Eko Higjiena

Agani e Haziri të kënaqur me punën e njëri tjetrit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Labinotë Demi-Murtezi, kanë zhvilluar sot një takim me ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani dhe kabinetin e tij, të cilin e ka njoftuar për veprimet e ndërmarra për 3 muajt e fundit në sektorin e shëndetësisë.

“Është nderë i veçan që sot të kemi ministrin Agani në Gjilan. Së bashku me drejtoreshën e Shëndetësisë, Labinotë Demi-Murtezi, ne e njoftuam ministrin për veprimet e ndërmarra për këta tre muajt e fundit. Ne e kemi skanuar gjendjen, i kemi identifikuar problemet mbi shëndetësinë primare, dhe natyrisht për problemet tjera sociale dhe do të kemi kujdes të veçantë”, ka thënë Haziri pas takimit.

Ai tha se me iniciativën e drejtoreshës Demi-Murtezi, tashmë do të themelohet zyra për përkujdesje të fëmijëve të rrezikuar dhe nënave, në mënyrë që kujdesi i Komunës të jetë jashtëzakonisht i madh.

“Jemi të nderuar që ministri si bartës i reformave shëndetësore, po e përmbyllë gati një proces jashtëzakonisht të madh, ku edhe ne si Gjilan, si Komunë, si Spital Regjional dhe si QKMF dhe si shëndetësi primare, do të kemi mundësi me qenë konkurrues, përfitues dhe do të jemi ata që e marrin mbështetjen e ministrit dhe të Ministrisë së Shëndetësisë në përgjithësi”, tha Haziri.

Ndërsa ministri Agani, ka falënderuar kryetarin Haziri për përkushtimin e madh për ta funksionalizuar sektorin e shëndetësisë.

KKGJILAN

“Qysh prej muajve të parë të mandatit, po shihet një seriozitet në qasje i kryetarit Haziri, një seriozitet në përpjekje për të integruar shërbimet e kujdesit parësor shëndetësor që janë në kompetencën e organeve komunale me shërbimet e nivelit dytësor dhe tretësor”, tha ministri Agani.

Ministri Agani theksoi se e ka njoftuar kryetarin Haziri për sistemin e reformës së sistemit shëndetësor në të cilat gjendemi për momentin, për mundësitë e avancimit të shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor etj.

Agani tha se gjatë takimit është biseduar edhe për aspektin e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit.

“Ministria e Shëndetësisë pret nga qytetarët e nga Komuna e Gjilanit një zbatim sa më të madh të këtij ligji, si vërtetim i vlerave të larta qytetëruese”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pas takimit me kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin.

Ministri Agani ka vazhduar vizitën në drejtorinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera shëndetësore./rajonipress/