A do të përfundojë autostrada e Gjilanit përpara vitit 2026?
Gjilan – Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në rrjetin social në Facebook pati njoftuar se kanë përfunduar mbi 70% e punimeve për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit. Në po të njëjtin postim, ai ka theksuar se shumë shpejt ajo do të përfundojë. Tek tani, numri një i qeverisë, kryeministri Albin Kurti e pranon se premtimin zor se do të mund të e mbajnë.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Gjilan, z. Kurti tha se u kanë dalë probleme me rrëshqitjet e dheut. Tutje ai theksoi se do të riformatohet kontrata dhe të bëhen edhe disa shpronësime. Ai njoftoi se për vazhdimin e autostradës nga Bresalci në Dheun e Bardhë, qeveria ka ndarë buxhetin.
Megjithëse kontrata për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit ishte nënshkruar në dhjetor të 2017, si dhe pavarësisht peripecive politike deri edhe akuzave për keqpërdorime, parashihej që segmenti prej 22 kilometrave nga Lipjani deri në Bresalc të përfundonte pas dy vitesh.
Alban Hyseni, gjatë kampanjës së tij për Kryetar të Komunës, sikurse edhe në fillim të këtij viti, u pat zotuar se Autostrada do të përfundojë në shtator të 2023.
Së fundi, ai ka deklaruar se përvoja e tij 2-vjeçare e ka mësuar se premtimet që jepen, zakonisht nuk mbahen. Për më tepër, ky deklarim ka qenë shkak i pikëpyetjeve mbi kredibilitetin si dhe aftësitë e tij, sikurse edhe ndaj besimit që i kanë dhënë gjilanasit për të qeverisur me Komunën.
Në anën tjetër, ish Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në disa prononcime pati akuzuar nivelin qendror si dhe atë komunal për vonesat e punës si dhe mungesës së vullnetit për t’i dhënë shtytje këtij projekti për përfundimin e fazës së parë. Për më tepër, z. Haziri pati thënë se prej fillimit, qeveria, për Gjilanin dhe Anamoravën ka treguar mosinteresim për investime.
Edhe qytetarët në vazhdimësi kanë shprehur shqetësime për vonesat e këtij projekti.
Në prag të vitit 2024, si dhe paralajmërimeve për kontraktime shtesë, megjithatë, do të ketë prolongim në finalizimit e punimeve në pjesën Lipjan – Bresalc. Në variantin më të mirë, ky segment mund të finalizohet jo më herët se në shtator të vitit 2024.
Derisa, nga Bresalci, janë edhe rreth 7 kilometra të tjerë deri në Gjilan. Pra, pasi të përfundoj segmenti i parë, nga Lipjani deri në Gjilan mbesin edhe rreth 24% të Autostradës për të u ndërtuar. Këto punime pritet të jenë pjesë e segmentit Bresalc – Dheu i Bardhë, e siç deklaroi kryeministri i Kosovës gjatë vizitës së tij në Gjilan, pritet të fillojë tenderimi në prill të vitit 2024.
Duke qenë se ky segment prej 25 kilometrave mund të jetë subjekt i procedurave të tenderimit, e në anën tjetër zbatimi i kontratës pritet të zgjasë midis 18 deri në 36 muaj, në skenarin më të mirë, Autostrada deri në qytet të Gjilanit do të mund të përfundoj gjatë vitit 2026.
Në skenarin më të keq, në Autostradën Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, e njohur si R7.1, gjilanasit si dhe banorët e rajonit të Anamoravës, do të mund të qarkullojnë në tërësi jo më herët se në vitin 2027./rajonipress/