A e shfrytëzuan sa duhet shqiptarët ndihmën amerikane

Nga Augustin Palokaj- Pa marrë parasysh se kush do të fitojë në zgjedhjet amerikane të martën, Administrata e ardhshme amerikane do të jetë më pak e angazhuar në Ballkan, duke përfshirë edhe Kosovën, edhe Shqipërinë. Do të jemi dëshmitarë të një deangazhimi amerikan, duke i lënë më shumë hapësirë BE-së në Ballkan. Një situatë e tillë nuk do të jetë e lehtë sidomos për Kosovën, për të cilën Brukseli nuk e ka dhe vështirë se do të ketë një qëndrim unik.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, erdhi dhe shkoi nga Ballkani, i vizitoi edhe dy shtete në trojet shqiptare dhe dha porositë për popullin shqiptar se edhe në 100 vjetët e ardhshëm do ta kemi SHBA-në mike. Ato porosi janë të këndshme për veshin tonë, janë edhe të rëndësishme, sepse nuk është pak ta kesh mik shtetin më të fuqishëm të botës.

Megjithatë porositë e zonjës Clinton nuk duhet kuptuar si një garanci se elitat politike në Tiranë dhe në Prishtinë do të kenë gjithmonë prapa tyre Administratën amerikane. Mbështetja parimore gjithsesi nuk do të mungojë, përderisa qëndrimet e shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës rreth politikës në rajon dhe asaj globale do të jenë në përputhje me politikën dhe interesat kombëtare amerikane. Ajo që politikanët tanë bëhen sikur nuk dëgjuan janë porositë pothuajse qortuese për elitën politike sidomos në Tiranë.

Clinton vetëm sa nuk akuzoi direkt qeverinë dhe opozitën se nuk po punojnë në të mirën e shtetit të tyre. Kur Clinton në Kuvendin e Shqipërisë përmendi shembullin sesi ajo ka bashkëpunuar me presidentin Obama, nën administratën e të cilit ishte edhe shefe e diplomacisë më të fuqishme të botës, ndonëse në fushatën e nominimeve për kandidatin demokrat për president të Amerikës e kishte kundërkandidat dhe kishin shkëmbyer kritika të mëdha, ajo tha: „Unë dhe presidenti kemi diçka të përbashkët-të dy e duam vendin tonë“. Pas kësaj fjalie të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë filluan duartrokitjet.

Shpresoj të jenë skuqur pak, t’u ketë ardhur keq se ata në bazë të veprimeve të tyre nuk duken sikur të gjithë e duan vendin e tyre. Shpresoj që kjo porosi e zonjës Clinton t’u ketë lënë një përshtypje të thellë dhe do ta kujtojnë sa herë që të mendojnë rreth veprimeve në interes të vendit. E sidomos shpresoj të mendojnë kur të vijnë në tundim për të vjedhur vota, për të politizuar gjyqësorin, për të gënjyer qytetarët, për ta shpallur „armik dhe tradhtar“ kundërshtarin politik që ka mendim ndryshe. Në rast se në Shqipëri do të vazhdohet me të vjetrën, në rast se do të vidhen zgjedhjet, në rast se ato do të kontestohen gjithmonë nga humbësit, në rast se krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk ndalen, atëherë një Shqipërie të tillë nuk do t’i ndihmojë as ndonjë mbështetje deklarative e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nëse kthehemi prapa në histori, atëherë shteti shqiptar nuk e ka pasur mik, por e kishte shpallur pothuajse për gjysmë shekulli armik Amerikën. SHBA-ja ishte gjithmonë krah shqiptarëve, por jo doemos krah strukturave të shtetit të Shqipërisë, kur vëllezër ishin kinezët, kongolezët dhe kubanët.

Edhe nëse në të ardhmen do të ketë në Shqipëri në pushtet njerëz që do ta orientojnë shtetin kah ndonjë ideologji jodemokratike, joperëndimore atëherë nuk do të mund të llogarisim në mbështetjen amerikane. Nëse Shqipëria, Zoti mos e dhëntë, bëhet diktaturë, as atëherë nuk do të mund të llogarisim në mbështetjen amerikane. Amerika viteve të fundit ndoshta ka heshtur tepër kur në Shqipëri janë shkelur disa parime, të cilat amerikanët i kanë afër zemrës. Ndoshta është keqpërdorur nga njerëzit në pushtet dhe ata afër pushtetit në Tiranë mbështetja amerikane për veprime jodemokratike.

Ndoshta për hir të stabilitetit politik apo nga frika e trazirave më të mëdha politike Washingtoni ka heshtur për disa zhvillime për të cilat është pritur të ishte më i zëshëm dhe më i drejtpërdrejtë. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të mund të mbulojnë gjithmonë gabimet e politikanëve vendës.

E në Kosovë situata është pak më ndryshe. Kosova si shtet i ri edhe lirinë e besa edhe pavarësinë në masë të madhe ua ka borxh edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa dashur të ulet vlera e kontributit të shumë partnerëve evropianë. Shteti i sotëm i Kosovës në masë të madhe është edhe projekt amerikan. Për këtë shkak edhe ka probleme me njohjet nga disa vende diktatoriale të botës, por Kosova nuk duhet të shqetësohet shumë për këtë, edhe pse ka nevojë për numër sa më të madh njohjesh.

Kosova ka përfituar shumë nga mbështetja amerikane dhe nga angazhimi amerikan. Më së shumti ka përfituar deri në momentin e shpalljes së pavarësisë dhe disa muaj pas shpalljes së saj. Shumica e njohjeve nga bota, duke përfshirë edhe shumë prej njohjeve nga vendet e rajonit tonë, kanë ardhur si rezultat i angazhimit amerikan. Prandaj sot është jofalënderuese, e turpshme, dhe thënë thjesht e pavërtetë të mendohet se shumë njohje kanë ardhur si rezultat i angazhimit personal të dikujt.

Por Kosova ka mundur ta shfrytëzojë edhe më mirë mbështetjen amerikane pothuajse në këto pesë vjet të para të pavarësisë së saj. Me veprimet jo të mira, me manipulim të zgjedhjeve, me krim të organizuar dhe korrupsion dhe me një kulturë politike e cila gjithnjë e më shumë filloi t’i ngjajë asaj të Shqipërisë, Kosova detyroi Administratën Amerikane që të merret më shumë me probleme të brendshme të Kosovës sesa me angazhimin në favor të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u shndërrua në qendrën kryesore vendimmarrëse në Kosovë për secilin problem, që nga politika kuadrovike në krye të shtetit e deri te vendimet në nivele të administratës lokale në Kosovë. Krahas rënies së nivelit që merrej me Kosovën në Washington dhe si rezultat dhënies së autonomisë së madhe Ambasadës dhe ambasadorit në Prishtinë për mirkomenaxhim të Kosovës erdhëm në situatë ku nuk ishte e rëndësishme se çfarë thonë partitë politike, çfarë thotë shoqëria civile, por vetëm mendohej se çfarë thotë ish-ambasadori amerikan. Dhe ai nuk hezitoi të përdorë autoritetin e tij edhe për të shtypur të mbështetur presionin ndaj mediave dhe duke u angazhuar edhe personalisht në presion ndaj mediave të pavarura.

Tash e dy vjet zyrtarët amerikanë që merren me Kosovën janë të detyruar të angazhohen vetëm rreth dialogut. Dhe atë jo aq shumë në Bruksel, por në Kosovë. Nga ta gjithmonë kërkohet që të mbështesin dialogun në kohën kur ai ishte shumë i kritikuar në Kosovë. Pa mbështetjen amerikane udhëheqësit kosovarë nuk donin të niseshin për në Bruksel në takime, ndërsa pa „përshëndetjen amerikane të dialogut“ sikur nuk kishin guxim të ktheheshin në Prishtinë. Nuk më kujtohet ndonjë vizitë e ndonjë zyrtari amerikan në Kosovë në dy vjetët e fundit e që nuk u shfrytëzua për t’i dhënë mbështetje dialogut.

Në fakt nuk e di se a ka pasur ndonjë vizitë të kujtdo e që arsye kryesore të mos ketë qenë pikërisht dialogu. Edhe në ditët e fundit të kësaj administrate amerikane vizita e zonjës Clinton kishte për qëllim dhënien e mbështetjes për dialog, sidomos pasi që në takimin e parë të kryeministrit të Kosovës, Thaçi, me homologun e tij të Serbisë, Daçiq, nuk kishte të pranishëm ndonjë përfaqësues amerikan, edhe pse një gjë e tillë ishte parashikuar. Jo rastësisht kryeministri Thaçi me dy javë vonesë iu drejtua Kuvendit të Kosovës për të raportuar për takimin me Daçiqin, sepse kishte llogaritur ta bënte këtë vetëm pasi të merrte mbështetjen publike nga një zë aq i rëndësishëm sikur sekretarja amerikane e Shtetit. E kur një zyrtar i lartë amerikan jep mbështetje për diçka, atëherë të gjithë tjerët në Kosovë duhet të mbyllin gojën. Së paku kështu vazhdojnë të kuptohen gjërat në politikën kosovare.

Ajo që nuk u kuptua si duhet nga vizita e zonjës Clinton në Kosovë ishte manipulimi që u bëhej porosive të dhëna nga ajo dhe nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Opinionit iu shit një „spin“ se kinse BE-ja dhe SHBA-ja kanë të njëjtën politikë ndaj Kosovës. Por një analizë e kujdesshme e asaj që kanë thënë publikisht nxjerr dallimin.

Nuk kanë thënë „Clinton-Ashton“ se dialogu është „dialog i dy shteteve të pavarura dhe sovrane“, por këtë e ka thënë vetëm zonja Clinton. Për zonjën baroneshë Kosova ende nuk është shtet dhe ajo në asnjë fjalë nuk e ka përmendur „shtetin e Kosovës“. Vetëm zonja Clinton ka thënë se „Pavarësia e Kosovës, sovraniteti i saj dhe integritetit territorial janë çështje e përfunduar“, por këtë nuk e ka thënë Ashton. Nuk e dimë se çfarë mendon zonja Ashton personalisht, por sa të jetë ajo përfaqësuese e politikës së përbashkët të jashtme të BE-së, dhe derisa të mos e njohin shtetësinë e Kosovës të gjitha vendet anëtare, ajo nuk do të mund të ketë qëndrim të përbashkët me amerikanët rreth Kosovës.

Madje ajo dhe bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë mendojnë se pikërisht për faktin se nuk është në favor të shtetësisë së Kosovës, por është neutrale, e bën atë të jetë „ndërmjetësuesja më e mirë e mundshme në dialog mes Beogradit dhe Prishtinës“.

Këtu tash vijmë në një pikë ku duhet të shikojmë kah e ardhmja. E në të ardhmen pritet një zvogëlim i dukshëm i angazhimit amerikan në Evropë dhe si rrjedhojë edhe në Ballkan. Kjo do të ndodhë sidomos në rast se zgjedhjet presidenciale i fiton kandidati republikan Romny. Jo për shkak se ata janë më pak në favor të Kosovës sesa demokratët.

Fundi i fundit Kosova pavarësinë e arriti me mbështetje të qartë dhe të prerë të Administratës gjatë presidentit republikan Bush. Po ashtu rreth Kosovës ka konsensus dypartish në Amerikë. Por në strukturat e demokratëve ka më shumë persona me ndikim që e ndiejnë më afër zemrës Evropën dhe Ballkanin, siç janë Bill dhe Hillary Clinton, Jo Baiden, Madeline Allbright dhe të tjerë, të cilët mund të kenë ndikim pa marrë parasysh a ushtrojnë ndonjë post në administratë apo jo. Prandaj në Evropë mbi 75 për qind do të dëshironin që Obama të fitonte zgjedhjet të martën.

Pa marrë parasysh se kush do të fitojë në zgjedhjet amerikane, Administrata e ardhshme do të jetë më pak e angazhuar në Ballkan, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë. Do të jemi dëshmitarë të një deangazhimi amerikan, duke i lënë më shumë hapësirë BE-së në Ballkan. Një situatë e tillë nuk do të jetë e lehtë sidomos për Kosovën, për të cilën Brukseli nuk ka dhe vështirë se do të ketë një qëndrim unik.

Në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë dhe pothuajse pesë vjet pas pavarësisë së Kosovës, duke u përkujdesur që të ruhet mbështetja nga miqtë e mëdhenj ndërkombëtarë, shqiptarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për veten dhe shtetet e tyre. Duhet të ndërtojnë më shumë kulturë të pavarësisë dhe të mos presin gjithmonë që të tjerët të zgjidhin problemet e tyre siç kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në këto vitet e fundit.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).