Rahimaj merr pjesë në promovimin e monografisë “Dajkoci, vendlindje e Heroit Metush Krasniqi”
Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka marrë pjesë në promovimin e monografisë “Dajkoci, vendlindje e Heroit Metush Krasniqi”, me autor Prof. Dr. Emin Krasniqi, organizuar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në shënim të 40-vjetorit të vdekjes së Heroit Metush Krasniqi.
Kjo vepër paraqet një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës historike e kombëtare, duke vënë në pah veprimtarinë atdhetare të Metush Krasniqit, përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare dhe rolin që ai pati në rrugëtimin historik të popullit shqiptar.
Përmes dokumenteve, dëshmive dhe kujtimeve, monografia trajton historinë e Dajkocit, rrugëtimin e banorëve të tij ndër breza dhe kontributin e tyre në zhvillimin arsimor, shoqëror, kulturor e kombëtar. Në këtë mënyrë, botimi shërben si një dëshmi e trashëgimisë së kësaj treve dhe si një burim me vlerë për njohjen e historisë lokale dhe kombëtare.
Promovimi i kësaj monografie përbën një mundësi për të rikujtuar figurat që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit, si dhe për të përcjellë te brezat e rinj vlerat e atdhedashurisë, përkushtimit dhe sakrificës për liri.
Me këtë rast, kryetari Kadri Rahimaj ka uruar autorin, Prof. Dr. Emin Krasniqi, për realizimin e kësaj vepre, e cila kontribuon në dokumentimin e historisë së Dajkocit dhe në ruajtjen e kujtesës kolektive për brezat e ardhshëm.
Botime të tilla dëshmojnë rëndësinë e hulumtimit, dokumentimit dhe promovimit të trashëgimisë historike, si pjesë e identitetit kulturor e kombëtar dhe e përgjegjësisë për ta ruajtur atë ndër breza./rajonipress/

