Grabovci: PDK i ka numrat për krijimin e Qeverisë
Adem Grabovci, i PDK-së, thotë se deklaratat e Bllokut LDK-AAK-NISMA, për vendimet e Qeverisë veç sa po e thellojnë krizën. Sipas tij, LDK-AAK-NISMA kanë hyrë në qorrsokak dhe po kërkojnë të pamundurën. PDK i ka numrat për formimin e Qeverisë, jo 61, por 70.
Vendimet e fundit të Qeverisë kanë hapur një shteg tjetër polemikash e përplasjesh mes dy kampeve, PDK-së në njërën anë dhe Bllokut Opozitar në anën tjetër.
Me ardhjen e tyre në krye të Qeverisë, siç pretendon se do të ndodhë, Koalicioni LDK-AAK-Nisma ka pohuar se të gjitha vendimet e paligjshme do t’i shqyrtojë e anulojnë, ndërkaq autorët dhe përfituesit e tyre do të dënohen.
Por, kjo për Adem Grabovcin po shihet si një presion që po u bëhet institucioneve të shtetit. Ai thotë se kjo që po dëgjohet vetëm sa e bën edhe më të thellë krizën.
Duke folur për Politiko.net, Deputeti i PDK-së Grabovci vlerëson se të gjitha këto deklarata janë dëshmia më e mirë se Blloku Opozitar ka hyrë në një rrugë qorre dhe po kërkon diçka që është e parealizueshme.
“Ata po mendojnë veç shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve në brendinë e vetvetes. Para së gjithash, ne duhet ta kemi të qartë se zgjedhja si Kryeministër, President, e kështu me radhë, nuk është thjesht dëshirë, duhet dalë para qytetarëve, duhet marrë besimin, e pastaj të merren përgjegjësitë institucionale për ta vazhduar punën”, ka thënë Grabovci.
“Kjo që po dëgjohet është vetëm thellim edhe më i madh i krizës, i bllokadës. Është mosrespektim i ligjeve të Republikës së Kosovës, por edhe të institucioneve tjera vendimmarrëse.
Ky mund të quhet edhe një presion që po ushtrohet në institucionet e vendit. Duhet të lejohet që ato në mënyrë të lirë dhe demokratike të marrin vendimet e veta, të bëjnë shqyrtimin, të bëjnë vlerësimin dhe të konstatojnë shkeljen apo mos shkeljen”, ka thënë ai.
Sipas tij, “këto përpjekje që po bëhen dhe këto deklarata që po jepen normalisht se janë dëshmia më e mirë se edhe vetë Blloku Opozitar është i vetëdijshëm se ka hyrë në qorrsokak dhe po kërkon diçka që është e pamundur të realizohet. Qeverinë do ta ndërtojë ai i cili i ka fituar zgjedhjet. Qeveria dhe institucionet tjera do të konstituohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në përputhje me ligjet dhe duke respektuar vullnetin e qytetarëve”.
Pas një takimi që kanë zhvilluar sot liderët e Bllokut Opozitar, janë shprehur të shqetësuar me vendimet e Qeverisë dhe punësimet enorme në administratën e shtetit. Ata kanë thënë se të gjitha këto veprime janë antiligjore, antikushtetuese dhe vazhdim i aferave korruptive.
Adem Grabovci i PDK-së, më tutje për Politiko.net ka thënë se Qeverinë do ta formojë PDK dhe ka më tepër se 70 numra.
“Ne do të veprojmë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Çdo tentativë tjetër është antiligjore dhe antikushtetuese dhe ata të cilët bëjnë shkelje duhet të përballen me pasoja”.
“Ju garantoj se nga 120 deputetë, kur të zhvillohet seanca në kushte normale, le që do t’i kemi 61 vota, por edhe më tepër se 70 vota”, ka deklaruar Grabovci. /Politiko.net/


