Fundamenti

Për një model amerikan apo evropian të arsimit?!

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Njazi Idrizi – Ne mbetëm gojëhapur kur një ndërmarrës u ankua se në Kosovë nuk po mund të gjejë fuqi punëtore?! Ai na tha se “nga dhjetë punëtorë që iu përgjigjen konkursit në ndërmarrjen time, nëntë nga ata dinë ta përshkruajnë punën që bëhet aty, ndërsa vetëm një di të punojë, e mua po më duhen nëntë që dinë të punojnë e vetëm një që e përshkruan dhe e prezanton punën e tyre!”. Arsyetimi i këtij ndërmarrësi është plotësisht i saktë!

Për shumë vjet arsimi në Kosovë është në krizë. Të gjitha angazhimit e deritashme, për ta reformuar arsimin dhe për t’ia përshtatur tregut të punës, mund të quhen pa frikë, dështim. Përpjekja e parë, teknike, për ta lidhur arsimin me ekonominë dhe mirëqenien u bë ,kur u ndryshuan vitet e shkollimit fillor dhe atij të mesëm. Me këtë model u tentua që të bëhej një diferencim i studentëve në mes të atyre “që dinë të punojnë dhe atyre që dinë të përshkruajnë dhe afirmojnë”. Ndryshimi i pushteteve dhe i politikave të qeverisjes, jo që nuk solli asnjë risi e avancim, por për më keq e ktheu gjendjen fillestare, atë të shkollës komuniste të paraluftës, duke ia hequr madje edhe komponentin e planifikimit dhe duke e bërë edhe një shkëputje fatale të shkollës nga jeta.

Në pak vite u hapën një varg i shkollave dhe universiteteve private, u themeluan gjashtë universitete publike! U përmbush vetëm ana formale e reformës sipas modelit të Bolonjës, ajo e palosjes së letrave. Ndërsa në anën tjetër rifilloi lufta e egër, “pas një pushimi të shkurtër”, e partive politike për dominimin dhe politizimin e arsimit, duke e arritur atë që nuk e arriti as Millosheviqi, centralizimin e tij. U centralizua, pranimi i personelit mësimor dhe i studentëve, u centralizuan ndryshimet, avancimet dhe përshtatjet e programeve e planeve mësimore, u bë centralizimi financiar për menaxhimin e institucioneve të arsimit të lartë…! Në universitete problemet u shumëfishuan nga strukturat udhëheqëse të menaxhimit, të cilat nuk garantuan një pavarësi nga politika dhe ndikimet e jashtme, por i shndërruan ato në zëdhënëse të tyre, ku u promovua gjithçka, pos arsimit. Jo vetëm që ra cilësia e mësimit, por për faqe të zezë, lufta për dominimin e arsimit nga grupet e interesit u përcoll me falsifikimin e diplomave dhe punimeve shkencore edhe nga vetë kreu i Rektoratit.

Debatet lidhur me këto probleme në arsim dhe kërkesat për depolitizim të universiteteve, së fundmi u përcollën me demonstrata, nga të cilat pësoi edhe vetë rektori. Të gjithë e kanë parë se në nivel të lartë të vendimmarrjes për probleme strategjike, (ku pasojat janë afatgjata dhe rrënuese), mungon profesionalizmi nga fushat konkrete të shkencave, mungon debati në tregun e punës dhe me shoqërinë civile, të cilët janë të vetmit që i përballojnë pasojat e përfshirjes së të diplomuarve në tregun e punës dhe në fushat e mirëqenies. Gati në gjithë botën, posaçërisht për vendet në zhvillim, problem i madh është bërë cilësia e studimeve!

Fundamenti

Sipas një studimi, në shumicën e vendeve, vetëm 10% e studentëve të diplomuar i shtojnë dijet mbi ato nga shkolla e mesme. Si të tillë, sipas të njëjtit studim, ata nuk janë atraktivë për tregun e punës, për shkak të kostos së lartë e cila nuk përcillet edhe me rezultat! Nisur nga kjo e dhënë, vendimmarrësit tanë duhet ta hapin debatin dhe të përcaktohen se këtij vendi a i duhet modeli evropian apo ai amerikan i shkollimit?! Këto modele kanë një dallim përmbajtjesor, i cili duhet të merret parasysh, me qëllim që të mos biem prapë në grackat e modeleve të dështuara, të cilat lënë pasoja afatgjata. Sa për dijeni, sipas statistikave, ShBA-ja investon dyfish më shumë buxhet në arsim se sa Evropa. Investimi amerikan karakterizohet me disa specifika, ndër të cilat ia vlen të veçohen disa: – Amerika më së shumti investon në fushën e kërkim- zhvillimit;

– Amerika është shteti që ka ndërtuar raporte të shkëlqyera në mes të ekonomisë dhe institucioneve të arsimit;
– Arsimi amerikan përdor metodën e zhvillimit të mendimit kritik intelektual, pak u kushton kujdes numrave dhe mësimit përmendësh (memorizimit) dhe nuk merret me verifikim (testim) të vazhdueshëm të dijeve.

Për dallim nga shkolla amerikane (ku mësohet për të menduar), në shkollat evropiane e edhe në Kosovë, mësohet për ta kaluar testin?! Ky është dallim i madh. Kjo, me siguri duhet të jetë edhe arsyeja se pse në ShBA ka më shumë ndërmarrës, pse ka më shumë shpikje dhe pse ka njerëz që rrezikojnë më shumë! Kjo duhet të jetë edhe arsyeja se pse Amerika është vendi i vetëm që inkurajon guximin, inkurajon verifikimin e kompetencës, inkurajon sfidimin me dështimin, dhe ku mirëpritet rikthimi për sukses. Institucionet e Kosovës për ta hapur debatin për këto tema, kusht e kanë depolitizimin dhe decentralizimin e tij. (Mapo)