Uji Dea

Mërgimtarët kthehen me përshtypje më të mira nga Kosova

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Shumica e mërgimtarëve këtë verë janë kthyer në kurbet me përshtypje shumë më të mira sa herëve të tjera, por ka ca sish që janë edhe të zhgënjyer ca shkaku i problemeve që kanë më administratën gjatë nxjerrjes së dokumenteve të ndryshme.

Diskotekat, lokalet e natës (PAP), restorantet e zakonshme, por edhe ato që janë në periferi të qyteteve kanë shtuar aktivitetin e punës gjatë ditëve të verës kur në Kosovë qëndrojnë bashkatdhetarët.

Ndërsa ajo që është më e veçanta është fakti se shumica e mërgimtarëve, sidomos të rinjtë, kthehen në vendet e kurbetit me përshtypje shumë më të mira sa herëve të tjera. Të vjetrit, ndërkaq, si rëndom, janë të mërzitur nga dasmat e shpeshta, sepse muajt korrik dhe gusht konsiderohet si muajt e dasmave, synetive e kanaxheçeve.

Albinfo.ch gjatë këtyre ditëve u mundua t’i intervistojë, edhe nëpërmjet Facebookut, disa të rinj mërgimtarë që po i kalojnë pushimet në Kosovë. Shumica nga ta janë shumë të kënaqur për faktin se vendlindja gjithmonë sjell emocione të bukura, por ka edhe të tillë që nuk janë të kënaqur me administratën.

“Për çudi, sivjet nuk e kam dëgjuar asnjë njeri duke ironizuar me ne…se paskan ardhë këta shacat me pantolla të bardhë. Këtë vit duket se edhe këta e kanë kuptuar se ne të gjithë jemi të njëjtë, madje e veçanta është se secili prej nesh i lë në Kosovë nga 3-4 mijë euro”, u shpreh Bajrushi, që punon në Shafhausen të Zvicrës.

Ai që i ka kaluar 40 vjet thotë se më shumë e preferon qetësinë, prandaj edhe në Kosovë më shumë i bëjnë përshtypje restorantet që janë jashtë qyteteve, në periferi.
“Unë zakonisht rri me familje në restorantin Planeti, por shkoj edhe te Vali Runch dhe te Bujana në Gjilan. Ndërsa djali gjithë natën në diskotekë, herë te Stopi e një vend tjetër Meteor, deklaroi Bajrushi, i cili u shpreh i lodhur nga dasmat.

“Dje kam qenë te djali i dajës, i cili u martua, ndërsa nesër mbrëma tezaku i bën synet fëmijët… na mbytën krejt”, u shpreh ai si me ironi.

Binak Gashi, nga fshati Studençan, edhe sivjet ka ardhur për t’i kaluar pushimet në Kosovë.

Edhe pse një pjesë të pushimit ai ka planifikuar ta kalojë bashkë me familjen e vet në ndonjë prej plazheve të Shqipërisë, thotë se nuk mund ta anashkalojë vendlindjen, ku edhe e ka ndërtuar një shtëpi të re, e cila gjatë tërë vitit qëndron bosh.

I rrëmbyer nga nostalgjia, ai thotë se askund në botë nuk mund ta gjejë shijen e bukës dhe të ushqimeve të tjera si në Kosovë. Në kompleksin turistik-hotelier Solid në Suharekë, ai bashkë me familjen e tij ka dalë për një darkë familjare.

“Solidi është vendi që ta qetëson shpirtin dhe që ta shuan mallin e Kosovës. Vitin e kaluar këtu me mua ka qenë dhe një mik imi zviceran dhe, po ashtu, edhe ai është fascinuar jo vetëm me freskinë dhe bukurinë që ofron ky vend, por edhe për ushqimin e veçantë që shërbehet në restorant”, tha për albinfo Gashi.

Fundamenti

Prizreni, vendi më i bukur dhe më i frekuentuar nga turistët gjithandej Kosovës. Edhe bashkatdhetarët që janë nga ky qytet për 11 muaj vuajnë për ushqimet e mira, sidomos qebapët dhe suxhukun.

“Shko kah të duash, se me Prizren nuk ka. Është i veçantë për të gjitha, ndërsa Shatërvani është diçka që gjithmonë e shoh ëndërr”, tha Qazim Kryeziu, bashkatdhetar nga Gjermania. Ai po ashtu përmendi edhe disa lokale ky kalojnë shkëlqyeshëm të rinjtë, siç është PAP në Shatërvan, Korneri, KEJ etj.

Ndërsa vendet ku i frekuentojnë më shumë bashkatdhetarët me familje mbetet Reçani, një vend shumë afër Prizrenit, dhe Vërmica për të cilën e di secili qytetar për peshkun që e përgatitin.

Po ashtu edhe Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, zakonisht i tërheq të rinjtë për kushtet që ua ofron, restorantet, klubet e natës, diskotekat, koncertet.

Qendra te Pallati i Rinisë me lokalet janë vendet ku më së shumti i frekuenton Dardan Kelmendi, i cili jeton me familje në Munih.

“Ditën me shoqëri dal këndej, ndërsa pas darkës zakonisht shkoj në lokale të tjera pranë ABC-së, në Depo, XL etj. Aty bëhet shumë mirë. Dhe ndryshe nga herët e tjera, sivjet po kaloj fenomenal. Pra, çka me thanë, sivjet është fantazi, edhe pse po më duket pak shtrenjtë për këta që jetojnë këtu”, u shpreh ai.

Mirëpo, ka edhe prej tyre që nuk janë shumë të kënaqur me administratën, edhe pse kjo e fundit ka shtuar kapacitetin e punës gjatë këtyre dy muajve.

Selimi nga Studençani sapo është kthyer nga Zvicra për pushime në Kosovë, por duket se atij ditët po i sosen duke pritur dyerve të institucioneve. Të hënën ai kishte ardhur në Prishtinë për t’i verifikuar disa dokumente të gjendjes civile për anëtarë të familjes së tij, të cilat i duhen për përdorim në shtetin helvetik.

“Pritjeve tona para dyerve të shteteve, të Zvicrës, dikur të Serbisë, tash të Kosovës nuk u erdhi fundi kurrë. Na shkoi jeta duke rregulluar dokumente të përkohshme. Fajet i ka Qeveria e Kosovës, e cila ende nuk po arrin të krijojë partneritet të niveleve të barabarta me shtetin e Zvicrës”, thotë Selimi i zhgënjyer.

Ai përderisa kritikon Ministrinë e Administratës Publike, përkatësisht Divizionin e Gjendjes Civile në Prishtinë, e lavdëron administratën e Komunës së Suharekës, e cila, sipas tij, ka disa vite që po punon me zell për t’u shërbyer bashkatdhetarëve me rregullim të dokumentacionit.