Fundamenti

Kriza e qëllimshme

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Ibrahim Rexhepi – Nuk ka asnjë arsye që paraja të mos qarkullojë nga arka e shtetit te bizneset, apo te qytetarët. Qeveria në ikje nuk ka asnjë kufizim që deri në fund të vitit të shpenzojë mbi 1.6 miliard euro, por duke respektuar ndarjet buxhetore të miratuara në Kuvend dhe nuk guxon të bëjë asnjë veprim që fut në obligime qeverinë që e pason.

Kryeministri në ikje nuk është i bindur se vërtetë mund të ikë nga posti që mban aktualisht. Këtë bindje e manifestoj me fillimin vitit të ri shkollor, kur arsimtarëve u premtoj edhe një rritje pagash prej 25 për qind. Por, mënyra si e prezantoi qëllimin e vet, si edhe momenti aktual politik në vend, lënë përshtypjen se më shumë ishte kërkesë për përkrahje, se mundësi reale që pagat brenda 12 muajsh të rriten 50-60 për qind. Kjo përqindje nuk është në përputhje me zhvillimet ekonomike në vend dhe me fuqinë e buxhetit. Por, kryeministri në ikje, nëse siguron edhe një mandat për katër vjet, edhe mund ta bëjë këtë, pa marrë parasysh matematikën dhe tabelat buxhetore.

Po ashtu, kryeministri në ikje në Shtime, u mundua të përcjell mesazhin se buxheti ka mjaft para, madje, jo vetëm për mbulimin obligimeve të definuara në dhjetorin e vitit të kaluar, por edhe të planifikoj për shpenzimet e vitit 2015. Që në të vërtetë, kjo nuk është krejt e vërtetë, si del nga ky mesazh.

Këtë më së miri e demanton disponimi që kanë bizneset. Janë shtuar ankesat se mungesa e marrëveshjes politike për konstituimin e institucioneve të pushtetit po reflekton në mënyrë të drejtpërdrejtë në pozitën e tyre, si edhe në gjendjen e përgjithshme në treg. Kjo reflektohet në dy mënyra: E para – kufizimi (shkurtimi) i pagesave; E dyta- humbja e hapit zhvillimore dhe e perspektivës në përgjithësi.

Sa i përket çështjes së parë, nuk ka asnjë arsye që të ngadalësohet rrjedhja e parasë nga arka e shtetit deri te operatorët ekonomik të kontraktuar, apo edhe te qytetari si përfitues përmes pagave, apo linjave sociale. Sipas ligjit, operatorët e kontraktuar realizojnë të hyrat për punët që kanë bërë në interes të agjencive buxhetore 28 ditë pas dorëzimit të faturës – nëse krejt letrat janë në rregull. Por, edhe në rrethanat më të mira, ky afat nuk është respektuar. Arka e shtetit gjithmonë iu ka mbetur operatorëve me qindra miliona euro. Raportet mujore për të hyrat dhe shpenzimet e buxhetit nuk tregojnë për ndonjë ndryshim të madh prej muaji në muaj. Për paga mesatarisht paguhet 22-23 milionë euro, mallra dhe shërbime -20 milionë euro, subvencione e transfere – 30 milionë euro, ndërsa oscilime ka vetëm te shpenzimet kapitale, meqenëse, ta zëmë fatura e marsit ishte 7 milionë euro, ndërsa e qershorit arriti në 16 milionë euro, ndërsa gjatë muajve në vijim pa dyshim se do të jetë shumë herë më e lartë.

ARKATANA

Kur këtu kemi parasysh të hyrat në nivel rekord që arkëton dogana, si edhe derdhje te ATK-së, të cilat sillen në suazat e planifikimit, atëherë likuiditetit i buxhetit ende nuk ka arritur në pikën që të rrezikoj pagesat.

Për këtë arsye ka mundësi që theksimi kaq i shpeshtë i krizës së pagesave që ka qeveria të jetë artificial dhe i qëllimshëm. Ndërsa kreatorë janë të gjithë aktorët në skenën tejet të mjegulluar në vend. PDK-ja si pjesa gati se e vetme në strukturën e tashme qeverisëse në këtë mënyrë sikur dërgon apelin që t’i lejohet formimi i qeverisë, pasi që gjërat do të shkojnë si është më keq edhe në rrafshin financiar. Ndërkaq, blloku anti-PDK, i koncentruar te LAN-i mundohet të dëshmoj se me partinë që shpreson ta qeverisë vendin dhe me kryeministër liderin saj Hashim Thaçi, kriza do të thellohet edhe më tutje dhe vendi përfundimisht humb perspektivën. Mirëpo, të dyja apelet janë false, meqenëse buxheti mund të hyjë në krizë vetëm për shkak të keqmenaxhimit të parasë publike, e jo për shkak të mungesës së parasë. Sipas strategjisë që aktualisht e ka zbatuar për tetë vjet qeveria në ikje, nuk mund të ketë deficit të parasë publike, kur duke rritur pagat rritet edhe konsumi, i cili nuk reflekton në ngritjen e prodhimit vendor, por të importit, prej nga vijnë diku rreth 70 për qind të të hyrave në buxhet.

Kriza mund të paraqitet më vonë, madje vetëm për shkak të kufizimeve ligjore: mund të ketë problem me pagesa po qe se nuk bëhet rishikimi i buxhetit; do të ketë kufizime nga janari nëse buxheti për vitin 2015 nuk dekretohet deri në fund të dhjetorit të këtij viti, ose mund të ndërpriten të gjitha pagesat nga arka shtetërore po qe se buxheti nuk miratohet deri në fund të marsit të viti 2015.

Të gjithë këta skenarë janë të mundshëm kur kemi parasysh kokëfortësinë që manifestojnë liderët e subjekteve kryesore politike në vend. Ata me çdo kusht duan pushtet, e jo shtet funksional dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve. Duan ta plotësojnë egon e tyre të sëmurë për pushtet, por edhe të spastrojnë disa llogari të vjetra.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)