Mobi Casa

A thua me çfarë kuti matet profesionalizmi i dikujt?

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nazmi Rapuca – Reagim ndaj shkrimit me titull “ Me joprofesionalizëm e arrogancë kundër arsimit gjilanas” të autorit Nuhi Ismajlit.

A thua me çfarë kuti matet profesionalizmi i dikujt? Krahasimi është metodë e mirë. Sa i përket arrogancës, nëse lexohen me pak kujdes shkrimet tona, lehtë shihet se kush është më arrogant!

Për të lehtësuar lexuesin po shkëpus disa theksime nga ky shkrim dhe po mundohem të jep opinionin tim

I. Ismajli “Të merresh me një veprimtari për të cilën nuk ke asfar përgatitje…”
Nazmiu: Nuk jam nga ata që nuk marrin vesh në arsim. Arsimi më ka preokupuar gjithmonë. Dihet se gjithçka fillon nga arsimimi. Fundja, kam kaluar nëpër të gjitha bankat shkollore dhe kam arritur deri të magjistri i pemëtarisë. Nuk po flas tani për kurse, trajnime e përvoja brenda e jashtë vendit. Ende i kam në bankat shkollore tre fëmijët e mi. Të tretë i kam regjistruar aty ku kam dashur unë por, kam parë me sytë e mi mjerimin e fëmijëve, prindërit e të cilëve nuk kishin të njohur. Gjendja e atyre fëmijëve e prindërve mund të ilustrohet me vargjet e Migjenit:

“Kafshatë që s’kapërdihet është or vëlla mjerimi
Kafshatë që të mbet në fyt e të zë trishtimi
Kur sheh fytyra të zbehta e sy të jeshilta
Që me fëmijë për dore, shikojnë si hije e si përfillë askush”

Paramendoni si ndihen fëmijët kur shohin se janë pa krah e pa zot? Se babai i tyre nuk ka asnjë mundësi për t’ju ndihmuar? Si ndihet prindi i tyre kur sheh të tjerët që sillen si zot e ai nuk mund t`i dalë zot fëmiut të tij të strukur, që kapet për trupin e babait i frikësuar e i tmerruar?!

Edhe gjyshja ime ka qenë profesionaliste për të kuptuar këtë tmerr. Këtë gjendje, nuk ka kush që nuk e kupton, përveç …

II. Ismajli thotë: “Nuk duhet lejuar formimi i klasave të para, të cilat, në ndonjë mënyrë, paraqesin shprehjen kastave të ndryshme shoqërore…”

Nazmiu: Dakord. Reformat që u aplikuan këtë vit, kanë për synim pikërisht këtë qëllim. Klasat formohen në bazë të një softueri, kurse arsimtarët tërheqin zarfat, brenda të cilëve janë emrat e nxënësve, pa e ditur kush janë apo të kujt janë. Kjo metodë e regjistrimit i vë në pozita të barabarta të gjithë fëmijët, duke e pa mundësuar ndikimin e kujtdoqoftë në diskriminimin e tyre.

Uji Dea

III. Ismajli pak më poshtë shton: “Kjo nuk duhet tu mohojë fëmijëve të drejtën për zgjedhjen e mësuesit ku duan të mësojnë…”

Nazmiu: Do të ishte ideale sikur të gjithë fëmijët të kishin mundësi për të zgjedhur mësuesin e tyre. Dihet se një mësues mund të pranojë numër të kufizuar të nxënësve. Ndërsa kërkesat, për ndonjë mësues “të mirë” mund të jenë për të pranuar ndoshta 100 nxënës, gjë që nuk është e mundur. Nëse hiqen rregullat për të cilat po flasim dhe të cilat për herë të parë janë aplikuar këtë vit në arsimin gjilanas, atëherë vije në shprehje “ligji i xhunglës”. Dmth. Kush është më i “fortë” e zgjedh mësuesin, të tjerët duhet të marrin çka u mbetet. Dakordohem që këto rregulla të rishikohen dhe të perfeksionohen aq sa ka mundësi. Reforma duhet të vazhdojë, por ndryshimet duhet të jenë pozitive.

IV. Ismajli thotë: “E konsideroj shumë tragjike fatin e atyre fëmijëve, të cilët, në moshën e tyre 6 vjeçare, paskan fatkeqësinë të ndeshen me gjërat më të tmerrshme: injorancën dhe diktaturën.

Nazmiu: Pikërisht kjo u ka ndodhur me dekada fëmijëve tanë. T`i heqësh kriteret për regjistrim, d.m.th. të vazhdojë injoranca. Kjo është sikur ti lëshosh fëmijët në arenën e gladiatorëve, dhe fundi dihet-fitojnë më të ”fortit”. Kjo do të ishte tragjike. Kjo do të krijonte klasa të kastave të ndryshme shoqërore. Kjo do të vuloste fatin e fëmijëve pa ”krah”. Ata gjithmonë do të mbetnin kokulur, të strukur, të frikësuar e të nënshtruar.

V. Ismajli më porositë: ”Mos u brengosni z.Rapuca për çështjen e diskriminimit të fëmijëve…”

Nazmiu: Pajë ndoshta edhe nuk do të brengosesha sikur një gjë e tillë të kishte ndodhur në ndonjë planet tjetër apo së paku në ndonjë shtet tjetër. Por këtu bëhet fjalë për popullin tim, për fëmijët tanë, për fëmijët e mi.

VI. ”Ismajli përmend edhe disa cunga të djegur, në malet tona…”

Nazmiu: S`i duket më ka ngatërruar mua me zjarrfikësit. Sa për informim të atyre që nuk e dinë; unë, as nuk jam zjarrfikës as nuk i udhëheqë zjarrfikësit. Edhe pse unë me asgjë nuk kam pasur më shumë obligime sesa z. Ismajli, kur janë në pyetje zjarret, kam vepruar vullnetarisht, si qytetar që e din rëndësinë që kanë pyjet dhe gjelbërimi për jetën tonë. Dhe jo vetëm kaq. Kam mobilizuar dhjetëra kolegë të mi dhe dhjetëra vullnetarë nga zonat e prekura nga zjarret, duke marrë pjesë në fikjen e tyre…