KD-gjilan

Abdixhiku: Thirrja e Jasharëve kumbon edhe sot, për bashkim, atdhedashuri e angazhim të drejtë

/ 4 minuta lexim
KD-gjilan

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha të enjten në Kuvendin e Kosovës tha se në historinë e njerëzimit, si në historinë e kombeve, ka momente kur koha duket sikur ndalet dhe një popull përballet me vetveten.

“Janë çaste të rralla kur historia nuk rrjedh më si një vazhdimësi e zakonshme e ditëve që koha si mban në mend, por përqendrohet në një provë të madhe morale.

Këto prova të thella morale shtrojnë një dilemë sa të thjeshtë aq dhe të rëndë për gjenerata; dilemën dhe pyetjen se për çfarë është një popull i gatshëm të jetojë; dhe çfarë është i gatshëm të sakrifikojë?

Në ato çaste, popujt nuk maten më me numra, as me territore edhe më pak me fuqi luftarake; ata maten me shpirtin e tyre, me gatishmërinë për të mbrojtur atë që e konsiderojnë të shenjtë. Më të shenjtë se vetën e tyre”, tha ai.

Sipas tij, në çaste vendimtare, historia kërkon njerëz që janë në lartësinë e saj, njerëz që e kuptojnë se jeta e tyre nuk u përket më vetëm atyre; por është e destinuar për një fat më të madh kombëtar.

“Ata janë njerëz që ndoshta lindin si të gjithë të tjerët, jetojnë si gjithë të tjerët, por që në momentin e provës epokale, ngrihen mbi frikën, mbi instinktin e mbijetesës dhe bëhen bartës të një përgjegjësie më të madhe se vet jeta e tyre. Pra, thënë shkurtë sakrifikohen!

Tani, sakrifica është akt madhështor. Në fakt, është akti më madhështor që qenia njerëzore – në tokë, por dhe në raportin e saj me hyjnoren, pra me vet Zotin – arrin ta ndërtojë”, tha Abdixhiku.

UBT

“…Dhe pikërisht këtë – kuptimin për çfarë jemi të gatshëm të jetojmë dhe çfarë jemi të gatshëm të sakrifikojmë – atë dilemë të madhe morale, na e mësoi dhe zgjodhi një familje shqiptare, familja Jashari në marsin e vitit 1998, në Prekaz. Ata thanë, ne jemi të gatshëm të flijohemi; dhe nëpërmjet këtij akti, na krijuan ndërgjegjen kombëtare për luftën tonë çlirimtare!

28 vjet më parë, mes thirrjeve monumentale të brezave nëpër histori, në familjen Jashari, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe 56 anëtarë të familjes, të afërm e bashkëluftëtarë, ranë në altarin e lirisë duke i dhënë vendit jo vetëm një histori sakrifice por dhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një rrugëtimi që s’mund të ndalej më”, tha kryetari i LDK-së.

Tutje, kryetari i LDK-së tha se kënga tek shqiptarët lind në momentet më të rënda dhe në momentet më të mëdha.

“Ajo është mënyra se si një popull i thotë botës se nuk është thyer. Se shpirti i tij është i lirë. Në këngë shqiptarët kanë ruajtur kujtesën e tyre, dhimbjen e tyre, por edhe krenarinë dhe shpresën për të nesërmen. Prandaj kur një shqiptar këndon në momentin e fundit, ai nuk i këndon fundit të tij. Ai i këndon jetës që vazhdon, brezave që do të vijnë dhe lirisë që ende nuk është arritur, por që tashmë është destinim historik.

Dhe Adem Jashari, i pari, në ato çaste, po i këndonte pikërisht këtij destinimi historik. Ai po i këndonte një fillimi të ri. Një fillimi për popullin e tij, për fëmijët e tjerë të këtij vendi, jo të tij e të familjes së tij, dhe për Kosovën që do të lindte, e lirë, nga ajo sakrificë.

Dhe kjo thirrje e tij, u dëgjua në gjithë Kosovën. Ajo u bë motiv i djemve e vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në rreshtimin më të madh historik të vendit, u sakrifikuan në vet themelin e shtetit tonë të ri. Komandanti i rënë i tyre, kishte lënë ndjekës që do t’i ndërtonin historitë më të bukura të vendit tonë”, u shpreh kreu i LDK-së.