuk ka të keqe në mobilitetin e ngritjes profesionale, por ikja e mjekëve e ka të keqen nëse ai largim është i përhershëm dhe atëherë shteti humb shumë. Krejt reforma zgjedhore që po bëhet në sistemin shëndetësor ka për qëllim të krijojë kushte shumë më të mira për mjekët tanë që të ngelin në vendin e tyre që ta gjejnë të ardhmen e tyre profesionale dhe shkencore në vend, e jo jashtë vendit.
albinfo.ch: Në çfarë gjendje është shëndetësia, është raportuar që në QKUK nuk ka barna?
Ferdi Agani: Në QKUK ka ndodhur një mungesë transitore e barnave dhe mjeteve harxhuese për shkak të vështirësive të mëdha që i kemi brenda Ministrisë së Shëndetësisë. Ju e dini se para një periudhe kohore një numër i zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm janë paraburgosur dhe janë në procese të gjykimit. Dhe, kjo ka shkaktuar një shkëputje në zinxhirin menaxherial, i cili ka reflektuar në vështirësi në lëshime të cilat tash po manifestohen me mungesë te planifikimit me kohë të nevojave. Por, informacionet e fundit flasin se QKUK është furnizuar gjatë vikendit me të gjitha mjetet e nevojshme. Nuk është çështja që mungojnë barnat, por ka qenë një diskrepancë mes planifikimit dhe furnizimit. Gjendja shëndetësore është e tillë çfarë lejojnë kapacitetet financiare. Të financohet një sistem shëndetësor për 2 milionë banorë për 130 milionë euro është gati e paimagjinueshme. Duke i përfshirë të gjithë punëtorët shëndetësor, në funksionojmë në kufijtë e mundësive reale. Prandaj në krahasim me sa financohet shëndetësia e Kosovës është në gjendje të shkëlqyeshme. Natyrisht, këtu nuk i përjashtojmë dobësitë e shumta menaxheriale. Funksionimi edhe i sistemit privat, të gjitha këto kanë ndikuar të rëndohet edhe ashtu gjendja e vështirë shëndetësore në Kosovë. Ligji i ri i shëndetësisë dukshëm do të ndikojë në përmirësimin e kësaj gjendjeje.
albinfo.ch: Cili është roli i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës për shërimin e pacientëve kosovarë jashtë vendit. A është biseduar në këto takime për këtë çështje, kur dihet se në Kosovë vazhdimisht rritet numri i atyre që kanë nevojë për shërim jashtë vendit?
Ferid Agani: Gjithmonë do të kemi nevojë që disa sëmundje dhe shërbime të merren jashtë vendit. Natyrisht, Zvicra dhe Gjermania janë vendet që preferohen nga kosovarët për shërim. Edhe kjo është biseduar në këto takime me zyrtarë zviceranë. Intenca jonë është që disa pacientë t’i dërgojmë jashtë vendit, por edhe ata që dërgohen ne e kemi programin e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e tyre jashtë vendit. Qe nëpërmjet këtij programi i dërgojmë në mënyrë të organizuar. Pas themelimit të Fondit për zhvillim shëndetësor si pjesë e dytë e reformës shëndetësore brenda këtyre dy viteve, atëherë situatën do ta kemi edhe më të lehte ngase do të kemi më shumë mjete në dispozicion. Ky dërgimi do të bëhet nëpërmjet kanaleve të kontraktuara me institucionet të caktuara shëndetësore.