Behgjet Pacolli paralajmëron përgjegjësi ligjore për keqpërdorimet e dyshuara në kompanitë e tij
Behgjet Pacolli ka deklaruar se nuk do të ndalet së kërkuari përgjegjësi ligjore ndaj kujtdo që dyshohet se ka shpërdoruar besimin, ka shkelur detyrimet kontraktuale apo ka keqpërdorur pasurinë dhe mjetet financiare të kompanive të tij. Në një reagim publik, Pacolli thekson se çdo shkelje e dyshuar, përfshirë përvetësimin e kundërligjshëm të pronës intelektuale dhe dëmtimin e pasurisë së kompanive, duhet të trajtohet përmes institucioneve kompetente dhe mekanizmave përkatës ligjorë.
Ai nënvizon se pasuritë e krijuara ndër dekada janë rezultat i punës së palodhur, përkushtimit, sakrificave dhe investimeve të vazhdueshme, ndaj, sipas tij, askush nuk duhet të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme nga puna dhe kapitali i të tjerëve. Pacolli rikujton se marrëdhëniet kontraktuale për të cilat flet rregullohen nga legjislacioni zviceran dhe shpreh vendosmërinë që, për çdo shkelje që konstatohet, të kërkohet jo vetëm përgjegjësi e plotë ligjore, por edhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara.
Në reagimin e tij, ai bën të qartë se ndjekja e këtyre çështjeve nuk do të kufizohet vetëm në një juridiksion, por do të zhvillohet përmes rrugëve ligjore dhe institucioneve përkatëse, si në vendet ku operojnë kompanitë e tij, ashtu edhe në juridiksione të tjera, aty ku mund të jetë e nevojshme.
Deklarata e Pacollit përcjell një mesazh të qartë për mbrojtjen e pronës, integritetit profesional dhe përgjegjësisë kontraktuale, ndërsa pretendimet për shkelje dhe keqpërdorime duhet të vërtetohen përmes procedurave dhe vendimeve të institucioneve kompetente./rajonipress/


