A do të dridhen Prishtina dhe Beogradi nga pordhët e miut!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Bislim Muçiverca dhe Sigmund Frojdi: Kosova, që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk ka pasur qeveri më kompetente, jo për qeverisje por në fushën e psikoanalizës. Kur t’i dëgjoni arsyetimet, jo për dështimet sepse dështuan ata që qeverisën 20 vjet kurse këta të ditëve dhe netëve tona (nuk po dihet kur është ditë e kur është natë sepse po bëhet terr në pikë të ditës), kanë vetëm suksese, më së shumti në tredhje të mizave! Kur i dëgjoni se si mburren me suksese, atëherë fitohet përshtypja se ne që nuk po besojmë në këto suksese, duhet t’i nënshtrohemi, kolektivisht, një trajtimi psikiatrik e për raste më të lehta, një trajtimi psikologjik që të bindemi se nuk ka ministër më të mirë të shëndetësisë se kaubojsi i Llapushnikut, se nuk ka minister më të mirë të mbrojtjes se vikingu me prejardhje shqiptare nga fjordet e Norvegjisë, se nuk ka ministre më të kualifikuar për terrin në pikë të ditës se xhoistikja e Binit, se nuk ka ministre më të zonjën për moszhvillim dhe rritje të varfërisë se Helena e Greqisë e cila, në baza vullnetare bëri hulumtim me rezultate, deri më tani të panjohura shkencërisht se nuk e shkel vetura njeriun por njeriu veturën. E kemi një minister që e punëson kënd të do dhe askujt nuk i tutet sepse është apo ka prejardhje nga Faraoni i Egjiptit, Tuta – kak – mon. Për sukseset dhe ministrat dhe ministreshat (konteshat) tjerë /a, një herë tjetër.

Goran Rakiq është udhëheqës i një Liste, jo Guxo por i Listes Serbe, e regjistruar në Prishtinë por me mendje, shpirt dhe veprim është e Beogradit. Janë pjesë e kabinetit të Qeverisë së Kosovës dhe bëjnë pjesë në ministrat e baushtellës. Gjysma e Qeverisë së Kosovës është e tillë, me ministra dhe ministresha të baushtellës. Goran Rakiq është kryegjëja dhe kuptimi i kundërshtimit të shtetit të Kosovës dhe kryebarrikadisti i barrikadave mobile që i vendosë Serbia në veriun e Kosovës çdoherë kur ka nevojë që Aleksandër Vuçiq të përjetojë orgazëm nacionaliste dhe shoviniste. Ky haptasi thotë se kryetar e ka Aleksandër Vuçiqin e jo Vojsa Osmanin, se kryeministër nuk e ka zotin Albin Kurti por zotin Ana Brnabiq dhe se shteti i tij është Serbia dhe jo Kosova. Madje, kërcënon se do të dalin nga instituconet e Kosovës, ku marrin paga të pamerituara dhe gëzojnë privilegje që as Vuçiqi nuk iu jepë dhe se tokë serbe është çdo pëllëmbë ku shkel Radoiçiqi, Sava Janjiqi, Delibashiqi, Vulin dhe humanistët e shquar serbë tjerë. Ishte një reagim që kërkohej nga kryeministri Kurti ta shkarkojë Goran Rakiqin por se kjo nuk ndodhi me arsyetim se pas Titos (Rakiqit) vjen Tito (Rakiqi) tjetër! Nuk e luan topi. Në imagjinatën më perfeksioniste që ia kalon edhe amatorëve siç ishin Frojdi, Adleri, Fromi, Niçe, Spinoza dhe të ngjashmëve, Besnik Bislimi, me profesion kontabilist – ekonomist, numri 2 i qeverisë së baushtellës dhe kryenegociatori për bisedime me Borellin dhe Lajçakun, si dëgjues i bindur dhe pa dinjitet, si shef i një pjese të mercenarëve të dëshmuar të Ekipit Teknik, pasardhës i denjë dhe i pakontestueshëm i grofit Minhauzen (dëshmon se ka prejardhje fisnike), ka shkuar përtej atsyetimit të kryeministrit Kurti duke deklaruar se e kanë shumë të qartë se kush është Goran Rakiqi por se çdo ditë po punojnë në diskreditimin e tij përmes demaskimit që ia bëka Rakiqi vetes ndonëse Rakiqi po flet pa asnjë maskë dhe pa doreza.

Po të bëheshin bashkë të gjithë psikanalistët e botës dhe Akademia e Psikoanalizës në Vjenë nuk do të hynin aq thellë në çmontimin e një misteri shkencor sikur që është personaliteti i Goran Rakiqit. Kompleksi i Edipit është shkërdhatë krahasuar me Kompleksin e Besnikut! E tash, i gjori Rakiq; pas konstatimit shkencor dhe gjenetik për figurën dhe personalitetin e tij nga autoriteti i Shkollës Psikologjike të Muçiverces, tërë kohën po e kalon në seanca të trajtimit psikologjik dhe psikiatrik. Rruga e Golgotës e Goran Rakiqit niset nga Beogradi, me bekimin e Pont Pilatit e përfundon në Mitrovicë të Veriut ku e presin legjionarët që do ta kryqëzojnë. Fort shumë po i ha luli Rakiqit për konstatimet shkencore të Besnik Bislimit! Pas përfundimit të bisedimeve, qartë do të dihet se kush do të ketë nevojë për seanca dhe trajtim psikiatrik. Unë nuk kam asnjë mëdyshje në këtë drejtim.

Trajtimi i rastit të mëparshëm ishte çështje e raportit Prishtinë – Beograd kurse rasti i dytë që do të trajtohet është edhe më i rëndë se ai i pari për faktin se trajton raportet Prishtinë – Tiranë. Bëhet fjalë për refuzimin që ta takojë presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn, presidenti i LDK-së dhe Princi i Malçidezekut, Lartmadhëria e Tij, Mumnir Kapcixhiku. Të gjithë e takuan presidentin e Shqipërisë (opozita) në Kuvendin e Kosovës kurse Kapcixhiku kërkoi që të vizitohet në selinë e Partisë që e drejton, në selinë e Riinvestit. Në të kundërtën, mund ta thyejë qafën përmes Qafës së Morinës e të shkoi nga ka ardhur. LDK-ja e arsyetoi këtë veprim të playboit që, në rrethana të fatkeqësive elementare politike u bë kryetar i kësaj partie kurse, disa anal-istë nga Tirana dhe Prishtina që, nëse i quan idiotë e marrin si ngritje të gradës shkencore, refuzimin e Lumit të Xhikës që ta presë presidentin shqiptar e përkrahin shkaku, se, gjithnjë sipas tyre, presidenti Begaj qenka pion i Edvin Kristaq Ramës, “vëlla” i Aleksandër Vuçiqit dhe se udhëheqë politikë kundërshqiptare. Çfarë perversiteti idiotesk! Çfarë çrregullimi mendor! Sepse, për ta fituar mëshirën dhe bekimin e pushtetit aktual, mjafton ta sulmoni Edi Ramën se është tradhëtar e që automatikisht i rritë kredencialet patriotike të kryeministrit të Kosovës. Nuk sulmohet Rama se qenka tradhtar, askush, me dy koç.. mend nuk e beson këtë por se e konsiderojnë si kundërshtar -armik të Albin Kurtit! Çfarë perversiteti idoiotesk! Po, sipas informatave, edhe presidenti Begaj ka rënë në depresion të thellë dhe po trajtohet nga psikanalistë më në zë të Shqipërisë shkaku se Mumnir Kapcixhiku nuk paska pranuar ta presë në Kuvendin e Kosovës. Sigurisht po pret të formohet Zajbnica ku edhe do të realizohet kjo pritje! Nostalgjikët e Jugosllavisë, alfabetin e të shkruarit dhe të menduarit e kanë me shkronja serbe, cirilike. E tillë ishte ftesa e Millos për një takim në një lokal nate të cilën Mumniri e tumniri menjëherë!

Bisedimet në Bruksel dhe pordhët nukleare: I tërë kombi kosovar u mbajt në shtetrrethim gjatë takimit të dy “gladiatorëve në luftë me dema të tredhur”, Albin Kurtit, kryeminister 51% i Kosovës dhe Aleksandër Vuçiq, president 60% i Serbisë. Kjo ishte fuqia e votave të tyre. Shkas ishte 1 shtatori kur përfundon besa e Eskobarit dhënë Serbisë. Bëheshin parashikime të rënda që ndjellnin kob prandaj, thuaja dhunshëm u sollën në Bruksel, kryeministri Kurti për takim me anëtarët tjerë të delegacionit të Serbisë në krye të cilit ishte Vuçiq, Mirosllav Lajçak dhe Josef Borrell. Mediat raportonin nga takimi për një disponim mortor ku, Vuçiqi, vajtues dhe “luftëtar për paqe”, në njërën anë bënte edhe të pamunduren që të arrihet kompromisi kurse Kurti, në anën tjetër refuzonte çdo propozim, pavarësisht se nga vinte! Kjo mjaftoi që të [ndizet idolatria e besnikëve të kryeministrit të cilët, edhe kësaj radhe shfrytëzuan rastin të sulmojnë heronjtë e vërtetë të luftës dhe të lirisë së Kosovës që po mbahen peng në Hagë nga një Gjykatë puro raciste. Çfarë kompromisi po ofron Vuçiqi, ky mashtrues që me lotët e një plake të përvuajtur e luan rolin e viktimës duke dribluar, së paku deri më tani të gjithë lehtësuesit e dialogut dhe qendrat e vendosjes. Vuçiqi nuk po bënë kurrfarë kompromisi, po bisedon për arat e Kosovës, për njerëzit e Kosovës, për politiken e Kosovës, për sigurinë e Kosovës dhe për statusin e Kosovës, sikur të ishte kryetar i Kosovës e jo i një shteti, Serbisë që skajshmërisht sillet armiqësisht ndaj vendit tonë! Nëse dikush do të detyrohet të bëjë kompromis ai do të jetë kryeministri Kurti e jo Vuçiq sikur që ishin politikanët kosovarë para Kurtit që u detyruan të bëjnë kompromis. Kurtit i ka ra hise të bëjë kompromis, jo dosido por kompromis të dhimshëm! A do ta bëjë? Mendoj se do ta bëjë prandaj janë angazhuar shtetet miqësore dhe “miqësore” duke shtuar presion. Fillimisht e shtyenë deri më 1 shtator zbatimin e reciprocitetit pët targa dhe dokumente e, që, ndërkohë do të arrihet një marrëveshje e imponuar, jo për Serbinë por për Kosovën. A do të bisedonin SHBA dhe Meksiko për targa të automjeteve? Kurrë dhe asnjëherë. A do të bisedonin Franca dhe Gjermania për targa Kurrë dhe asnjëherë. Kjo është çështje ekskluzivisht e shteteve sovrane dhe të pavarura. Realisht, për të mbuluar kompromisin që për Serbinë nuk është fare kompromis, u krijua një atmosferë lufte e cila vetëm sa nuk ka shpërthyer! Pati lëvizje të KFOR-it në veri të Kosovës. Për të na vënë në gjumë dhe për të na ushqyer egon e llaskucërisë dhe të dorëzimit përkatësisht për të na ambalazhuar frikën me një cipë të hollë trimërie, theksuan se në veri të Kosovës po shkojnë ushtarët amerikanë. Në të njëjtën kohë ambasadori Hill po thotë se në Evropë ka asociacione që mund të merren si model edhe për Kosovën duke menduar, besoj në rastin e Tirolit Jugor (Alto Adixhe), Belgjikës Lindore, kantoneve zvicerane apo, për shkak të afërsisë gjeografike edhe kantonet e Bosnjes dhe Hercegovines që, sigurisht do të pranohej nga serbët dhe, pa asnjë dyshim edhe nga “lehtësuesit” Borrell dhe Llajçak, mbase edhe nga ambasadori Hill, me disa përmirësime kozmetike. Do të krijohej një ekuilibrim i kantonizimi serb sipas dëshirës së Vuçiqit; kantoni i Republika Serbska me Dodikun në krye dhe Zajebnica, me Goran Rakiqin, në krye. U shtuan bisedat telefonike dhe selamet e dërguara nga sekretari Bllinken, Stoltenberg, kancelari Sholc, Makroni i Frances dhe të tjerët. Nga ana e partisë në pushtet po thuhet se kjo po bëhet për shkak të vendosmërisë së kryeministrit Kurti për të mos lëshuar pe në bisedime me Serbinë. Dhashtë Zoti e të jetë ashtu! Edhe unë do t’i përkrahja, pa asnjë dyshim! Besoj se është e kundërta, lëshimet janë bërë, premtimet janë dhënë dhe duhet të pregatitet opinioni. Për ta lehtësuar këtë, tash Eskobar dhe Llajçak po shtrojnë drekë pune

(nënshtrimi apo pajtimi) me krerët e opozitës të cilët si Red Bull-i, duhet ta bëjnë me krahë kryeministrin Kurti. Të gjithë po futen në një vorbull apo kazan, pozitë dhe opozitë për të relativizuar dhe shpërndarë përgjegjësinë eventuale. Këto janë presione konkrete e që do të japin rezultate konkrete. Kërcënimet për eskalim të situatës, si nga Kurti, ashtu edhe nga Vuçiqi përmes Goran Rakiqit dhe Brigadës së veriut janë pordhë të ftohta që e ngrohin atmosferën në kohë të mungesës së rrymës. As nuk do të ketë luftë e as viktima, as bllokim të institucioneve si pasojë e largimit të serbëve nga institucionet. Ata që e bënë luftën dhe që përsëri do ta bënin janë ose në Hagë, ose në pritje për Hagë. Këta që i kanë rënë Santorinit, Mykonos, hoteleve të shtrenjta në SHBA dhe shtetet evropiane, që në vend të kifleve po hanë kavijar dhe fruta deti, që, përveç bakllavasë i kanë rënë edhe të gjitha ëmbëlsirave tjera, nuk do të luftojnë asnjëherë. Mos do të luftojnë ata që nuk e dinë se kur ësht ditëlindja e Adem Jasharit por llaskucërisht e festojnë ditëlindjen e Bill Klintonit apo ata që thonë se në qiell janë bombahedhësit amerikanë kurse në tokë Baba (Skënderbeu)! Pordhë të ftohta janë këto. Sipas informatave, deri më tani kam besuar se Kosova i ka tre personalitete që thirreshin Baba. Ata janë; Albin Kurti, Enver Hasani dhe Ismet Munishi. Kah doli edhe Baba i katërt; Skënderbeu! Tradicionalisht, ku ka shumë baballarë, fëmijët (shteti) nuk është në rregull!

Tash, darka apo dreka e emisarëve amerikanë dhe evropianë është një përkrahje për Albin Kurtin, një detyrim i opozitës ndaj procesit që, edhe nëse nuk dëshiron të jetë aktive, atëherë të jetë bashkëpunuese. Detyrimisht bashkëpunuese. Se çfarë opozite kanë bërë deri më tani, në planin e brendshëm, as edhe një hamburger nuk e kanë me do të pranojë, ose do rituar. Në fund të fundit, nëse botërisht deklaroheni se pa amerikanët dhe pa Brukselin nuk mund të ketë zgjidhje atëherë, si të kundërshtojmë një propozim edhe në rast se nuk na pëlqen. Albin Kurti nuk është në pozitë të mbrojë parime, nuk ka aspak hapësirë manovruese dhe, ose do të shkojë. Procesi e mbanë në pushtet dhe procesi e largon nga pushteti, kurrsesi opozita. Dhe, mund edhe të gaboj, por, Albin Kurti me asnjë kusht nuk do të largohet nga pushteti sepse e ka ndërtuar një piramidë që është e varur ekzistencialisht nga pushteti.

Përfundimisht, Zajebnica nuk është zgjidhje për Kosovën por vetëm sa e ngatërron problemin. Do të mbetet një urë lidhëse midis Kosovës dhe Serbisë, do ta ruaj dhe do ta forcojë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Në gjendjen në të cilën jemi, Kosova ka nevojë për një zgjidhje radikale që përfundimisht e ndanë nga Serbia dhe ia pamundëson Serbisë të ndërhyjë në punët e brendshme. Këto vizita që po i bëhen Kosovës, drekat dhe darkat janë presion mbi Kosovën dhe imponim të një zgjidhjeje e cila nuk është zgjidhje. Albin Kurti e ka më së vështiri kurse Besnik Bislimi do të jetë figura tragjike e këtij procesi kur do të hapen dhe mbyllen llogaritë.

Zhvillimet shqiptare dhe kushtimisht shqiptare: Dritan Abazoviqi iku për lesh. Erdhi në pushtet me mashtrime dhe improvizime me qëllim të vetëm ta burgosë Babain e shtetësisë së Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. U lidhë me popat e Beogradit duke bërë përpjekje që Malin e Zi ta vë nën tapi të Kishës Ortodokse të Serbisë. Milo Gjukanoviq e bëri kryeministër të Malit të Zi dhe po ky Milo ia tregoi derën. Kur u bë kryeminister i Malit të Zi asnjëherë nuk e përmendi se është shqiptar, kur e shkarkuan tha se po e bëjnë shkaku se qenka shqiptar, jo se ka nënshkruar pronësinë e Malit të Zi kishës Ortodokse serbe. Dyfytyrësh dhe manipulant. Nuk meritoi fund më të mirë!

Zijadin Sela dha dorëheqje nga kryetari i Alternativës Shqiptare. Ai nuk e luiftoi shovinizmin maqedonas por e luftonte Ali Ahmetin. Ai asnjëherë nuk u bë lider i vërtetë sepse u shndërrua në tullumbace të Vetëvendosjes. Nuk kishte lidership për faktin se rolin e liderit përpiqej ta ndërtonte përmes viktimizimit pasi e rrahën në Kuvendin e Maqedonisë e jo në bazë të rezultateve që duhej t’i kishte por nuk i pati. Mbeti pa asnjë asambleist në Tetovë, kryeqytetin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Zijadin Sela nuk ka përmbajtje për t’u bërë lider i vërtetë. Dhe, fundi nuk është i keq për te, ka mundur të jetë edhe më i keq. Kjo dëshmon se përçarja dhe grindavecaria nuk sigurojnë vota e as elektorat afatgjatë dhe stabil. Mësim për disa liderë edhe në Kosovë, të fortë në paraqitje, qyqarë në përmbajtje!

Një lajm i mirë: Gentrit Shala, djali i vetëm i Heroit të Kombit, humanistit, aktivistit për të drejtat e njeriut, ish-të burgosurit politik, mjekut të popullit dhe mjekut të UÇK-së, vëllaut të pesë motrave, Hafir Shala u martua e që gëzoi shumë Nënën e vet Sakrifikuese, pesë motrat, familjen, miqtë dhe shokët e DOKTORIT, tash i zhdukur nga shteti i Serbisë, u martua me znj. Fjolla. Rast i veçantë dhe i gëzimit për shokë të idealit, shokë të burgut dhe shokë të luftës të DOKTORIT Hafir Shala, Elmiu, dr. Hakiu, Nuhiu, Avdullahu, Idrizi dhe Behxheti që ishin të nderuar që ishin në dasmë, të respektuar nga familja e DOKTORIT dhe nga Gentriti. Po ringritet edhe një trashigimi kombëtare e një Patrioti të Madh si ishte Dr. Hafir Shala.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS