Eko Higjiena

Mushkolaj: VLAN ta votojë kandidatin e PDK-së dhe ta formojë Qeverinë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Analisti politik Imer Mushkolaj thotë se blloku LDK, AAK, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit, në mënyrë që sipas tij të tejkalohet kriza politike dhe t’i mundësohet pastaj këtyre subjekteve politike që ta formojnë Qeverinë e re duke lënë në opozitë PDK-në.

Sipas Mushkolajt zgjedhja e një kryeparlamentari nga radhët e PDK-së nuk do të paraqiste problem për Qeverinë e re të formuar nga LAN-i dhe Vetëvendosja, pasi sipas tij një koalicion i tillë qeveritar do të kishte një shumicë të fuqishme brenda Kuvendit dhe do të mund të merrte vendime pa problem. Këto vlerësime Mushkolaj i ka dhënë për “Zërin” një ditë para seancës konstituive të Kuvendit, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni.

Mushkolaj ka thënë se si do të shkoj seanca e nesërme e Kuvendit, nuk e kanë të qartë as vetë deputetët, mirëpo sipas tij LAN dhe Vetëvendosje duhet ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit, pasi sipas tij do të ishte e pafalshme që edhe seanca e së enjtes të përfundoj pa ndonjë rezultat konkret.

Hidromorava

“LAN bashkë me Vetëvendosjen duhet të reflektojnë mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të provojnë që ta zgjidhin këtë bllokadë, në kuptimin që ata e kanë në dorë që ta bëjnë zgjidhjen e këtij problemi duke vendos që ta votojnë kandidatin e PDK-së, siç e thotë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që pastaj t’i hap rrugë vetës për krijimin e koalicionit qeveritar. Nëse të dyja palët, apo thënë më mirë, nëse LAN-i qëndron në pozicionin të cilin e ka mbajt deri tash unë besoj se prapë do të kemi një situatë të pazgjidhshme në kuptimin që nuk do të dihet se si do të përfundoj. Por besoj se deputetët e LAN-it janë aq të vetëdijshëm se një tentim tjetër për ta kandiduar Isa Mustafën sipas skenarit të 17 korrikut do të ishte një dështim i dytë dhe një shkelje e re kushtetuese”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Mushkolaj më tej ka vlerësuar se nëse Vetëvendosje dhe blloku LDK, AAK, Nisma (VLAN) do ta votonin kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit (Arsim Bajramin), nuk do të paraqiste problem për Qeverinë e re e cila do të formohej nga VLAN.

“Ne e dimë se çfarë kompetencash ka një kryetar Kuvendi dhe natyrisht se duke e pas shumicën e Kuvendin e Kosovës ne mund të paramendojmë se çfarë vendimesh do të mund të merrte LAN-i bashkë me Vetëvendosjen edhe nëse do të zgjidhej si kryetar Arsim Bajrami si kandidat i PDK-së. Pres që LAN-i të reflektojë dhe t’i jap fund kësaj krize për shkak se konsideroj se shkon në favor të tyre, duke pas parasysh vendimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejt pas propozimit të partisë fituese edhe partisë së dytë që të nominoj kandidatin për formimin e Qeverisë”, ka deklaruar Mushkolaj. /Zëri/