FIDANISHTJA

Vendlindja është vendlindje, ajo kurrë s’harrohet…

/ 9 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Atë ditë kur na paralajmëruan paramilitarët serbë se askush nuk duhet të qëndrojë në fshat pas datës 13 prill (1999), i madh e i vogël përlepnicas u shtang dhe mbeti pa gjak. Kurrë nuk e kishim përjetuar luftën dhe urdhrin e egër të pushtuesit serb, i cili, përherë fshatin tonë, Përlepnicën, e pati në shënjestër për të keq. Kështu na rrëfeu Feriz N. Rrahmani, bashkëfshatar i fshati në fjalë, i cili, tash e pesëmbëdhjetë vjet jeton si i dëbuar në Irlandën e largët.

Po. Kjo është fakt. Fakt dhe është e vërtetë se, na erdhën lajme “taze” nga prijësit paramilitarë, të cilët na dhanë ultimatum gjer më 13 prill se askush nuk guxon të qëndrojë i gjallë në fshat. “Kush do të gjendet në fshat, do të vritet”. Nata shpejt kaloi. Kjo “gjendje” nuk zgjati më tepër se një orë, ndonëse ishin mbi 15 orë pritje. U mobilizuam i madh e i vogël. Fshatarët i rregulluan traktorat, kultivatorat dhe makinat tjera për largim pa krye nga vendlindja. Hynim e dilnim pa gjak. Na u mor goja. Te secili shihej dhimbja për trollin, shtëpinë, trungun familjar, dhe, më e keqja ishte, se si do të kalohet kjo “furtunë” e keqe dhe ogurzi. Kur zbardhi drita, të gjithë ishim në këmbë. Tek secili i afërm shihej fytyra e skuqur nga pagjumësia. As fëmijët nuk kishin bërë gjumë. Qanin pa u ndalë. Nuk e dinin ikjen. Një ikje e kobshme dhe pa fund. Erdhi urdhri i prerë nga eprorët serbë: “Sa më shpejt ta lëshoni fshatin”! Nuk e dinim kah do t’na shpiejnë. O, Zot! Sot, o kurrë na është ndihma jote! Kjo “furtunë” asnjëherë nuk do t’na hiqet nga mendja. Siç dihet, prej vitit 1941-1999 (Jugosllavija) – Serbija ka bërë lloj-lloj padrejtësie në njerëz tanë. Ka vrarë, zhdukur, masakruar e ka burgosur pa asnjë dëshmitar. Dhe, në emër të parullës “vëllazërim-bashkim”, udhëheqësia serbe ka bërë shumë padrejtësi në popullin e pafajshëm. Serbiqa, popullin shqiptar e la më të varfër në Jugosllavi. E la pa ekonomi e industri të zhvilluar. Populli jetonte me një jetë të skajshme varfërie. Tek më vonë, pas viteve 1974, popullit ia dha të “drejtën” e hapjes së shkollës në gjuhën shqipe. Por, populli, sa herë kërkonte të drejta si popujt tjerë që të jenë të barabartë me Republika tjera, pasonte dhuna, burgjet, bisedat informative, aksioni i armëve. Ky “skenar” e mbushte gojën e popullit me gjak e helm jete. Si p.sh. hapja e Universitetit, dhënja e flamurit, hapja e shkollave medicionale, dhënia e Kushtetutës së vitit 1974, krejt këto janë marrë me zor.

Siç dihet, ka shtuar Feriz N. Rrahmani, arsimtar nga Përlepnica, – Kosova na ishte vend i pasur me minerale, por ishte vendi më i varfër në ish-Jugosllavinë. Na suprimuan autonominë; na larguan nga puna; na mbyllën shkollat; na larguan nga spitalet, nga policia dhe na llogaritshin si nacionalitet, e jo si shumicë në Kosovë. E kjo “lojë” vazhdoi prej vitit 1981-1998 kur populli i shpalli luftë Serbisë. Por, ne nuk ishim të përgatitur për luftë, por lufta na u imponua nga okupatori. Dhe, kështu, gjithë arsenalin e armatimit, Serbija e solli në Kosovë për t’i shtypur shqiptarët. Nga kjo gjendje, shqiptarët filluan të shpërngulen. Mandej, filloi vrasja e tyre nëpër shërbimet ushtarake. Po ashtu, gjatë luftës së fundit (1999), kriminelët serbë kanë masakruar, vrarë, por edhe kanë bërë dhunë të paparë në popullatën shqiptare. Popullit ia plaçkitën shtëpitë, kafshët dhe në fund ua digjnin shtëpitë, arat me grurë, xhamitë, shkollat e objektet të tjera. Nga kjo gjendje tmerruese, Amerika e Evropa u detyruan të marrin aksionin e tyre me bombardimin e caqeve serbe. Ne si punëtorë të arsimit, më se 10 vjet punuam pa paga të shtetit. Si sot më kujtohet kur, në mëngjesin e 13 prillit (1999), shton Ferizi, – erdhën policia e paramilitarët serbë dhe na larguan nga fshati. Na drejtuan në drejtim të Bujanocit. Kur arritëm afër Konçulit, përsëri na kthyen në fshat. Kjo nuk i kënaqi kriminelët dhe përsëri, po atë ditë, më 13 prill (1999), na detyruan t`i lëshojmë shtëpitë dhe na drejtuan në drejtim Gjilan-Viti. Na drejtuan kah rruga për Glloboqicë, aty ku ishte kufiri Maqedoni-Kosovë. Kolona me njerëz ishte 2 km me afro 2000 vetë. Ishte një udhëtim me dhunë dhe i dhimbshëm. Ishin hypur banorët e fshatit nëpër traktora, makina e kultivatora. Në rrugë aty afër fshatit Budrigë serbe, policia e ndali djalin tim Jetonin. Ia kërkuan lejen. Djali e pati lejen. Deshën ta ndalojnë, por kolona nuk u ndalë. Vazhduam rrugën. Arritëm vonë në Glloboqicë. Këtu na zuri nata dhe buajtëm në rrugë, në një luginë në mes malit. Në mëngjëz herët na drejtuan për Maqedoni. Në zonën neutrale në hymë në këmbë. Të gjitha mjetet i lamë këtej kufirit. Policia serbe na i morën të gjitha dokumentet tona. Është për tu përmendur se shqiptarët e Maqedonisë na kanë pritur fort mirë. Aty na sollën ushqim, perime, pare, pelena për fëmijë, ujë të voktë (të nxehtë) për ti pastruar fëmijët dhe nga mbrëmja na sollën edhe çebe e “sende” të tjera. Por, në mbrëmje erdhën disa autobusa dhe na morën. Na shpërndanë për në Stankovec nr. 1 e 2. Në fund të majit na quan për Irlandë. Krejt refugjatët i kishte pranuar Irlanda. Dhe, arritëm në qytetin Dublin, të Irlandës. Në aeroport kishin dalë shumë qytetarë për t’na pritur. Aty na priti edhe kryetarja e shtetit etj. Na morën e na vendosën në një sallë. Këtu pushuam dhe kemi ngrënë bukë. Më vonë na kanë shpërndarë nëpër Irlandë. Na që ishim 50 vetë nga 12 familje, na ndajtën. Na quan në një qytet, i cili u quante Baltinglas. Na vendosën mirë. Për secilën familje pati dhoma me sende përcjellëser. Kur hymë në qytet, aty ishin ardhur nxënës me parulla në dy anët e hotelit: “Mirë se keni ardhur kosovarë”! Por, edhe duartrokitjet në gjuhën e tyre nuk patën të ndalur: “Mirë se vini…”! Popullata e Irlandës na priti mirë. Kështu që, një javë ditë na dhanë ushqim. Pas një jave e përgatitën regjistrin se sa jemi dhe kush jemi. Na shpërndanin ndihmat në të holla. Popullata dhe gazetarët na vizitonin, por edhe na pyesnin për rrugëtimin tonë të vështirë gjer në Irlandë. Na sollën perime, vaj, sheqer etj. Fëmijëve u sollën lodra. Na dhanë edhe veshmbathje. Fermerët na sillnin drekë. Na dhanë një autobus në disponim. Çdo të diele na shetitnin nëpër qytete dhe na jepnin drekë. Pas pak kohe, ne kërkuam të kemi lajme në gjuhën shqipe. Edhe ggjë na mundësuan. E rregulluan një sallë dhe aty dëgjonim lajme për ngjarjet në Kosovë. Lajmet i përcillnim 20 minuta. Udhëheqja e qytetit Baltinglas na siguroi të shkojmë në xhami. Gjer sa gjetëm punë, çdo të premte vinin e na merrnin për në xhami. Na ipnin drekë dhe nga dy kilogram mish. Na dhanë edhe libra fetarë për ti lexuar. Pas një kohe, shton mësuesi Ferizi, – gjeta punë një një supermarket. Po, tha Ferizi, – fillova të punoj. Një ditë erdhi njëri dhe më pyeti: a ka ndonjë kosovar që do të vijë në shkollë. Njëri, nga kosovarët i tregoi se jam mësues. Ai, që pyeti, irlandezi, më mori dhe më qoi në shkollë.

FIDANISHTJA

Ai u tregoi shokëve se jam punëtor i arsimit. Drejtori i asaj shkolle më pyeti se sa vjet kam punaur në arsim. Unë i tregova se kam punuar 33 vjet me ditar në dorë. Ai u tha shokëve mësues të asaj shkolle se, sikur të ishte në vendin e vet, do të punonte si ju. Kolegët e asaj shkolle erdhën e më përdhelën duke më shtrënguar dorën. Disa femra e meshkuj mësues filluan të lotojnë. Si thanë, edhe stërgjyshërit e gjyshërit e tyre e kishin përjetuar këtë farë tragjedie si populli kosovar. Ata kishin pësuar prej anglezëve. Sipas fjalëve të tyre, në një kohë, Irlanda ka pasur 20 milion banorë, e sot ajo i ka vetëm 4 milion. Pra, nga dhuna e huaj, edhe ata janë shpërngulur nëpër vende tjera të botës. Atëherë, drejtori i asaj shkolle më tha se, nga nesër do të fillojë të punojë me nxënësit shqiptarë. Fillova një jetë të re. E ndjeja vetën fort mirë. Ipja mësim në gjuhën shqipe. Mi siguruan tekstet shkollore dhe fillova punës prej klasës së parë gjer në klasën e katërt. U rrëfeva se, ne jemi nga Përlepnica, fshat në komunën e Gjilanit. Nga ky lokalitet jemi dëbuar 400 familje nga dhuna serbe. Për një orë e kemi lëshuar fshatin. Neve na ka punuar fati të vijnë në Irlandë. Pasi Kosova fitoi pavarësinë, shumica e të shpërngulurve janë kthyer në Kosovë.

Për çdo vjet, tha Ferizi – vij në Kosovë, në vendlindje. Vendlindja është vendlindje, ajo kurrë nuk harrohet. Po dua ta rifilloj jetën e re në Kosovën e lirë, ku frymon “tjetër” jetë. Çdo gjë më është dëmtuar gjatë luftës së fundit 1999. Kur jemi kthyer në fshat, 80% e shtëpiave kanë qenë të dëmtuara. Por, na janë marrë kafshët, janë vjedhur sendet e ekonomisë sonë gjer në fund. Tash shkolla e fshatit në klasën e parë kanë mbetur 16 nxënës, ndërsa para lufte ka pasur tri paralele në klasën e parë. Pra, tash ka mbetur edhe një numër i vogël që nuk është kthyer në fshat, shtoi z. Feriz Rrahmani nga Përlepnica e Gjilanit./tefik selimi/rajonipress/