Eko Higjiena

Ndëshkimi i depozituesve

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ibrahim Rexhepi – Norma e interesit në depozita duhet të jetë pak më e lartë se shkalla e inflacionit në vitin paraprak, ose depozituesit të mendojnë që paranë e tyre ta investojnë diku tjetër, aty ku kanë më shumë përfitime.

Nuk mund të mohohet fakti se norma e interesit në kredi ka pasur rënie në vitet e fundit- nga 12,3 për qind sa ishte vjet, në 10,6 për qind sivjet. Por, në ndërkohë rënie edhe më të madhe pati norma e interesit në depozita, nga 3,5 për qind, në 0,6 për qind. Shprehur matematikisht- del se kreditë tash janë 14 për qind më të lira, ndërkaq përfitimet e depozituesve kanë rënë gati 6 herë. Ndryshimet e këtilla nuk kanë lëkundur biznesin bankave, madje, vetëm sa e ka stimuluar edhe më shumë, meqenëse margjina e normës së interesit ende mbetet e lartë, dhjetë për qind, ndërkaq në fund të qershorit të vitit të kaluar ishte 8,5 për qind.

Kjo është një e padrejtë shumë madhe që i bëhet depozituesve, të cilët bankave ua kanë besuar 2,4 miliardë euro, me të cilat ato bëjnë biznes dhe vjelin fitime. Nga ana tjetër, depozituesit nuk kanë asnjë fitim- madje edhe kanë humbje. Kjo është e qartë, meqenëse norma e interesit në depozita është dukshëm më e ulët se shkalla e inflacionit në vend. Të përkujtojmë: vjet inflacioni ishte 1,8 për qind, parvjet – 2,5 për qind, në vitin 2011- 7,3 për qind… Thënë më troç, interesi në paratë e investuara në sektorin bankar tash është tri herë më i ulët se norma e inflacionit në vitin e kaluar. Për të qartësuar edhe më shumë këtë çështje duhet thënë se paraja që depozituesit mbajnë në banka është duke u zhvlerësuar dhe për shkak të ndikimit të inflacionit, fuqia blerëse e tyre nuk është e njëjtë sikur në ditën kur janë depozituar. Për më keq, as bankat nuk duan që të shpenzojnë pak më shumë, përkatësisht që normën e interesit në depozita ta harmonizojnë me inflacionin, në mënyrë që ata që lënë paratë në bankë të mos ndëshkohen.

Mobi Casa

Është paradoksale të thuhet se bankat nuk duan më para! Këtë ato nuk e thonë kurrë, por kjo vërehet kur merret parasysh se sa destimuluese janë përfitimet që kanë depozituesit. Tash, me këtë normë të interesit ata nuk kanë ndonjë interes që të investojnë në sistemin bankar të vendit. Që të sillen kështu bankat i ka detyruar edhe fakti se ato nuk po dinë se çfarë të bëjnë me paranë. Ato i kanë tërhequr nga tregu dhe kanë një likuiditetit të tepruar, i cili është i dëmshëm për ekonominë. Mbyllja e parasë brenda sistemit bankar, apo investimi i saj në instrumente që nuk reflektojnë në mënyrë direkte me ngritjen e likuiditetit në ekonomi, sjell dëme me pasoja afatgjata. Ngufatet zhvillimi. Shifrat dëshmojnë këtë – vjet në fund të qershorit ndryshimi ndërmjet shumës së depozitave dhe asaj që u dhanë në formë të kredisë ishte 376 milionë euro, ndërkaq, sivjet ai u rrit gati 42 për qind, përkatësisht arriti në 532 milionë euro. Po ashtu, edhe fitimi i bankave në fund të qershorit ishte 2,6 herë më i lartë se në qershor. Kjo ka ndodhur për faktin se për gjashtë muaj nga interesi për investimet e bëra bankat kanë përfituar rreth 97 milionë euro, ndërsa për të paguar interesat në depozita kanë shpenzuar vetëm 25,7 milionë euro. Ndryshim shumë i madh! Apo, ai pasqyron qëllimin e bankave – me norma më të ulëta në depozita shpenzimet janë më të vogla, kurse fitimi është i madh.

Depozituesit nuk janë pa zgjidhje. Mirëpo, për të fillimisht duhet të mendojnë bankat, ashtu që të motivojnë qytetarët dhe biznesit që të mos tërheqin paratë. Nëse duan që të mos rrezikohet shuma e depozitave, atëherë ta korrigjojnë normën e interesit. Minimumi i saj duhet të jetë aq sa është shkalla e inflacionit në vitin paraprak. Po ashtu, bankat në fillim të secilit vit duhet të bëjnë harmonizimin e interesit për depozita me inflacionin. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë ato po i ndëshkojnë depozituesit, meqenëse po dobësohet fuqia blerëse e parasë që ata ruajnë.

Tash qytetarët dhe bizneset kanë edhe mundësi të tjera, jo vetëm që të ruajnë fuqinë blerëse, por edhe të rritin përfitimet. Ata duhet të kenë parasysh se tash janë hapur edhe mundësi të tjera për investime. Blerësit e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës kanë për detyrë që tash ta zhvillojnë edhe tregun sekondar të tyre. Pra, kush ka dëshirë dhe guxim, mund të investojÑ‘ në këto letra. Por, është edhe mundësia tjetër, janë krijuar kanalet të cilat qytetarëve iu ofrojnë mundësinë të blejnë aksione dhe instrumente të tjera financiare në bursat ndërkombëtare. Përmes Raiffeisen Bank paraja mund të investohet në aksionet e gjigantëve global, si Apple, Google, Ford, Sony…, ku përftimet janë më të mëdha se norma e interesit në depozita që paguajnë bankat në Kosovë. Por, edhe rreziku nuk është i vogël, për shkak të lëkundjeve që ndodhin në tregun e aksioneve dhe të letrave me vlerë. Bankat vendore, së paku garantojnë këtë normë për një vit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)