Fundamenti

Dhjetë librat që (s’) i keni lexuar

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Një fshat i vogël në Indi u bë shkaku që bota virtuale të nisë “lojën” me librin. Pas sensacionit të sfidës “Ice Bucket Challenge” dhe sfidës për djegien e flamurit të të ashtuquajturit ISIS, internetin e përfshiu vala e sfidës së librit “The Book Challenge”.

Një organizatë joqeveritare në një fshat të Indisë, e quajtur “One Library per Village”, që për qëllim ka ndërgjegjësimin e popullatës për lexim dhe shpërndarjen e librave me sa më shumë njerëz. Sfida e librave, njëlloj sikur sfida me akull, në esencë kërkon që të bëhet diçka në emër të bamirësisë. Të pranosh sfidën e leximit të 10 librave për të cilat je nominuar ose të dhurosh para a libra për organizatën e cila ka nisur këtë nismë. Mund të keni parë shokët tuaj virtual të nominohen apo të nominojnë dikë për 10 librat, ose të nominoheni dhe ju vetë.

Si çdokund tjetër, edhe në botën shqiptare, i madh e i vogël, shfrytëzuan “Facebook”-un, për të nominuar miq me nga dhjetë libra, prej autorëve shqiptarë e deri te ata me renome botërore. Në mesin e atyre që postuan “statuset” e tyre për këtë sfidë, u futën edhe politikanë, herë me seriozitet e më shumë duke ironizuar, teksa nominuan libra, si: “Gu gu pici gu”, “Verorja”, etj. Në këtë ironi hynë edhe titujt: “Nga sfida në sfidë”, “Në Evropë apo në Europë”, etj. Por edhe shënime të titujve gabim, me huqjen e fjalëve e të titullit gati krejtësisht. Emra autorësh botërorë, si: Goethe-s, Froyd-it, Bukovski, Dostojevski e Kadare, u përmendën shpesh në mesin e “sfiduesve” kosovarë.

Shkrimtari Gëzim Aliu, i nominuar disa herë për këtë sfidë, por jo shumë i interesuar për këtë ngjarje, tha se nuk lexohet aq sa po lihet përshtypja nga këto sfida “online”. “Ky është njëfarë lloj snobizmi, por në këtë rast pozitiv, sepse së paku dikush do t’i mësojë nja tre-katër tituj librash të mirë e dy-tre emra shkrimtarësh të vlefshëm”, tha Aliu për gazetën “Zëri”.
Sipas tij, edhe pse në mungesë të statistikave, në Kosovë lexohet pak. “Mendoj që nuk janë më shumë se disa qindra lexues aktivë. E lexues pasivë ka mjaft, që e lexojnë gazetën nga fundi, ndonjë parathënie libri, titrat e ndonjë filmi, fjalë të urta në internet e kështu me radhë”, përfundon Aliu.

Albatros Rexhaj, shkrimtar dhe themelues i librarisë së parë elektronike në Kosovë, duke folur rreth këtij trendi të ri, tha se është rritur në një kohë kur nuk ka pasur internet dhe librat ishin e vetmja dritare nëpërmjet të cilës një i ri mund ta eksploronte botën, por megjithatë ka refuzuar të bëjë një listë të tijën të librave që kanë ndikuar në formimin e tij si njeri dhe si artist. “Fillimisht jam befasuar për të mirë me këtë iniciativë, por me kohën e kam ndier një lloj refuzimi estetik, sidomos ndaj atyre listave që përmbajnë tituj që duhet patjetër t’i kërkosh me internet dhe aq më tepër kur dikush e jep një listë tërësisht në anglisht, ku nënteksti është se zotëriu apo zonja në fjalë nuk e konsideron të dinjitetshme të lexojë në shqip”, pohoi Rexhaj për “Zërin”.

Hidromorava

Sipas tij, lista më e sinqertë do të ishte sikur të ishin vetëm tre apo maksimum pesë libra, sepse librat që lënë ndikim të pashlyeshëm në formimin tonë janë të rrallë.

“Aq më tepër se tek ne “Book Challenge” është shndërruar në trend për të treguar se filani apo filania është “in” në shoqëri. E vetmja që më jep kënaqësi është fakti se librat janë bërë diçka me të cilën tregohet se je “in”, tha Rexhaj, duke shtuar se është shumë i lumtur dhe i nderuar që në shumë lista modeste, tërësisht me tituj të lexuar në shqip dhe me libra që i gjen pothuajse në çdo bibliotekë apo librari, janë nominuar njëri nga librat e tij.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, nuk i rezistoi këtij trendi, duke përpiluar listën e tij ironike. Sejdiu propozoi libra të trilluar, të shkruar nga figurat tona politike si “Range Rover for the Rover”, nga Bajram Rexhepi, apo edhe “ Ekonomia e tregut të lirë apo Ekonomia e lirë e tregut”, “shkruar” nga Safet Gerxhaliu.

Gjithë kësaj euforie të shfaqjes së një kulture të “fshehur”, kulturës së leximit i ndihmoi mbase edhe një postim i kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, i cili më 8 shtator, Ditën Ndërkombëtare të avancimit të shkrim-leximit, ai thoshte se leximi është vendimtar për zhvillimin e burimeve tona njerëzore dhe se “Misioni i ri” i PDK-së do të përpilonte një strategji për “konsumin” e leximit./zeri/