Mobi Casa

Kadri Kastrati: FSK po e pret vendimin e Kuvendit për t’u bërë ushtri

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Mirëpo, po e presin vendimin e Kuvendit të Kosovës dhe ndryshimet kushtetuese që nevojiten për transformimin e FSK’së. Me kapacitetet që kemi jemi të gatshëm të dalim në ndihmë edhe vendeve tjera. Veshja kombëtare e togut ceremonial në të ardhmen mund të ketë edhe elemente që i përfaqëson komunitetet. Komandanti i FSK’së, Gjenerallejtënant, Kadri Kastrati, flet për Express.

Express: Shumëkush ka parashikuar se FSK këtë vit do të bëhej ushtri. Tash, cilat janë pritjet e juaja që FSK të shndërrohet në ushtri?

K. Kastrati: Tash e dy vjet jemi duke punuar në rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë. Në janar të këtij viti e kemi përfunduar këtë rishikim dhe të gjitha ato rekomandime, të cilatkanë dalë nga ky rishikim i kemi dërguar në Qeveri, e cila i ka miratuar. Ju e dini se për shkak të zgjedhjeve të parakohshme që kanë ndodhur këtë vit është shtyrë edhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese që janë të nevojshme për transformimin e FSK’së në Forcat e Armatosura. Ky hap mbetet të bëhet nga legjislatura e re. Ne si Forcë e Sigurisë së Kosovës nuk na ka penguar të vazhdojmë punën në mandatin që e kemi. Jemi duke i mirëmbajtur kapacitetet tona operacionale që i kemi aktualisht Gjithashtu, jemi duke punuar edhe në planifikimet afatgjate.

Express: Pra, FSK është e gatshme për të bërë transformimin në Forcat e Armatosura dhe po e prisni vendimin e Kuvendit të Kosovës?

K. Kastrati: Ne jemi të gatshëm për arsye se i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet. Jemi duke punuar në Planin afatgjatë zhvillimor dhjetëvjeçar dhe të gjitha aktivitetet tona jemi duke i planifikuar mirë, thellësisht dhe profesionalisht deri në vitin 2024. Mirëpo, tash e tutje, transformimi i FSK’së nuk varet prej nesh, por varet prej ndryshimeve kushtetuese, që duhet të ndodhin në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Express: FSK ka marrë pjesë në shumë vende për t’ju ndihmuar në tejkalimin e përmbytjeve. Planifikoni t’i dërgoni ushtarët në ndonjë vend që aktualisht ka probleme të tilla?

K. Kastrati: FSK’ja merr pjesë në shumë ushtrime dhe në shumë trajnime jashtë vendit. Ne aktualisht kemi mbi 50 pjesëtarë që janë nëpër trajnime të ndryshme. Brenda pak ditësh, FSK’ja zbarkon në Republikën e Sllovenisë në një ushtrim fushor, i cili udhëhiqet nga Forcat Amerikane për Europë, ku marrin pjesë 12 shtete të rajonit dhe edhe të shteteve tjera. Dhe, ne çdo herë, Ministri dhe unë si komandant, kemi bërë kërkesa të vazhdueshme te partnerët tanë që FSK është e gatshme dhe është e aftë të marrë pjesë në operacione paqeruajtëse dhe në operacione humanitare të udhëhequra nga NATO’ja, Kombet e Bashkuara, BE’ja apo organizatat tjera ndërkombëtare. Mund të fillojmë me kapacitete tona, duke filluar nga oficerët shtaborë, që i kemi të shkolluar në SHBA dhe Europë. Gjithashtu, kemi dominimin, gjenion, mjekësinë dhe kapacitete tjera që FSK mund të japë kontributin e saj krahë për krahë me shtetet tjera. FSK është e zhvilluar në aspektin profesional shumë mirë dhe në përmbushjen e standardeve të NATO’s. Në këtë aspekt, ne vlerësojmë që mund të japim kontributin tonë edhe jashtë vendit. Mirëpo, kjo varet prej ftesës, varet prej vendimeve të shteteve tjera. Por, numër një si pengesë është edhe transformimi i emrit por edhe misionit të FSK në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Express: Ka pasur gatishmëri t’i ndihmoni edhe popullit serb në fatkeqësinë natyrore që kaploi Serbinë?
K. Kastrati: Ministri Çeku ka thënë se ne nuk njohim kufij dhe nuk njohim pengesa kur janë në pyetje qytetarët, popujt dhe jetët e njerëzve. FSK ka kapacitete të kërkim-shpëtimit, dhe ne si Kosovë, si FKS përmes Ministrit u kemi ofruar të gjitha shteteve të rajonit, por edhe Serbisë, që jemi të gatshëm të ofrojmë asistencën tonë dhe ndihmën tonë nëse ata e vlerësojnë si të nevojshme.

Fundamenti

Express: FSK është paraqitur me një Gardë Ceremoniale ku shihen veshjet tradicionale shqiptare. Për këtë ka pasur shumë komente edhe negative. Si erdhi deri te kjo ide?
K. Kastrati: Ideja ka qenë e Ministrit të FSK’së z.Agim Çeku. Mirëpo, ajo është një uniformë tradicionale dhe nuk është krejtësisht ceremoniale. Ne e kemi porositur dhe ajo është në depot tona. Në të ardhmen, nëse kërkohet, ajo mund të shfrytëzohet. Mirëpo, uniforma e parë ceremoniale e FSK’së është ajo që ne e kemi e pasur dhe vazhdojmë ta kemi, për pritjen e zyrtarëve, ushtarakëve dhe zyrtarëve shtetëror të shteteve që vijnë të vizitojnë Kosovën.

Express: Mirëpo, kur përdoret kjo Garda me rroba tradicionale?

K. Kastrati: Kjo do të përdoret sipas kërkesave dhe nevojave të Republikës së Kosovës.

Express: Meqë, FSK është multietnike, ka pasur ide se në Gardën Ceremoniale me veshje tradicionale shqiptare duhet të ketë edhe elemente të kombësive tjera?

K. Kastrati: FSK është forcë multietnike dhe është e prezantuar edhe me të gjitha komunitetet joshqiptare. Të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë janë pjesë e FSK’së. Për këtë arsye, ne kur është në pyetje edhe gjuha, kur janë në pyetje edhe çështjet tjera, ne do t’i përfillim të gjitha rregulla dhe standardet që janë të parapara me ligj dhe rregullore.

Express: Pra, do të ketë mundësi të ketë edhe elemente të pakicave në veshjet e Gardës Ceremoniale të FSK’së?
K. Kastrati: Ne e kemi biseduar dhe nëse kërkohet që në të ardhmen ajo uniformë të ketë edhe elemente tjera, ne do t’i përfaqësojmë edhe komunitetet tjera, për arsye se i kemi prezentë edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Do t’i kemi edhe në të ardhmen në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Express: Si është gjendja sa i përket pensionimit të pjesëtarëve të FSK’së?
K. Kastrati: Ligji e parasheh që ushtarët dhe nënoficerët që në moshën50 vjeçare ata mund të shkojnë në pension. Mirëpo, mund të shkojnë edhe me kërkesën e tyre. Ata që kanë qenë pjesë e TMK’së në pension të parakohshëm, mirëpo, duhet t’i kenë 12 vite angazhim në TMK dhe FSK. Kurse, për oficerë, Ligji e parasheh që në pension të dalin në moshën 55 vjeçare. Edhe këtu është e paraparë që nëse dikush kërkon për arsye personale, për arsye të çështjeve të ndryshme, ai mund të kërkoj nga unë si Komandant dhe pastaj unë në bazë të arsyeshmërisë së kërkesës mund t’ia lejoj ose mos t’ia lejojtë pensionohet një pjesëtar i FSK’së para moshe. Por, të gjithë ata ushtarë që plotësojnë kriterin e moshës dalin në pension dhe bëhet përtëritja e gjeneratave. Te ne është një vazhdimësi që nuk ndërpritet kurrë.