A mund të bëhet Haxhi Krasniqi shqiptari i parë kampion botëror në boks?

Haxhi Krasniqi po mundohet t’i bëjë krenarë shqiptarët, duke u bërë shqiptari i parë që shpallet kampion botëror në boks, shkruan Zëri.
Një gjë të tillë ishte shumë afër ta bënte Luan Krasniqi, por kishte dështuar në momentet e fundit, në meçin e famshëm me Lemon Brewster.
E atë që nuk e bëri “Luki”, po mundohet ta bëjë Haxhiu, që në Gjermani e njohin si Robin.
Junikasi boksoi gjatë karrierës në kategorinë gjysmë të rëndë dhe iu afrua titullit të kampionit botëror dy herë, duke pësuar humbje nga britaniku Nathan Cleverly dhe më pas nga gjermani Jurgen Brahmer, përcjell Zëri.
Por, 27 vjeçari së fundmi e ndërroi kategorinë dhe tash e tutje do të garojë në kategorinë e peshave super të mesme, duke humbur peshë dhe të shtunën do të përballet me kundërshtarin Cagri Ermis, në meçin e parë në kategorinë e re.
Boksieri kosovar ka ushtruar fort kohëve të fundit dhe synon hyrje serioze në kategorinë e re. Haxhiu është i bindur se ka aftësi dhe kapacitet të bëhet shqiptari i parë kampion bote, duke ua zbardhur fytyrën shqiptarëve dhe gjermanëve. /Zëri/