Fundamenti

AAK: Ta rrëzojmë qeverinë e kamuflazhit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Partia e Ramush Haradinajt të enjten në seancën plenare të Kuvendit iu është “përgjëruar” dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që ta nënshkruajnë mocionin e votëbesimit të iniciuar për rrëzimin e qeverisë Thaçi.

Megjithatë, AAK-ja tha se nuk do të procedojë me mocionin pa qenë të sigurt se do t’i kenë 61 votat e ligjvënësve. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini tha se partnerët e koalicionit nuk e kanë më shumicën në Kuvendin e Kosovës, prandaj, sipas tij, me mbështetjen e dy subjekteve opozitare shumë lehtë mund të rrëzohet kjo qeveri.

“Ne mendojmë se është koha tash me rrëzua qeverinë dhe ndryshimi është i nevojshëm, sepse nesër mund të jetë vonë”, ka thënë ai. Gjini ka përmendur disa nga arsyet pse duhet rrëzuar qeveria Thaçi, duke potencuar nivelin e lartë të korrupsionit, gjendjen e rëndë të krijuar në UP, papunësinë e madhe, por edhe mungesën e investimeve të huaja.

“Kjo është qeveri e mashtrimit dhe e kamuflazhit”, tha ai, duke ironizuar me deputetët e PDK-së, të cilët me të filluar seanca plenare thurën lëvdata për shefin e tyre të partisë, kryeministrin Thaçi. “Kur po i dëgjoj deputetët e PDK-së qysh po flasin për kryeministrin, po frikësohem se mos shtetet tjera po kërkojnë që t’ua japim hua kryeministrin aq i mirë që është”, tha Gjini.

Ndërsa, Visar Ymeri i Vetëvendosjes i është përgjigjur shefit të GP të AAK-së, duke thënë se “është e çuditshme se si AAK-ja tash i ka kuptuar dëmet që kjo qeverisje është duke ia shkaktuar Kosovës” dhe se problemet në Kosovë kanë pasur nevojën e zgjidhjes prej kohësh. Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke u përgjigjur në pyetjet e shtruara nga deputetët lidhur me faljet, tha se falja e vetëm dy të burgosurve nga ana e presidentes Atifete Jahajga është destimuluese për 500 të burgosurit që kanë kërkuar të falen.

Hidromorava

Numri dy i qeverisë madje akuzoi kabinetin e Presidentes se është duke e anashkaluar këtë ministri në raport me faljen e të burgosurve. Në ndërkohë, Kuvendi i Kosovës “dështoi” që ta fusë me urgjencë në rend dite Projektligjin për veteranët e Luftës së UÇK-së.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në emër të Grupit parlamentar kërkoi që projektligji të hyjë të enjten në rend dite, mirëpo kërkesa e tij nuk gjeti mbështetjen e grupeve tjera parlamentare, madje as të shefit të tij të grupit, Adem Grabovcit, të cilët thanë se Projektligji të nënshtrohet procedurave të rregullta dhe më pastaj pas vendimit të Kryesisë javën që vjen të jetë në rend të dite. Madje, pati vlerësime nga deputetet opozitare që me këtë projektligj ka tendenca që të bëhet fushatë elektorale tash në kohën kur pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare .

Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri tha se secili prej deputeteve dëshiron që të aprovohet Projektligji, por që sipas tij, kjo mund të bëhet javën që vjen pasi i njëjti t’iu nënshtrohet procedurave legjislative. Edhe deputeti i VV-së, Rexhep Selimi tha se dikush po dëshiron të bëjë fushatë me këtë Projektligj, i cili siç tha ai, qe disa vite është zvarritur dhe tash kërkohet në formë urgjente të futet në rend të ditës pikërisht për të bërë lojëra politike.

Ndërkohë, kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti nuk e hodhi në votim propozimin e Bekim Haxhiut, duke thanë se me pajtimin e gjithë grupeve parlamentare projektligji t’i procedohet Kryesisë së Kuvendit dhe pastaj të dalë para ligjvënësve. Kuvendi i Kosovës ndërkaq më 58 vota pro dhe 8 abstenime miratoi Planin e Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit për vitin 2014.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani propozoi që të bëhen ndryshime kryesisht të natyrës teknike, derisa deputeti Glauk Konjufca tha se në BE nuk mund të hyjmë duke e fshehur, kur dihet se çfarë drejtësie, ekonomike dhe se si funksionojnë institucionet tona./zeri/