RCCOLA

A duhet platformë?

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Beqë Cufaj- Takimi i dytë i kryeministrit të Republikës së Kosovës, me atë të Serbisë, kishte diçka bizare më vete. Jo pse nuk duhej të ndodhte. As për atë se çfarë aty ndodhi (tekefundit ai raund ishte i mbyllur për publik).

Por pse më pas sërish në pah doli dhe vërtetua ajo që e njohim qe vite e vite të tëra dhe ka të bëjë me atë që e quajmë jokulturë, mentalitet i mbrapshtë, josinqeritet dhe banalitet i një njeriu që pretendon të jetë udhëheqës shteti dhe kryeministër Republike. Fjala është për Daçiqin, dhe atë sesi ai e përshkruante “darkën” me homologun e tij nga Kosova.

Nuk është që u bë kiameti nëse Daçiqi ka pirë ujë, e Thaçi verë të kuqe… por është ai stili i moçëm serb, që gjërave t’u vihet bishti, takimeve t’u bëhen njolla, bisedimeve t’u jepen kahe për nevoja të brendshme, gjithsesi me tone shtypi të verdhë dhe në një formë a tjetrën të na bëjë të ndjehemi që kemi të bëjmë me njerëz që jetojnë në kohë tjera, por për këtë as zanatin e as qimen s’e kanë ndërruar. Aspak.

Një remineshencë shëmtie tipike e babait të tij (shpirtëror) dhe këlyshëve tjerë të viteve ’90, kur Kosova dhe populli i saj ishin të shtypur dhe këta tregonin të njëjtat gjëra. Me dallimin e vetëm që atëbotë krekoseshin sesi pos në fushëbeteja edhe në tavolina pune e bisedimesh pinin edhe rakinë e rrushit!

Nëse Daçiqi tashti paska kaluar tek “uji” atëherë vërtet duket që ka ndodhur diçka. E ka kuptuar që e ka humbur Kosovën, dhe përkundër lotëve që me 18 shkurt të vitit 2008, kishte derdhur kur shpallëm pavarësinë, atëherë duket po kështu ta ketë kuptuar që Kosova, jo vetëm që është shtet por edhe nuk do të lëvizë as edhe një milimetër prapa në rrugën e saj të mëvetësisë dhe sovranitetit territorial.

Njeriu edhe mund të thotë që s’ia vlen të diskutohet për të dhe ta. Sepse janë pra të njëjtit. Pjesërisht edhe ka diçka të vërtetë këtu. Nga ana tjetër, duhet theksuar që jo vetëm se kemi nevojë të mësojmë si flasin e çka thonë –sepse mund ta marrim vesh ku duan të dalin, por kjo paraqitet edhe si nevojë, e cila mund të na sjellë te konkluza për nevojat tona, të vendit e shtetit, qeverisë e popullit në këtë ballafaqim përfundimtar me ta.

Uji Dea

Në këtë frymë, pos që ndjehemi të vërtetuar që mentaliteti i tij dhe tyre është i moçmi- me suadat e përshkrimeve të darkës, duhet parë edhe atë që quhet lansim për keqkuptim dhe bishtnim të asaj për të cilat palët merren vesh. Kështu duhet parë “ndërrimin” e drejtimit të autostradës. Apo mospërmendjen e të pagjeturve si temë e bisedës. Por, edhe mënyrën sesi do të implementohen marrëveshjet e arritura paraprakisht.

Nëse tërë kësaj i shtojmë edhe ngutjen e Daçiqit dhe partnerit të tij Nikoliqit, që të bëhet diçka (gjysmë marrëveshje e gjysmë premtime mes Prishtinës e Beogradit) me çdo kusht në mënyrë që të sigurohet data e fillimit të bisedimeve mes Beogradit dhe Brukselit, atëherë s’kemi si të mos shprehim skepticizmin e thellë që me ta mund të bëhet diçka.

Kjo mund të thuhet edhe për faktin që treshja e qeverisë së Kosovës, pothuajse me të njëjtin takt thonë diçka për të mos kuptuar asgjë. Thaçi thotë “platforma ime është Kushtetuta”, Hoxhaj është i bindur që bisedimet sjellin “njohjen e pesëshes së BE-së dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, kurse Kuçi herë siguron që pasi të kryhet do kemi “Traktat paqeje” por edhe “hartim platforme me miqtë ndërkombëtarë”.

Prej të gjitha këtyre deklaratave të treshes në fjalë kujtoj që kjo e fundit – e Kuqit sa është më naivja po aq është edhe më e vërteta. Sepse në pah nxjerr pasigurinë e Thaçit, dëshirat e Hoxhajt, por edhe neve dhe të papriturat e mundshme që “miqtë” mund të na i serojnë – sidomos kur veriu i vendit është në pyetje.

Në këtë frymë: ndoshta Kosova edhe s’ka nevojë për platformë sa do të kishte nevojë për hartimin e vijave të kuqe, të cilat do të fundosnin çdo ëndërr serbe për Republikën e Kosovës.